OEK: Pret të përmbyll panairin me 17 mijë vizitorë

Ekonomi

OEK: Pret të përmbyll panairin me 17 mijë vizitorë

Më: 1 maj 2015 Në ora: 15:01

Shumë qytetarë kishin vendosur që në ditën e festës së punëtorëve, 1 majin të bëjnë vizita të prodhimeve vendore të ekspozuara në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2015” që po mbahet në organizim të Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Qeverisë së Kosovës. Organizatorët e panairit, shprehen të kënaqur me vizitat e qytetarëve. Ata presin që deri në mbyllje të arrijnë deri në 17 mijë vizitorë. Ndërsa, bizneset kishin pritur që në këtë vit të kishin më shumë vizita se sa në vitin e kaluar.

Epidam Gjikokaj, prodhues dhe grumbullues i mjaltës “Epi Honey”, thotë për KosovaPress se panairi i ka ndihmuar shumë për prezantimin e produkteve të veçanta të mjaltës.
Gjikokaj: Për çdo vit ka përmirësime

“Ky panair na ka ndihmuar shumë, ashtu edhe viteve të tjera çdo vjet është duke u përmirësuar panairi. Shpresojmë edhe në të ardhmen me qenë kështu”, tha ai.

Ndërsa, Pirro Pirraj, prodhues i produkteve të mishit “Meka”, mendon që këtë vit ka qenë më pak i vizituar panairi në krahasim me vitin e kaluar.

“Të them të drejtën vitin e kaluar, për herë të parë kur është mbajtur panairi i përgjithshëm këtu në këtë sallë ka pasur shumë më shumë vizitor se tash. Mirëpo nuk e di është mirë, ne vazhdimisht kemi dëshirë të jemi afër konsumatorëve tanë për atë arsye edhe jemi të rregullt nëpër panaire . Mirëpo numri i vizitorëve nuk ka qenë edhe i kënaqshëm aq sa kemi pritur neve, ka thënë ai.

Ndërsa, Hamit Tafaj, nga kompania “Tafaj3 ha”, është shprehur i kënaqur me frekuentimin e qytetarëve në panair.

“Po ka pasur qytetarë na jemi të kënaqur deri sot, po shpresojmë që edhe nesër ka me qenë mirë. Ne kemi pasur shumë vizitor këtu, unë mendoj që afër 1 mijë persona kanë frekuentuar çdo ditë deri sot, kështu që deri tash jemi të kënaqur mirë është”, tha Tafaj.

Hajredin Kolgeci, prodhues i roletave “Nita Plast”, thotë për KosovaPress se i ka ndihmuar panairi edhe pse thotë se ka pasur pak vizitorë dy ditët e kaluara.

“Mirë jemi të kënaqur, ditën e parë ka pasur mirë ditën e dytë pak më dobët por sot më mirë është. Mirë na ka ndihmuar me i parë gjërat tona, prodhimet tona se çka bënë Nita Plast”, tha Kolgeci.

Ndërsa koordinatori i panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2015” Mehdi Kika nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë për KosovaPress se këtë vit kishte frekuentim më të madh të vizitorëve se sa një vit më parë. Kika pret që të përmbyllin panairin me 17 mijë vizitor.

“Deri më tani çdo herë ne kemi një numër që shkon deri nga 12 deri në 15, besojmë që sot dita e tretë edhe nesër do të kalon numrin 17 mijë vizitorë....Të veçantë tani kemi parë se në këtë panair sivjet është rrit numri i produkteve bujqësore do të thotë i agrobiznesit....Krahasuar me vitin e kaluar , panairi “Prishtina 2015”, ka qenë më i frekuentuar se vitet tjera për shkak se këtë vit kemi hapësirën më të madhe edhe të pjesëmarrësve edhe të vizitorëve “, tha Kikaj.Ndryshe, nesër është dita e fundit e këtij panairi, ku morrën pjesë rreth 150 biznese nga vendi, rajoni dhe bota./P.Musa/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat