Buxheti i shtetit humbi 1.2 mld euro nga abuzimet me karburantet

Ekonomi

Buxheti i shtetit humbi 1.2 mld euro nga abuzimet me karburantet

Më: 4 maj 2015 Në ora: 07:57

Aksioni i qeverisë për luftë ndaj abuzimeve me karburantet është cilësuar i vonuar nga Konfindustria. Konfindustria mbështet parimisht nismën ligjore të ekzekutivit për dhënien e mundësisë për shtrirjen e kontrollit të cilësisë së karburanteve nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) edhe në sektorin e shitjeve me pakicë, por e cilëson një akt ligjor mjaft të vonuar në kohë, duke vlerësuar se në pjesën dërrmuese përzierësit e dëmshëm dhe jashtë standardit shtohen pikërisht në pikat e pakicës.

“Konfindustria ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme prej shumë vitesh ndërhyrjen e shtetit në përmirësimin e domosdoshëm të tregut të karburanteve, si më i madhi, prej mbi 12-13% të PBB të vendit dhe vlerë absolute më shumë se 1.2 miliard euro, si dhe ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë kombëtare, nivelin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Konfindustrisë.

Shkeljet me cilësinë dhe volumet e shitura të karburanteve, sipas Konfindustrisë, shkaktojnë kosto prej afro 200 milionë eurosh në vit, që paguajnë padrejtësisht qytetarët dhe biznesi shqiptar. Tregu i karburanteve, me qarkullim vjetor mbi 1.1 miliard euro në vit, përbën mbi 13% të PPB të vendit.

“Janë të paktën 110 milionë euro shmangie fiskale vjetore vetëm në dëm të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit, nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve në vend. Ndërkohë, shkeljet me cilësinë dhe volumet e shitura të karburanteve, shkaktojnë kosto shtesë kolosale prej afër 200 milionë eurosh në vit, që paguajnë padrejtësisht qytetarët dhe biznesi shqiptar. Gjithashtu, nëse shtohen edhe dëmet në mjedis, shëndet, makineri dhe pajisje për qytetarët dhe biznesin, kostot e plota financiare, që i rëndojnë ekonomisë kombëtare nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve, janë shumë më të mëdha”, – thuhet në njoftimin e Konfindustrisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat