Hapet panairi i ndërtimeve nga gjithë Ballkani

Ekonomi

Hapet panairi i ndërtimeve nga gjithë Ballkani

Më: 26 mars 2015 Në ora: 17:50

Kompani nga gjithë rajoni i Ballkanit janë mbledhur sot në Tiranë, për t’i dhënë jetë panairit tre ditor në fushën e ndërtimeve. Panairi u hap sot në Pallatin e Kongreseve dhe do të qëndrojë i hapur deri më datë 28 mars.

Shumëllojshmëria e gjerë dhe cilësia e lartë e ekspozuesve nga vende të ndryshme, si Shqipëria, Greqia, Kosova, Turqia dhe Italia, ofrojnë për vizitorët dhe sidomos bizneset pajisjet dhe teknologjitë më të reja në sektorin e ndërtimit.

Në ditën e parë të tij Panairi u vizitua nga Ervin Mete zëvendës ministri për Zhvillimin Ekonomik, Tregtinë dhe Sipërmarrjen të Shqipërisë, i cili përgëzoi ekspozuesit dhe organizatorët për këtë event të suksesshëm, i cili përbën një ngjarje të madhe për sipërmarrjen, pasi krijon një platformë të shkëlqyer bashkëpunimi ndërmjet sipërmarrësve të sektorit të ndërtimit në Ballkanin Perëndimor.

Zëvendësministri tha janë shlyer detyrimet që qeveria kishte ndaj firmave të ndërtimit dhe garantoi se nuk do të ketë sërish skenare të tillë vonesash.

Ervin Mete: Kemi shlyer borxhet ndaj firmave të ndërtimit, jo më vonesa

"Sektori i ndërtimit ashtu si dhe vetë ekonomia shqiptare është në një fazë rimodelimi. Ne kemi arritur të zgjidhim një nga ngërçet më problematike që ka pasur ky sektor siç ishin detyrimet e prapambetura, për punë të papaguara, ku pjesa më e madhe ishin firmat e ndërtimit. Kemi zgjidhur ngërçin e TVSH-së dhe kemi marrë masa që këto skenare vonesash të mos përsëriten. Gjithashtu jemi përpjekur që megjithëse në një fazë konsolidimi fiskal të mund të mbajmë investimet publike në një nivel optimal”, tha Ervin Mete.

Vitin e kaluar ky lloj panairi korri një sukses sa i përket numrit të vizitorëve me një total prej 6.530 vizitorë, profesionistë dhe publik i thjeshtë, nga të cilat 4.102 ishin profesionistë duke arritur në këtë mënyrë, objektivin, që Panairi të jetë qendra e Ballkanit Perëndimor në sektorin e ndërtimit.

Kategoritë kryesore të ekspozimit janë materiale ndërtimi dhe materiale termoizoluese, bojra, korniza dyersh dhe dritaresh, sisteme ngrohje/klimatizimi, ashensorë, tapete dhe veshje murale, kuzhina – banjo, materiale elektrike dhe materiale industriale./E.Duraj/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat