​Vazhdojnë investimet për zhvillimin e Sistemit të Transmisionit

Ekonomi

​Vazhdojnë investimet për zhvillimin e Sistemit të Transmisionit

Më: 17 prill 2015 Në ora: 20:39

Të premten është vënë gurthemeli me rastin e nisjes së implementimit të projekteve në kuadër të “Programit IV dhe V” për zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Ceremonia është mbajtur në Nënstacionin 400/110 kV Ferizaj 2.

Gurthemelin e kanë vënë ministri për Zhvillim Ekonomik i Republikës së Kosovës, Blerand Stavileci, Ambasadorja e RF të Gjermanisë, Angelika Viets, zv.drejtori për bashkëpunim nga Zyra e BE në Kosovë, Libor Chlad, Drejtori për EJL dhe Turqi në KfË, Christoph Tiskens dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Naim Bejtullahu.

Më konkretisht, në Nënstacionin Ferizaj 2 do të instalohet Autotransformatori i dytë ATR2, me kapacitet transformues prej 300 MVA (megavolt amper) si dhe instalimi i pajisjeve të tensionit të lartë për fushat transformatorike 400 kV dhe 110 kV.

Zbatimi i këtij projekti do të ndikoj në:

• plotësimin e kriterit të sigurisë N-1 i cili përbën një nga parakushtet kryesore teknike për anëtarësim në ENTSO-E (Rrjeti i OST-ve Evropiane për energji elektrike/European Netëork Transmission System Operators-Electricity).

• ngritjen e kapacitetit të përgjithshëm transformues të rrjetit transmetues të Republikës së Kosovës për 300 MVA

• rritjen e rrjedhave të fuqisë nga niveli 400 kV në atë 110 kV në NS Ferizaj 2, duke shkarkuar ndjeshëm ngarkesën në auto-transformatorët e NS Kosova A dhe NS Prishtina 4

• ngritja e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit

Ky projekt është pjesë e Projektit “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit, Programi IV dhe V i Sektorit” i cili parasheh implementimin e 10 projekteve që mundësohen përmes kredisë komerciale afatgjate që KOSTT sh.a e ka siguruar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfË) me kushte kredituese të buta në vlerë prej € 23,5 milion nga e cila € 15,5 milion me periudhë kthyese prej 15 viteve dhe €8 milion me periudhë kthyese prej 40 viteve, si dhe financimin shtesë në formë granti nga Komisioni Evropian në vlerë prej € 7.35 milion përmes programit IPA.

Implementimi i projekteve në fjalë, që njëherit janë pjesë e Planit Zhvillimor të Transmisionit 2015-2024, do të kenë ndikim të theksuar në sigurinë, besueshmërinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit, rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese të energjisë elektrike, plotësimin e kriterit N-1 dhe ngritjen e performancës operuese të Sistemit të Transmisionit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Naim Bejtullahu theksoi: “Operimi i sigurt dhe i besueshëm i Sistemit Transmetues, është qenësor për funksionimin e tërësishëm të Sistemit Elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, prandaj u jam mirënjohës Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane e në veçanti KfË-së për mbështetjen financiare për zhvillimin dhe modernizimin e Sistemit Transmetues. KOSTT deri më tani ka siguruar tri kredi komerciale afatgjate me qëllim të financimit të projekteve kapitale, dy nga KfË dhe një nga BERZH. Qëllimi ynë është zhvillimi dhe modernizimi i Sistemit Transmetues konform standardeve dhe kritereve teknike të ENTSO-E (Organizata Europiane e Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit), e për më tepër krijimin e parakushteve për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit. Ju faleminderit për besimin”.

Ndërsa Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci theksoi “Qeveria do të mbështes gjithmonë investimet kapitale që e përmirësojnë infrastrukturën energjetike, që është edhe prioritet i saj, në kuadër të prioriteteve në këtë sektor, siç janë ndërtimi i kapacitetet e reja energjetike ashtu siç janë të parapara në Strategjinë e Energjisë”.

“Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets tha me këtë rast se vendi i saj që nga viti 1999 përmes KfË ka investuar 155 milionë euro në sektorin e energjisë, duke shtuar se ky sektor duhet të vazhdojë të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës në mënyrë që të ketë investime, ndërsa Gjermania do të vazhdojë mbështetjen e saj.”

Nënshkrimi i Marrëveshjes për Kredi me KfË është bërë me datë 23 Shtator 2013, ndërsa me 19 Mars 2015 janë nënshkruar kontratat për implementim të projekteve.

Nënstacioni 400/110 kV Ferizaj 2, është një nga nënstacionet më të rëndësishme të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës, në të cilin lidhet linja interkonektive 400 kV Kosovë-Maqedoni. Nënstacioni Ferizaj 2 është ndërtuar në vitin 2011 me bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës dhe fondet e Bashkimit Evropian.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat