​Mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni e informaliteti, pengues të investimeve të huaja

Ekonomi

​Mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni e informaliteti, pengues të investimeve të huaja

Më: 1 prill 2015 Në ora: 16:38

Ligji për investime të huaja nuk është duke u zbatuar në teren dhe ka shumë mangësi të cilat po pengojnë sjelljen e investitorëve në Kosovë. Mirëpo, ka edhe faktorë tjerë që nuk kanë të bëjnë me ligjin, e që pengojnë investitorët që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, siç janë korrupsioni, burokracia, sundimi i rendit dhe ligjit, informaliteti e pengesa tjera.

Këto vlerësime i ka nxjerr grupi punues i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri i cili ka monitoruar në teren zbatimin e ligjit për investime të huaja. Gjatë takimit të sotëm, Komisioni shqyrtoi raportin me Rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit te Ligjit për investimet e huaja, i cili u kthyer për rifreskim dhe në një takim tjetër të miratohet dhe t’i dërgohet seancës.

Kryesuesi i grupit punues Besim Beqaj tha se gjatë monitorimit të ligjit kanë gjetur se ligji nuk përmbush kërkesat e investitorëve për mbrojtje dhe përkrahje. Derisa, vërejtjet kryesore i kanë pasur tek Agjencia për Promovimin e Investimeve të huaja.

Beqaj: Gjetëm mos zbatim të ligjit për investime

“Vlerësojmë të gjithë se si e gjetur është që ka nevojë të fuqizohet KIES-a si agjencion, si agjencion dua të them hapur se është relativisht dobët i organizuar, pa ndonjë strukturë të qartë, pa staf i cili është stabil drejtori është me kontratë për ushtrim detyre, nuk kanë lista të qarta të investitorëve potencial që janë apo kanë kërkuar, nuk e kanë regjistrin e investitorëve që është dashur ta bëjë... Është konsideruar që problemi themelor është sundimi i rendit dhe ligjit, burokracia, korrupsioni, informaliteti të cilat realisht i pengojnë nga këndvështrimi i brendshëm investimet të cilat duhet të tërhiqen. Pastaj politikat fiskale, është kërkuar që të hiqet TVSH-ja për lëndën e parë”, tha Beqaj.

Edhe deputetët tjerë të Komisionit shprehen shqetësimet e tyre lidhur me të gjeturat. Deputeti i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se tatimet për t’i rritur investimet, por që nuk kanë prodhuar ndonjë efekt të madh.

Ymeri: Ulja e TVSH-së nuk rezultoi me rritje të investimeve

“Mos të harrojmë se Kosova ka bërë një ulje drastike të tatimeve në vitin 2008 nëse nuk gaboj kur ka ardhur PDK-ja për herë të parë në pushtet, me synimin për t‘i rritur investimet në përgjithësi, por nuk është se kanë prodhuar ndonjë situatë e cila na ka ndihmuar ekonomikisht...Mendoj që janë disa çështje të rëndësishme kur flasim për investime...Ministrja i përmendi disa vendime të qeverisë të cilat i kanë marrë me synim që t’i rritin investimet siç e tha edhe ministrja. Pushimet nga tatimet, ndryshimet në TVSH, ndryshimet në procedurat e mbledhjes së TVSH-së, kthimit të kësaj e kështu me radhë”, tha Ymeri.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka shprehur shqetësimin rreth Agjencisë për Promovimin e Investimeve të huaja, pasi në të punojnë persona që janë rekrutuar pa përgatitje profesionale, duke lënë jashtë magjistra të shkencave ekonomike.

Lekaj: Shqetësuese punësimi në Agjencionin për promovimin e investimeve

“Ajo që me shqetëson mua është Agjencioni KIESA që me të vërtetë kaotike, njerëzit janë rekrutuar në shpërfillje me ligjin civil. Jo periudha e mëparshme, nuk po flasim për periudhën e tashme dhe kërkoj falje, por kjo është bërë rekrutimi nga ish drejtori Valdrin Lluka, sekretarja permanente, dhe tjerët që po thuaj nuk e kanë përfillur fare ligjin mbi shërbimin civil dhe ligjin mbi investime të huaja sa i përket profesionalizmit. Mund të merren aty në vend që të pranohen me kritere të caktuara me konkurs, janë pranuar grafik, dizajn, njerëz që fare nuk kanë të bëjnë me promovimin e zhvillimeve të vendeve të punës”, tha Lekaj.

Në mbledhjen e komisionit ishte edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, e cila tha se ajo ka gjetur një gjendje të tillë kur ka marr drejtimin e ministrisë, por janë duke u munduar që përmes rrugëve ligjore të bëjnë zgjidhje. Madje, edhe ajo ka shprehur mos kënaqësinë e saj për zbatimin e ligjit për investime të huaja.

Bajrami: Nuk jemi të kënaqur me zbatimin e ligjit

“As ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e Ligjit për investimet e huaja, qysh nga ditët e para kemi mbajtur ëorkshope me të gjitha departamentet për promovim të investimeve dhe ndërmarrjeve në Kosovë...Pengesat për investime të huaja, u përmend këtu rendi dhe ligji, korrupsioni i lartë, mosekzekutimi i kontratave, pritja e gjatë e investitorëve të huaj por edhe atyre vendorë nëpër Gjykata për t’i zgjedhur kontestet që i kanë, të gjitha këto kanë kontribuar në një tren negativ që e kemi viteve të fundit. Imazhi jo i mirë për Kosovën e të tjera...Janë të gjetura që ne i kemi pritur, edhe agjencinë edhe gjithçka tjetër”, tha Bajrami.

Derisa, nuk ka shprehur kundërshtimin që Agjencia për Promovimin e Investimeve të zhvendoset në Kryeministri.

Mirëpo, pas fjalës së ministres, deputeti Besim Beqaj, i cili tha se as gjatë këtyre ditëve nuk ka aktivitet nga ministria që të rregulloj problemet e trashëguara.

Beqaj: Ministria s’po merr hapa për zgjidhjen e problemeve të trashëguar

“Ajo qe ne kemi vërejtur, mangësi, problemet që janë të trashëguara janë probleme që duhet të zgjidhen nga ministria përmes rregullave ligjore. Neve po na pengon që as këtyre ditëve nuk ka pas ndonjë aktivitet. Kur i kemi pyetur cila është lista e investitorëve të cilët kanë bërë investime, nuk kanë listë të mirëfilltë. Cila është lista e investitorëve që kanë pritur, nuk kanë listë të mirëfilltë, cilat janë problemet që janë ngritur nga ana e investitorëve si arsye, ne nuk kemi pas një listë të konsoliduar, kur kemi pyetur se çfarë është duke ndodhur me investimet në Maqedoni, dhe kjo është aktivitet i tashëm, sepse çdo ditë po thuhet nëpër medie se Maqedoni po i merr investimet...Nuk mund të rrimë spektatorë”, theksoi ai.

Grupi punues ka paraqitur edhe rekomandimet nga të gjeturat në teren. Grupi ka rekomanduar që Qeveria e Kosovës me një vendim të veçantë në rast të investimeve strategjike të sheh mundësinë të krijoj harmoni legjislative me ligjet tjera për negociata të drejtpërdrejta shumë me të shpejta, jo veprime që marrin shumë kohë, Që të mundësohen investimet strategjike, të mundësohet negocimi i drejtpërdrejt me investitorët në sektor të veçantë, Qeveria të jetësoj vendimin për pushimin e taksave për një periudhë të caktuar, kërkohet nga institucionet që të zbatohet kontratat dhe mbrojtja e investitorëve, MTI të krijoj databazë dhe informacione për investitorët, Institucionet publike në hartimin e legjislacionit të krijojnë hapësirë bizneseve Odave ekonomike për veprim, KIES-a së bashku me OEK-n duhet të bëjnë promovimin e gjykatës së arbitrazhit që ekziston në Kosovë, MTI në afat prej tre muaj të zgjedh drejtorin e KIES-ës dhe KIESA kërkohet të rrit përformancën për promovimin e investimeve.

Në këtë mbledhje Komisioni diskutoi edhe nismën e deputetes Sala Berisha-Shala për hartimin e një ligji për mbrojtjen e punëtorëve në miniera, për të cilën anëtarët morën vendim që të krijojnë një grup punues për hartimin e ligjit, në përbërje të Sala Berisha-Shala, Raif Qela, Enver Hoti. /B. Syla/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat