Kompanitë gjermane mirëpresin punëkërkuesit kosovarë

Ekonomi

Kompanitë gjermane mirëpresin punëkërkuesit kosovarë

Më: 16 prill 2015 Në ora: 14:16

Oda Ekonomike Gjermano Kosovare dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi, për implementimin e projektit të Odës, që ka të bëjë me Arsimin dhe Aftësimin Profesional të qytetarëve të Kosovës në Gjermani.

Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, i nënshkruar nga kryetari i Odës z. Samir Krasniqi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, ka për qëllim mbështetjen e Odës në implementimin sa më efikas të projektit për Arsim dhe Aftësim Profesional në Gjermani.
Kryetari i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare z. Samir Krasniqi, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ka vlerësuar se ky projekt është i një rëndësie të veçantë, pasi u jep mundësi shumë të rinjve të Kosovës, që të shkollohen dhe punojnë njëkohësisht në Gjermani.

``Pas përzgjedhës së tyre, ata do të kenë mundësi të udhëtojnë në Gjermani dhe të jenë pjesë e punës në ndërmarrjet atje, duke përfituar përvojën më të mirë të mundshme si profesionistë të profileve të ndryshme``, tha z. Krasniqi.
Ai ka sqaruar më tej, se qëndrimi i kosovarëve në Gjermani do të jetë për 3 vjet e gjysmë dhe të njëjtit do të mund të kthehen në Kosovë, por edhe mund të përfitojnë të drejtën e tyre që të angazhohen me punë qoftë në kompanitë ku do aftësohen apo edhe në ndërmarrjet tjera gjermane.

``Sistemi i këtillë, që ndryshe quhet dual, lidhet me shkollim dhe punë praktike njëkohësisht. Të gjithë ata që do jenë pjesë e kësaj platforme, në përfundim të do të pajisen me certifikatë që do të dëshmojë arritjen kulmore të tyre në zanat të caktuar dhe e cila do të njihet ndërkombëtarisht në gjithë botën``, tha z. Krasniqi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Abrashi, e ka vlerësuar lartë këtë projekt të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, duke potencuar se ai do të ndikojë shumë pozitivisht në orientimin e mirëfilltë të punëkërkuesve kosovarë.
Ministri Abrashi e vlerësoi si një hap shumë të rëndësishëm hapjen e mundësive për të rinjtë kosovarë që të bëhen pjesë e barabartë e tregut evropian.

``Ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar për gjetjen e mundësive për punësim edhe në vendet tjera evropiane dhe më gjerë``, tha z. Abrashi.

Ai ka përgëzuar Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare për realizimin e këtij projekti, duke e quajtur shumë të rëndësishëm dhe me vlerë të madhe, që ofrohen mundësi nëpërmes iniciativave të tilla që ngrisin nivelin profesional dhe arsimor të qytetarëve të Kosovës.

Shkollimi profesional deri në përgatitjen më superiore të të rinjve të Kosovës në Gjermani, është me interes të gjithanshëm, duke filluar nga pjesëmarrësit, ndërmarrjet në Gjermani e gjithashtu edhe për ndërmarrjet në Kosovë.

Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare, pos nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për realizimin e këtij projekti, ka mbështetjen e plotë edhe të institucioneve gjermane në Kosovë dhe në Gjermani, duke përfshirë edhe Unionin e Bizneseve Shqiptare që vepron në shtetin gjerman.

Ky projekt është në vijimësi, ndërsa një numër i qytetarëve që kanë përfituar të drejtën për Arsim dhe Aftësim Profesional vitin e kaluar, është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga ndërmarrjet gjermane që i kanë angazhuar, duke shprehur gatishmërinë që të kenë në mesin e tyre edhe të rinj të tjerë nga Kosova.

Aplikimi për të qenë pjesë e këtij projekti, do të vijojë deri me datën e përcaktuar 21 prill të këtij viti, dhe janë të inkurajuar të gjithë ata që i plotësojnë kriteret e kërkuara që të futen në garë. Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare, është e interesuar thellësisht të përzgjedhë brumin më të mirë të mundshëm dhe njofton se ky projekt do të vazhdojë për çdo vit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat