Ambasada e SHBA dhe USAID ndihmojnë prodhuesit shqiptarë të vajit të ullirit

Ekonomi

Ambasada e SHBA dhe USAID ndihmojnë prodhuesit shqiptarë të vajit të ullirit

Më: 7 maj 2015 Në ora: 08:31

Në Shqipëri, në rrugë kombëtare, pranë ullishtave sheh shpesh shishe vaji që presin blerës. Jo rrallë edhe tabela që të ftojnë të blesh vajin origjinal. Dikush madje pretendon se shet “vaj këmbësh”, si një dëshmi e një “tradite” dhe një origjinaliteti më të madh. Por Silvana Subashi, kryetare e Shoqatës së Vajit të Ullirit, thotë se vaji i këmbëve në fakt nuk është aq i vjetër. Bëhet fjalë për ullirin që lihej të fermentohej dhe pastaj shtypej me këmbë. “Në kohën e diktaturës, kjo ishte mënyra e vetme se si njerëzit mund të prodhonin vaj në shtëpitë e tyre, pasi kishin vjedhur ullirin”, – na thotë Subashi.

“Vaji i mirë i ullirit, ai që quhet extra virgin, trashëgon veti të ullirit, është pak i hidhur dhe pak djegës në qiellzë”, përshkruan Paul Vossen, profesori dhe eksperti i vajit nga Kalifornia, i ftuar në Shqipëri nga ambasada e SHBA-së për të trajnuar testues shqiptarë të vajit.

Tom Mueller, një gazetar që i kushtoi një libër vajit të ullirit, i bie shkurt: “Nëse doni vaj të mirë ulliri, atë duhet ta blini sa më pranë fabrikës”. Dy prodhues të vajit të ullirit në Shqipëri, “Subashi” dhe “Postoli”, që ishin pjesë e një aktiviteti të organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë, pohojnë thuajse të njëjtën gjë. “Në supermarkete nuk do të gjeni vaj ulliri cilësor”, – na thotë Silvana Subashi, kryetare e Shoqatës së Vajit të Ullirit. Këtë thotë edhe Mueller në shkrimin e tij. Gazetari që dokumentoi një hetim të gjatë mbi cilësinë e vajit të ullirit, thotë se ai është një nga produktet më të falsifikuara në botë. Madje një nga produktet, gjurmë të falsifikimit të të cilit gjenden që në lashtësi. Mueller për këtë i referohet arkeologjisë dhe romakëve.

Projekti i ambasadës amerikane dhe USAID-it solli në Shqipëri një ekspert të shijimit/provimit të vajit të ullirit nga Kalifornia. Paul Vossen trajnoi një ekip shqiptarësh që mund të testojnë vajrat e ullirit, për të përmirësuar cilësinë e prodhimit në vendin tonë dhe për të bërë të mundur eksportimin apo tregtimin me një çmim të mirë të vajit të ndershëm.

Një eksperiment testi u bë në Kopshtin e Trëndafilave të Ambasadës së SHBA-së. Vossen mësoi të ftuarit të provonin tri vajra dhe një leksion të thjeshtë për të dalluar se cili ishte më i miri. “Shqipëria, – tha ai në një bisedë me gazetarët, – është një vend që ka disa varietete autoktone të ullirit që mund të prodhojnë vaj cilësor, por për këtë duhej të përmirësohej industria e përpunimit. “Ka mjaft gjëra që mund të përmirësoni”, – tha Vossen i pyetur për ndryshimet që duhej të bëheshin, duke nënvizuar faktin se kjo do duhej të shkonte paralelisht me testimin dhe më pas vlerësimin e këtij vaji nga testues të certifikuar. Kjo do e ndihmonte vajin shqiptar të ishte një pjesë e tregjeve ndërkombëtare.

Në fjalën e hapjes së ceremonisë, ambasadori Donald Lu vlerësoi historinë e kultivimit të ullirit në Shqipëri dhe po ashtu bimën. “Ushqimi më i preferuar i vajzës sime të vogël janë ullinjtë. Këtu në Shqipëri asaj i pëlqen të marrë të gjithë ullinjtë në sallatë. Ajo nuk pajtohet dot me faktin që ullinjtë shtypen për t’u bërë vaj”, – tha me humor ambasadori.

USAID dhe Ambasada po ndihmojnë prodhues shqiptarë të vajit të arrijnë kualitet të lartë në cilësi, dhe po ashtu të mundësohet që kjo cilësi të njihet. E qartë është se nuk ka për të qenë një betejë e thjeshtë. Subashi thotë se vajra të falsifikuara mbushin tregun prej vitesh dhe gjenden në masa të mëdha në supermarkete.

Eksperti amerikan i ullinjve vlerësoi ullinjtë që prodhohen në Shqipëri, por ndër të tjera deklaroi se ka vend për përmirësim. “Shqipëria ka disa lloje vajrash ulliri dhe këtu prodhohet ulli shumë i mirë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësim. Më kanë ftuar si ekspert që të ndihmoj këtë sektor për të rritur cilësinë”, – tha ai. Vossen e bëri të thjeshtë të provuarit e vajit, edhe pse theksoi se shijimi ishte e vetmja mënyrë për të ndarë një vaj të mirë nga një i keq. “Dikush të vendoset në një vend të qetë, ta hedhë në një gotë blu ku nuk duket ngjyra dhe ta provojë atë”, – tha Vossen. Ai shpjegoi se një vaj i mirë duhet me doemos të vijë nga një ulli sa më i mirë, që përpunohet menjëherë pas vjeljes.

E gjithë kjo sidoqoftë nuk është aq e lehtë. Pasi kemi provuar tri lloje vajrash në kopshtin brenda ambasadës, e kemi të vështirë të themi se cili na pëlqeu më shumë. Ai që ndodhej në gotën e parë dhe që ishte një prodhim i blerë në market. Ai që ndodhej në të dytën, ku shijohej më shumë prej ullirit apo ai i së tretës, që eksperti e cilësoi ‘delikat’. Ndoshta ngaqë dikujt vaji i pëlqen prej ullinjve të fermentuar, e një tjetër e shijon atë kur është “ekstra i virgjër” e pak më i ashpër. Zgjedhjet janë personale, por leksioni i Vossen që pritet të ndihmojë prodhuesit shqiptarë të vajit drejt një cilësie më të mirë, do na ndihmojë nëse ndalojmë ndonjëherë buzë rruge për të zgjedhur vaj ulliri./ Mapo

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat