Bajrami: Zona ekonomike e Gjakovës s’është e licencuar

Ekonomi

Bajrami: Zona ekonomike e Gjakovës s’është e licencuar

Më: 2 maj 2015 Në ora: 08:10

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), akoma nuk e ka licencuar zonën ekonomike të Gjakovës. Kjo për shkak të problemeve pronësore.. Përderisa zona në Mitrovicë është e licencuar. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, në një intervistë për KosovaPress. Ajo ka thënë se tregu i naftës nuk është një treg i rregulluar dhe ka paralajmëruar ndryshme në udhëzime administrative për vendosje të rregullave të reja për punën e trupave inspektuese.

Bajrami ka pranuar po ashtu që ka ngecje në aktivitete për nxitje të investimeve të huaja, kjo për shkak të mungesë të stafit të Agjencionit KIESA.

“Disi kanë ngecë aktivitetet gjatë këtij tre mujori. Ne kemi kërkua nga stafi atje që të bëhet një rishikim i të gjitha aktiviteteve, në fakt mendojmë që duhet të ndryshohet qasja për arsye se pjesëmarrja nëpër konferenca të ndryshme në vitet e kaluara, edhe pjesëmarrja nëpër panaire të ndryshme nuk është që ka sjell rezultate. Ne kemi kërkuar që të gjitha aktivitetet që janë planifikuar jashtë shtetit të rishikohen“, ka thënë Bajrami.

Ajo po ashtu ka thënë se është shqetësuese edhe rastet kur investitorët i tërheqin aksionet.

“Është tepër e vërtet që kemi një trend të themi tepër negativë të rënies së investimeve të huaja direkte në Kosovë...Kur trendët janë negative kjo është shqetësuese po lëvizshmëria e kapitalit dhe transferim prej një pronari në një pronarë tjetër është një fenomen që ndodh gjithandej por shqetësimi është kur ke rënie nga viti në vit, sasia e investimeve të huaja direkte bie duke marrë parasysh se ne kemi shumënevojë për shkak se mundësia e investimeve të sektorit privat qoftë edhe sektorit publik do të thotë në vende është tepër e kufizuar“, ka thënë Bajrami.

Bajrami po ashtu ka treguar se vitin e kaluar qeveria ka shpall disa zona të lira ekonomike por tashmë fokusi është që të licencohen ato zona ekonomike. Ajo ka thënë se zona ekonomike në Gjakovë ende nuk ka licencë nga MTI-ja.

“Për Kosovën si një territor shumë i vogël është problem të bëhen zona të liraekonomike që në aspektin që me pasur politika fiskale për shembull që dallojnë për rajonin e Mitrovicës ose në rajonin e Gjakovës. Mirëpo, ajo çfarë ne mendojmë të fokusohemi si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë është që në këto komuna dhe në komuna të tjera të bëjmë licencimin e zonave. Në fakt atje nuk është e licencuar është pikërisht çështja e shpronësimit, derisa në Mitrovicë do të thotë e kemi një zonë industriale e cila është e licencuar, atje ka pasur një investim nga ana e Ministrisë së Tregtisë, vitin e kaluar por investohet edhe këtë vit është një buxhet prej 200 mijë euro“, ka thënë Bajrami.

Ajo po ashtu ka thënë se zonat tjera të cilat janë të licencuara si ajo në Prizren, Shtime dhe Suharekë, këtë vit nuk mund të ketë financim në infrastrukturën e këtyre zonave të lira ekonomike.

Ndërsa, sa i përket sektorit të naftës ajo ka thënë se nuk është tregu i rregulluar, dhe se as për cilësinë e naftës së importuar nuk është e kënaqur.

“Çështja e sektorit të naftës nuk mund të themi ose tregu nuk është një treg i rregulluar dhe ne po bëjmë përpjekje që faktikisht kjo të rregullohet ....Sa i përket cilësisë së naftës, normalisht as ne nuk jemi të kënaqur edhe sa i përket sasisë e cila analizohet në laborator nuk jemi të kënaqur, është një sasi shumë e vogël e cila po i bëhen analizat edhe po kontrollohet. Kontrolli i cilësisë është tepër i vështirë për arsye se ne kemi një numër shumë të madh të importuesve në Kosovë edhe janë diku rreth 17 mijë e 500 autobote apo kamionë të cilat hynë në Kosovë brenda 1 viti. Të kontrollosh 10 % të kësaj sasie është një numër tepër i madh, analizat janë tepër të shtrenjta, ne prapë si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë nuk është që kemi kapacitete laboratorike tonat për t’i bërë këto analiza”, ka thënë Bajrami.

Ajo po ashtu ka paralajmëruar ndryshime dhe se janë në fazën e analizimit se a kanë apo jo nevojë për trupa inspektuese.

“Ne do të shohin se a kemi nevojë dhe mundësi që të ngrisim kapacitete në mënyrë që të mos të mos kemi nevojë për trupa inspektuese kjo mbetet të shihet pas disa analizave dhe konsultave me ekspert dhe departamentin e naftës. Ne po ndryshojmë udhëzimin administrativ i cili ka të bëjë me dhënien e autorizimeve të trupave inspektuese dhe laboratorëve”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka shtuar se në këtë udhëzim i cili ka të bëjë me dhënien e autorizimeve të trupave inspektuese dhe laboratorëve, kanë menduar që të ketë rregulla të qarta dhe ato të zbatohen.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat