TEB dhe MIDF - marrëveshje për përkrahje bankare të institucioneve

Ekonomi

TEB dhe MIDF - marrëveshje për përkrahje bankare të institucioneve

Më: 6 maj 2015 Në ora: 16:17

Banka TEB dhe Franfurt School Financial Services (MIDF) kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për përkrahje të institucioneve publike dhe kuvendeve komunale. Është ky një financim nga MIDF, që ka për qëllim të bëjë një hap përpara në sistemin bankar dhe në zhvillimin infrastrukturor të komunave, që do të thotë se komunat do të jenë në gjendje t’i marrin paratë drejtpërdrejtë nga bankat.

Sipas drejtuesve të bankës TEB, marrëveshja nënkupton një stad të ri të bankimit në Kosovë, pasi që është hera e parë që një bankë merr iniciativën e financimit të projekteve publike. Sipas tyre, me financimin e projekteve publike do t’u japin mundësi komunave dhe projekteve publike që të hyjnë në partneritete të ndryshme dhe të investojnë projektet e tyre kapitale.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Peter Moelders, drejtor i Fondit në MIDF, tha se kanë një fushë të madhe me projekte të cilat mund t’i financojnë.

“Qëllimi i fondit do të jetë që të behet hapi i radhës në sistem bankar dhe në zhvillimin infrastrukturor të komunës, që do të thotë se komunat do të jenë në gjendje t’i marrin paratë direkt nga bankat, dhe ne do ta përkrahim këtë përparim me ndihmë teknike për bankat. Pra, u kalojmë njohuri bankave, por do të ofrojmë edhe ndihmë teknike për komunat. E mira e IMDF është se kemi një fushë të madhe me projekte të cilat mund t’i financojmë, pra nuk janë vetëm komunat, edhe pse fondi thirret ‘zhvillimi infrastrukturor i komunave’, por mund të jetë partneritet publik-privat, mund të jenë kompanitë private që ofrojnë shërbime publike dhe sa i përket fokusit të fondit mund të jetë një gamë e gjerë e gjerave, si shkolla, çerdhe etj., që mund t’i financojmë, të cilat nuk financohen nga donatorë të tjerë”, informoi Moelders.

Drejtori i përgjithshëm i bankës TEB, Ayhan Albeyoglu tha se sektori publik është shumë i vlefshëm, por investime të këtij lloji kanë një ndikim pozitiv edhe në sektorin privat, pasi që ato nxisin më shumë investime.

“Është (marrëveshje) shumë e rëndësishme për bankën tonë sepse jep sinjal për hyrjen në një segment të ri të tregut, i cili është shumë më ndryshe dhe shënon aktivitetet e tanishme të biznesit. Kjo e shfaq TEB bankën si një bankë të artikujve të rinj dhe nismave të reja... Vlerë thelbësore e bankës sonë është përkushtimi që çon përpara performancat dhe qëllimet tona për shërbime më të mira, dhe pikërisht ky përkushtim për arritjen e qëllimeve dhe interesimin për këtë program për komuna. Do të vazhdojë të japë kontribut në krijimin e një sistemi më efikas, që do t’ua përmirësojë cilësinë e jetës qytetarëve dhe do të ofrojë bazë për rritje të shpejtë ekonomike në vend”, tha Albeyoglu.

Ai tha se do të vazhdojnë të japin kontribut edhe duke ofruar ndihmë financiare për programe të ndryshme nëpër komuna.

Ndërkaq, drejtori i investimeve në MIDF, Klid Saraçi bëri të ditur se qëllimi nuk është vetëm të mbështesin komunat, por edhe kompanitë e partneritetit publiko-privat dhe ndërmarrjeve private të cilat kryejnë kontrata të formës konvencionale me pushtetin vendor.

“Fondi është krijuar në Luksemburg dhe do të kalojë nëpërmjet bashkëpunimit me bankën TEB në një masë deri 100 milion euro për komplet rajonin e Ballkanit. Sot jemi të nderuar të jemi prezent për të bashkëpunuar me bankën e parë në Kosovë, në këtë bashkëpunim që është banka TEB. Qëllimi i fondit është për të mbështetur investimet në bashki, në komuna, jo vetëm në pushtetin vendor por gjithashtu nëpërmjet kompanive të partneritetit publiko privat dhe ndërmarrjeve private të cilat kryejnë kontrata të formës konsecionale me pushtetin vendor”, tha ai.

Sipas përfaqësuesve të bankës TEB, është hera e parë që një bankë merr iniciativën e financimit të projekteve publike, e që kjo e bën më të lehtë bashkëpunimin me fondin zhvillimor të infrastrukturës komunale. Ata besojnë se me financimin e projekteve publike do t’u japin mundësi komunave dhe projekteve publike që të hyjnë në partneritete të ndryshme dhe të investojnë projektet e tyre kapitale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat