BSH: Ja rreziqet për biznesin, qeverinë dhe individët

Ekonomi

BSH: Ja rreziqet për biznesin, qeverinë dhe individët

Më: 6 maj 2015 Në ora: 09:22

Banka e Shqipërisë në një raport për stabilitetin financiar në vend ka vlerësuar nivelin e rreziqeve që i kanosen ekonomisë, qeverisë, biznesit dhe individëve.

Banka e Shqipërisë, me qëllim vlerësimin e përgjithshëm të rreziqeve ndaj stabilitetit financiar në gjashtëmujorin e dytë të 2014, ka marrë në konsideratë zhvillimet kryesore në sektorin bankar, zhvillimet në ekonominë e brendshme, situata financiare e agjentëve ekonomikë, si dhe zhvillimet në ekonominë e jashtme

Ekonomia

Në rastin e “ekonomisë së brendshme”, rritja e borxhit të jashtëm dhe e nevojave për financim të jashtëm të ekonomisë kanë kontribuar në rritjen e rrezikut. Megjithatë, në total ky rrezik konsiderohet si i moderuar falë ndikimit pozitiv që ka dhënë ngushtimi i hendekut të prodhimit. Për sa i takon kursit të këmbimit, në gjashtëmujorin e dytë ecuria e tij vlerësohet të ketë ndikuar në rritjen e rrezikut.

Individët

Banka e Shqipërisë vlerëson se për individët, niveli i rrezikut mbetet “i moderuar”, duke përfituar nga ecuria e treguesve përbërës në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Zgjerimi i kredisë për individët, rritja e indeksit të çmimit të banesave dhe pritshmëritë pozitive kanë ndikuar në zbutjen e këtij rreziku.

Bizneset

Për “bizneset”, rreziku vlerësohet në rënie duke u vlerësuar “i moderuar”. Kontributin kryesor në këtë ecuri e kanë dhënë pritshmëritë pozitive të sektorit mbi ecurinë e ekonomisë për pjesën e parë të vitit 2015, si dhe përmirësimi në indeksin e vëllimit të prodhimit. Gjithsesi, cilësia e portofolit të kredisë, si dhe ritmi i kreditimit të këtij sektori vijojnë të kontribuojnë në rritjen e vlerësimit të rrezikut për bizneset, sqaron Banka e Shqipërisë.

Qeveria

Për “qeverinë”, niveli i rrezikut vlerësohet në rënie, në kushtet e uljes së deficitit buxhetor, rënies së primeve të rrezikut të borxhit të qeverisë, si dhe ecurisë pozitive të të ardhurave. Ndonëse niveli i borxhit konsiderohet i lartë, ecuria e treguesve të mësipërm e vendos atë në një prirje rënëse, duke ndikuar në uljen e notës së rrezikut. Rreziku që vjen nga “mjedisi i jashtëm ekonomik” është ulur gjithashtu, ndonëse mbetet në nivelin “mesatar”. Rënia e normës së papunësisë në vendet ku punojnë emigrantët dhe rënia e çmimit të naftës, janë dy faktorët me kontributin kryesor në uljen e këtij rreziku, si në terma vjetorë ashtu edhe gjashtëmujorë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat