Certifikohen 19 saldues në Gjilan

Ekonomi

Certifikohen 19 saldues në Gjilan

Më: 20 prill 2015 Në ora: 19:33

19 saldues janë certifikuar sot pas trajnimit 4 mujor nga kompania Gjermane SKK në Gjilan, kompani kjo anëtare në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Këta punëtorë, nga tani janë në gjendje që të kryejnë të gjitha llojet e saldimit dhe çdo lloj pune që i ofrojnë ofertuesit brenda dhe jashtë Kosovës.

Drejtori i kësaj kompanie, Behxhet Sahiti, tha se qëllimi i tyre i mëtutjeshëm është që numrin e punëtorëve ta rrisin në 500 vetë.

Sipas tij, të gjithë këtyre punëtorëve i është ofruar kontratë pune 2 vjeçare, ku gjatë kësaj periudhe do të kenë mundësi të punojnë brenda dhe jashtë vendit. Por, ai shprehet i bindur se edhe pas dy viteve këta punëtor do të mbesin në këtë kompani.

Sahiti: Këta punëtorë kanë kontratë 2 vjeçare me kompaninë tonë

“Këta nxënës nuk janë nxënës, por punëtorë të kompanisë sonë, këta janë punëtorët tanë. Këta do të mbesin, kanë kontraktuar me kompaninë tonë me qenë të punësuar 2 vite, pastaj shpresoj dhe jam i bindur se ata nuk do të largohen nga kompania jonë. Këta do t’i punësojmë në Kosovë, jashtë Kosovës, në perëndim. Ne na nevojiten punëtorë, saldues që dinë të saldojnë me argon, në tërë Evropën por sidomos në Kosovë, sepse këtu nuk ka pasur këso lloj certifikata”, tha Sahiti.

E zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler, tha kjo është një ngjarje e suksesshme dhe ngjarje të tilla i duhen Republikës së Kosovës sa më shumë. Sipas tij, që të përmirësohet gjendja në Kosovë duhet të përmirësohet arsimi dhe aftësimi profesional në Kosovë.

Kiesler: Duhet të përmirësohet arsimi dhe aftësimi profesional në Kosovë

“Sot kam ardhur me qejf në Gjilan, sepse gjithmonë kam dëshirë me qenë atje ku ka suksese të tilla. Kam pasur mundësi të them dhe them edhe sot se Republika e Kosovës vetëm do të përmirësohet nëse në sektorin e ekonomisë do të ketë suksese. Dhe nuk flas për institucionet shtetëror, por për sektorin privat. Unë besoj në sektorin privat të Kosovës, besoj në njerëz dhe besoj që ata kanë dëshirë të madhe të punojnë, por normalisht që kushtet për punë duhet të përmirësohen dhe për këtë është shumë i rëndësishëm që të përmirësohet arsimi dhe aftësimi profesional në Kosovë”, tha Kiesler.

Kjo kompani ka bërë të ditur se trajnimi i gjeneratave të reja do të vazhdoj me vite dhe se mbi 200 persona tani më vetëm janë duke pritur për tu trajnuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat