​Tiranë, Hapet Panairi i Punës – 5.000 vende pune, 150 mijë të papunë

Ekonomi

​Tiranë, Hapet Panairi i Punës – 5.000 vende pune, 150 mijë të papunë

Më: 29 prill 2015 Në ora: 16:28

Rreth 5 mijë vende të reja pune do të ofrohen në tri ditët e Panairit të Punës, që është çelur sot në Tiranë, dhe që do të vazhdojë deri në datë 1 Maj, Ditën e Punëtorëve. Në këtë panair marrin pjesë mbi 60 kompani.

Ka qenë ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta që kanë çelur sot panairin ndërsa kanë ftuar kryesisht të rinjtë që të vijnë dhe të aplikojnë për vende pune.

Ministri Veliaj, tha se panairi ka rreth 5.000 vende pune në fusha të ndryshme, por ai i paralajmëroi të rinjtë dhe gjithë të tjerët se punët janë modeste, pasi edhe ai vetë nuk e ka pasur punën e tij të parë ministër.

Veliaj shtoi se Qeveria shqiptare në 18 muaj e ka gjashtëfishuar Fondin e Nxitjes së Punësimit.

Ai iu drejtua me një apel edhe prindërve të të rinjve shqiptarë, ndërsa iu tha: “Merrni një vendim të drejtë, nëse doni për fëmijët tuaj një diplomë apo zanat, pasi sot për sot zanati e garanton punën”.

Veliaj: Nuk janë 5 mijë vende punë, janë 5 mijë mundësi për të ndryshuar jetën

"Ne duhet të pranojmë që jemi në një vend, në një situatë në një kohë ku gjendja ekonomike nuk është e lehtë; rrethohemi nga vende që kanë probleme me ekonominë si Greqia dhe Ialia. Ne nuk jemi këtu për t’u mburrur që papunësia në Shqipëri është më e ulët se ajo e fqinjëve tanë, edhe pse është më e ulët. Ne jemi këtu për të garuar me veten tonë, për të garuar me ambicien tonë, po dua të ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë ta përdorin këtë mundësi. Nuk janë 5 mijë vende punë janë 5 mijë mundësi për të ndryshuar jetën. Puna nuk është vetëm rroga por është edhe të qenit pjesë e një ekipi,” tha Veliaj.

Ministri Veliaj u shpreh i lumtur, por edhe i emocionuar, pasi, siç njoftoi, është ky aktiviteti i fundit i tij në publik si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për ta mbyllur nesër ditën në Parlament, ku kalon një tjetër iniciativë e rëndësishme, Ligji i dosjeve.

Kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi se Qeveria, shteti, shoqëria e kanë prioritet çështjen e punësimit. Kreu i parlamentit vlerësoi zyrat e punës të cilat sipas tij kanë treguar se misioni i tyre po përmbushet me sukses.

Meta:Biznesi duhet të motivohet akoma më tej për të shtuar vende të reja pune

"Nxitja e bizneseve motivimi i tyre dhe mbështetja edhe konkrete dhe financiare për të hapur vende të reja pune, absolutisht që është një impenjim i ri i pandodhur më parë në vendin tonë, jo vetëm për arsye të mungesës së burimeve financiare që kanë qenë të limituara, por edhe për shkak të mungesës së një vizioni dhe të bindjes se prioriteti kryesor duhet të jetë punësimi dhe biznesi duhet të motivohet akoma më tej për të shtuar vende të reja pune," tha Meta.

Por, vetë të rinjtë, studentë apo edhe të diplomuar të papunë duket se nuk kanë shumë besim te Panairi. Ata thonë se kanë ardhur ta vizitojnë më shumë për kuriozitet, sesa që janë të bindur për të gjetur një punë.

Student inxhinierie: Se besoj se shifrat janë reale

"S’e besoj të jenë reale shifrat. S’e di, do shoh një herë çfarë mundësish ofrojnë, në çfarë dege kërkojnë saktësisht. Pasi të shoh, atëherë do shohim nëse janë reale këto 5 mijë vende pune apo jo. Unë jam inxhinier gjeodet dhe e shoh me perspektivë të ardhmen time në këtë degë pasi është një degë që ka shumë pak kërkesa edhe shumë pak studentë, po gjithsesi me perspektivë për punë është," thotë një student i Inxhinierisë në Tiranë.

Në panair kishin ardhur edhe gjimnazistë, të cilët thanë se kanë ardhur më shumë për kuriozitet dhe informacion të përgjithshëm, sesa për nevojë reale për punë. Gjithsesi ata thanë se ky informacion ju shërben për të parë se çfarë punësh kërkon tregu, në mënyrë që edhe ata të bëjnë zgjedhjen e duhur për të vendosur për profesionin e së ardhmes.

Gjimnazistët: Kemi ardhur për t’u njohur me panairin

"Unë jam në gjimnaz profesional, te shkolla ekonomike, nuk është se kërkoj punë, por më shumë për informacion, për të ditur. Është hera e parë që vij në panair punësimi, në panaire të tjerë kam shkuar. Mendoj se janë reale punësimet me aq sa kam dëgjuar nga të afërm. Unë do zgjedh të vazhdoj degën si ekonomiste, pasi e kam edhe qejf, por edhe e shoh si me perspektivë më të lartë për punësim," tha një gjimnaziste nga Tirana.

Pavarësisht vendeve të punës që ofron panairi, sërish papunësia në Shqipëri mbetet e lartë. Në zyrat e punës janë të regjistruar si të papunë 151 mijë vetë. Por dihet se papunësia është më e lartë se kjo shifër, pasi jo të gjithë zgjedhin të regjistrohen në zyrat e punës./E.Duraj/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat