Sa janë shpenzimet ditore të të rinjve nga Kosova?

Ekonomi

Sa janë shpenzimet ditore të të rinjve nga Kosova?

Më: 29 mars 2015 Në ora: 13:53

Tri deri në njëzet euro është shuma që një i ri në Kosovë shpenzon gjatë ditës. Shpenzimet e tyre dallojnë nga ata që punojnë dhe nga ata, të cilët mbahen financiarisht ende nga familja.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e të rinjve se sa shpenzojnë ata dhe ku më së shumti i shpenzojnë paratë e tyre.

Adonis Reka, një i ri nga Prishtina, i papunë, thotë se mundohet që shpenzimet t’i ketë të vogla, pasi që ai paratë i merr nga familja.

“Shpenzimet e mia janë të ndryshme nga dita në ditë. Nuk shpenzoj më shumë se pesë euro në ditë. Kafe, ushqim dhe cigare pasi që e konsumoj”, tregon Adonisi.

Për të rinjtë, të cilët punojnë shpenzimet janë më të mëdha.

Drilon Potera tregon se shpenzimet ditore të tij arrijnë deri në 15 euro në ditë.

“Pasi që jam edhe i angazhuar në punë, atëherë edhe shpenzimet ditore i kam ndoshta edhe më të larta. Gjatë ditëve të punës i shpenzoj 10 deri në 15 euro, varësisht nga dita dhe angazhimet që mund t’i kem. Në ditën e premte dhe të shtunë kur zakonisht dalim me shoqëri të argëtohemi, shpenzimet janë edhe më të mëdha se 15 euro. Të dielën është ditë pushimi në shtëpi dhe harxhimet pothuajse janë minimale”, tregon Driloni.

Të rinjtë tregojnë se paratë ata kryesisht i shpenzojnë në kafeteri.

Sa shpenzojnë të rinjtë?

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, njihet si një nga vendet me restorante dhe bare të shumta.

Gati në çdo pjesë të qytetit të Prishtinës ka lokale, të cilat frekuentohen shumë nga të rinjtë. Llogaritet se vetëm në kryeqytet janë rreth 400 kafeteri.

Arlind Sinani, student në Universitetin e Prishtinës, tregon se shumën më të madhe të parave e shpenzon me shoqëri duke pirë kafe.

“Për kafe shpenzoj më së shumti, diku deri në 10 euro në ditë. Aty edhe e kalojmë kohën e lirë, në kafiteri”, thotë Arlindi.

Të ardhurat jo të mjaftueshme për familjet në Kosovë iu pamundësojnë të rinjve që të shpenzojnë para aq sa atyre iu nevojiten.

Ariana, një e re nga Prishtina, tregon se nuk ka mundësi që të shpenzojë më shumë se afër 5 euro në ditë.

“Shpenzimet e mia janë shumë më të vogla sesa nevojat. Mundohem mos të shpenzoj shumë dhe vetëm në gjërat elementare. Në ditë i shpenzoj jo më shumë se 5 euro, gjëra ushqimore dhe ndoshta një kafe në ditë jo më shumë”, shprehet ajo.

Paratë që të rinjtë i shpenzojnë brenda ditës, diktojnë edhe çmimet e produkteve të konsumit, të cilat në Kosovë vlerësohet të jenë të larta dhe që vazhdimisht nga muaji në muaj shënojnë ngritje.

Kjo ngritje e çmimeve, thotë Liridon Gashi, po u pamundëson atyre që të kenë shpenzime të vogla. Ai thotë se është e pamundur që t’ia dalësh të jetosh me pak para.

“Po ngritje të çmimeve të konsumit ka vazhdimisht dhe vështirë që mund të kesh shpenzime të vogla, pagat janë të ulëta”, thekson Liridoni.

Pagat e ulëta në Kosovë, po ashtu pamundësojnë një standard më të mirë jetësor.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është 441 euro, derisa sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 230 euro.

Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2013, rezulton se konsumi për kokë banori gjatë vitit 2013 ishte 1,402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7,625 euro, që në muaj është 635 euro. /REL/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat