Komuna e Prishtinës me projekte konkrete për mbrojtjen e ambientit

Ekonomi

Komuna e Prishtinës me projekte konkrete për mbrojtjen e ambientit

Më: 21 prill 2015 Në ora: 14:36

Sot, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashi, mbajti një konferencë për media në të cilën prezantoi disa nga projektet që janë në funksion të mbrojtjes së ambientit në Komunën e Prishtinës.

Me këtë rast, drejtori Gashi tha se është formuar një grup punues në përbërje të ekspertëve të ndryshëm në lëmin e mbrojtjes së ambientit që kanë planifikuar se cilat parqe do të rikultivohen si dhe ato të cilat do të ndërtohen në Prishtinë.

Gashi tha se që nga muajit mars ka nisur largimi i mbeturinave nëpër deponitë ilegale, ndërsa këto hapësira planifikohet që të rikultivohen apo të gjelbërohen. Sipas tij, një gjë e tillë do të ndikojë që të rritet për 10 për qind hapësira e gjelbër në Komunën e Prishtinës.

Drejtori Gashi tha se gjithashtu është duke u bërë edhe identifikimi i saktë i të gjitha hapësirave të gjelbra në Komunën e Prishtinës.

Po ashtu, në këtë konferencë, drejtori Gashi tha se së shpejti pritet që të dërgohet propozimvendimi në Kuvendin Komunal të Prishtinës përmes së cilit do t’i jepej në dispozicion një hapësirë prej 20 hektarësh ndërmarrjes “Hortikultura” me qëllim të shfrytëzimit të kësaj hapësire për kultivimin e fidaneve në mënyrë që gjatë viteve të ardhshme mos ketë nevojë që të blihen fidanet.

“Këtë vit i kemi blerë fidanët dhe do të fillohet mbëltimi ose mbjellja e tyre në zonat e planifikuara. Janë gjithsej 1.650 fidane. Ofertat për blerjen e fidanëve kanë qenë më të lira gjatë këtij viti. Në krahasim me vitet e kaluara, një fidan me vjetërsi të njëjtët është paguar për 100 deri në 140 euro më lirë”, tha me këtë rast Gashi.

Ai njëkohësisht i informoi të pranishmit edhe lidhur me aktivitetet që do të organizohen me datë 22 prill, “Ditën e Tokës” si dhe i ftoi të gjithë qytetarët që të jenë pjesë e aktiviteteve që të kontribuojnë për një mjedis më të mirë.

“Në parkun e qytetit për ditën e tokës do të fillohet me një projekt të ri për qytetin e Prishtinës që është simbolikë, krijimi i vlerave nga mbeturinat organike, respektivisht kthimi i tyre nga mbeturina në pleh për kultivim të luleve, bimëve etj. Ky pra është fillimi i realizimit të projektet të kompostimit që bëhet në bashkëpunim me “Hortikulturën”, OJQ “Fulbright” si dhe “Green Art Center”, tha Gashi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat