Sa serioze është tragjedia greke?

Ekonomi

Sa serioze është tragjedia greke?

Nga: Robert Peston Më: 18 prill 2015 Në ora: 17:05

Ashtu si 5 vjet më parë, Greqia është në prag të shpalljes së paaftësisë për pagimin e borxheve. Por, 2015 ndryshon shumë nga 2010 në një drejtim të rëndësishëm: vende të tjerë të eurozonës dhe FMN kanë dhënë sinjale se nuk do të mbërthehen nga paniku e të nxitojnë drejt një pakete të re shpëtimi.

Nëse fjalët e ministrit gjerman të Financave, Volfgang Schaeuble dhe deklaratat më eksplicite të zyrtarëve të BE shërbejnë për të treguar dicka, atëherë mund të parashikojmë se Greqia do të lihet të rropatet, gjë që do të thotë se ka shumë mundësi që – në një moment ndoshta mes majit dhe korrikut – qeveria greke nuk do të arrijë të kryejë shlyerjen e miliarda Eurove që i duhen paguar FMN, dhe/ose Bankës Qendrore Europiane, dhe/ose kredidhënësve të sektorit privat, për huatë afatshkurtëra.

Greqia duhet t’i paguajë FMN-së 200 milionë Euro në 1 maj dhe 760 milionë Euro në 12 maj, ndërkohë që Bankës Qendrore Europiane duhet t’i paguajë 6.7 miliardë Euro në qershor dhe korrik.

Dalja e Greqisë?

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që Greqia do të largohet nga Euro në momentin që nuk shlyen një prej kësteve të borxheve të saj.

Qeveria mund të ndjekë shembullin e Qipros dhe të vendosë kufizime mbi eksportin e kapitalit nga vendi, për të ruajtur sa më shumë para që të jetë e mundur në një sistem bankar i cili në fakt është shumë pranë kolapsit.

Dhe ajo mund të krijojë IOU-të (një lloj dokumenti formal që pranon borxhin) e veta, pra një lloj monedhe të brendshme paralele e cila të jetë e ndërkëmbyeshme me Euro, për të paguar punonjësit dhe partnerët tregtarë.

Në këto rrethana të zymta, nuk do të ishte vërtetë pjesë e një unioni monetar, nuk do të ishte një anëtar me të drejta të plota i eurozonës. POr do të ketë gjithësesi euron si monedhë të saj të ligjshme.

Ky do të ishte një skenar goxha i frikshëm për popullin grek – i cili për një farë kohe do të mundohej shumë për të siguruar gjërat që i nevojiten nga jashtë vendit. Dhe ndërkohë që ekonomia po ecën disi aktualisht, në rast të këtij skenari ajo do të pësonte kontraktim për një periudhë kohe, pasi bizneset dhe bankat do të pësonin kolaps.

Por, cuditërisht qeveria gjermane po thotë se përhapja e problemeve financiare në pjesën tjetër të eurozonës do të ishte e kufizuar. Gjë që mund të ngjallë shpresë, por mund të jetë dhe thjeshtë dëshirë dhe naive.

Sinjal i qartë

Sigurisht, është e vërtetë se eurozona dhe FMN mund të përballojnë humbjet e mundshme në borxhin grek.

Por nuk është ky problemi. Një faliment i Greqisë do të dërgonte sinjalin më të qartë të mundshëm se Unioni Monetar Europian ka të bëjë më shumë me volinë kombëtare, dhe jo një projekt politik për të integruar qeverisjen dhe bilancet e shteteve anëtarë.

Kështu, një largim i tillë i Greqisë rrezikon të shkaktojë një ndarje të madhe ekonomike mes veriut të pasur, Gjermanisë, Holandës, Austrisë e Finlandës dhe jugut e lindjes më të varfër – me Francën që duket se është në tokën e askujt.

Kapitali do të zhvendosej drejt veriut. Kostot e financimit për biznese dhe familjarë do të ishin përgjithmonë më të ulëta atje. Dhe veriu i pasur do të pasurohej gjithnjë e më shumë, në krahasim me jugun dhe lindjen në stanjacion.

Nëse kjo do të shkaktonte pakënaqësi në secilën anë të vijës së Alpeve, rezultati me siguri nuk do të ishte i pëlqyeshëm. /BBC / Bota.al/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat