Një Maji: Dita e të “papunëve”

Ekonomi

Një Maji: Dita e të “papunëve”

Më: 1 maj 2015 Në ora: 14:33

Dita Ndërkombëtare e Punës, Kosovën e gjen më përqindjen më të lartë papunësisë në rajon. Ky problem vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore të autoriteteve kompetente për më shumë se një dekadë.

Në bazë të anketës se fuqisë punëtore për vitin 2013, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në total në Kosovë është 30 për qind; nga këto të dhëna shkalla e papunësisë te të rinjtë 15 deri 24 vjeç është 56 për qind.

Por, sipas përfaqësuesve të punëtorëve dhe organizatave joqeveritare, niveli i papunësisë mund të arrijë në mbi 50 për qind.

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Alush Sejdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nga shkalla e lartë e papunësisë pozita sociale e qytetarëve në Kosovë është përkeqësuar.

Ai madje konsideron se problemi i papunësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse autoritetet kompetente, sipas tij, nuk po merren më gjetjen e formave të punësimit por më statistika.

“Institucionet duhet të identifikojnë problemin dhe mos të merren më statistika. Ne të gjithë e dimë se shkalla e papunësisë shkon deri në 60 për qind. Statistikat janë të ndryshme, për këtë duhet të fillohet më hapa konkret. Siç janë punësimet sezonale, jo vetëm marrëveshje, por të kemi aktivitete konkrete në mënyrë që të zbusim papunësinë dhe të shihen hapat e parë që po ndërmerret diçka”, thekson Sejdiu.

Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale , në një përgjigjeje përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, kanë treguar se deri në muajin dhjetor të vitit 2014 numri i qytetarëve të regjistruar dhe evidentuar si të papunë në zyrat e punësimit kaqenë 274,487.

Rajoni me numrin më të madh të të regjistruarave si të papunë është Prishtina, me mbi 70 mijë punëkërkues, pasuar nga qyteti i Mitrovicës në afër 60 mijë punëkërkues.

Por, sipas organizatave të punëtorëve, numri mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.

Në mesin e të papunëve por që nuk është regjistruar në zyrat e punësimit është Mimoza Berisha. Ajo ka përfunduar Fakultetin Ekonomik dhe ka konkurruar në disa konkurse që janë shpallur në gazeta ditore dhe portale të ndryshme elektronike.

Mimoza thotë se nuk ka arritur të sigurojë ndonjë vend pune për arsye, siç thotë ajo, familjarizimi dhe nepotizmi po ndikojnë në gjetjen e vendeve të punës.

“Unë mendoj se arsye pse nuk po pranohem në punë është se nuk kam të njofshëm, sepse disa herë kam konkurruar, kam plotësuar të gjitha kriteret dhe nuk më kanë pranuar”, tha Mimoza.

Sidoqoftë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për mes projekteve të ndryshme vazhdimisht ka bërë përpjekje që të rrisë numrin e të punësuarve.

Vetëm gjatë vitit 2014, për mes Zyrave të Punësimit janë ndërmjetësuar 4,667 punëkërkues dhe të papunë, prej tyre 1,376 femra.

Përveç ndërmjetësimeve të rregullta, mbi 2,000 punëkërkues dhe të papunë janë angazhuar në programe dhe projekte aktive në tregun e punës.

Por, nënkryetari i BSPK-së , Alush Sejdiu, thekson se përveç qytetarëve që janë të papunë, problem paraqitet edhe numri i disa personave të punësuar në sektorin privat, e që pagat e tyre arrijnë vetëm deri në 200 euro në muaj.

Pagë kjo që sipas tij, nuk arrin të sigurojë gjërat elementare për jetë.

“Kemi edhe të punësuar që mund të kategorizohen edhe si raste sociale, sepse me një pagë 150 -250 në Kosovë është shumë e vështirë të jetohet“, shprehet Sejdiu.

Ndryshe edhe zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, para disa javësh kanë theksuar se sfida kryesore në Kosovë është rritja e punësimit dhe e kapacitetit të eksportit.

Kurse, ekspertë për çështje ekonomike në vend disa herë kanë deklaruar se pa përkrahje të sektorit privat dhe krijimit të një ambienti më të përshtatshëm për investitorët e huaj, vështirë se mund të zvogëlohet shkalla e papunësisë.

Në anën tjetër autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se janë duke punuar në krijimin e kushteve sa më të mira për investime dhe një mjedis më të mirë biznesor, të cilat do të ndihmojnë më pas rritjen e punësimit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat