PTK shitet pas modernizimit

Ekonomi

PTK shitet pas modernizimit

Më: 25 mars 2015 Në ora: 13:38

Një proces të ri për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), pritet ta nis shumë shpejt Qeveria. Po kjo kompani publike nuk pritet ti hyjë këtij procesi sikur dy herët e kaluara ku edhe dështoj shitja e saj. Paraprakisht aksionari i PTK, Qeveria e Kosovës, po kërkon modernizim të kësaj ndërmarrje dhe rritjen e vlerës së saj.

Pa ndonjë bujë të madhe e në mënyrë të shkurtë ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ka prezantuar të martën para kabinetit qeveritar ofertën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për partneritet në modernizim të PTK-së.

Por në mbledhjen e zgjatur të qeverisë nuk janë dhënë detaje rreth kësaj oferte. Gazeta Fjala ka mësuar përmbajtjen e kësaj oferte në të cilën Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ata shprehur gatishmërinë të investojnë para të majme për përgatitjen e kësaj ndërmarrje për privatizim, shkruan Gazeta Fjala. BERZH-i ka shprehur gatishmërinë të jetë partner biznesi afatgjatë dhe të punoj ngushtë me menaxhmentin dhe aksionarin për modernizimin e PTK-së.

Duke prezantuar kapacitetet dhe përvojën e saj në fushën e modernizimeve të kompanive të ngjashme si PTK, BERZH ka siguruar Qeverinë e Kosovës se është e gatshme të ofroj zgjidhje fleksibile me produkte të mundshme qofshin ato hua të konvertueshme apo kredi, duke mos përjashtuar as ofrimin e granteve mbështetëse teknike para se kompani ti futet procesit të privatizimit.

BERZH-i ia ka qartësuar Qeveris së Kosovës eksperiencat e saj të ngjashme financuese në Albtelecon (Shqipëri), Telekom Srpske (Bosnje e Hercegovinë), Telekomunikacija Polska (Poloni), Matav (Hungari), Rometelecom (Romani), Bulgarian Telecommunications Company (Bulgari), Lietuvos Telekomas (Lituani) dhe Polokomtel (Poloni).

Po ashtu BERZH-i i ka bërë të qartë Qeverisë se aksesi në financim para privatizimit i hapë rrugën benefiteve përtej financimit të menjëhershëm dhe së fundi mund të rritë shanset e privatizimit të suksesshëm të PTK. Ndër benefitet që sheh Banka Evropiane Për Rindërtim e Zhvillim janë investimet afatgjate të cilat mund të sigurojnë fonde për investimet e vazhdueshme dhe përgatitjen e PTK për privatizim.

Bile prezenca e BERZH -së në fazën e para privatizimit pos sipas EBRD krijon komoditet për investitorët dhe aksionarët e rinj. Por kjo bankë evropiane ka paraparë edhe diçka. Gazeta fjala merr vesh se EBRD ka lënë të hapur mundësinë të qëndrojë si investitor pas privatizimit.

Tutje BERZH qartëson se financimin mund ta strukturoj në mënyrë fleksibile në zonat financiare si rrjet i rëndësishëm i së ardhmes i, për biznesin fiks dhe mobil apo edhe prioriteteve të tjera për investim. Nëse arrihet ujdia BERZH, do të vazhdojë të punojë me kompaninë dhe Qeverinë në çështjet kyçe strategjike, qeverisjen e korporatës, strategjitë e privatizimit dhe fushat tjera.

BERZH-i ka siguruar mbështetja teknike gjatë fazës para privatizimit në mënyrë që të ndihmojë kërkesat konkurruese në procesin e privatizimit. Bile në fund BERZH kujton se përveç të ardhurave nga shitja e PTK, duhet të ketë përpjekje për të siguruar që PTK do të mbetet një konkurrues i qëndrueshëm dhe konstruktiv, në mënyrë që të sigurojë se privatizimi lehtëson rritjen e përgjithshme dhe zhvillimin e sektorit të telekomunikacionit dhe ekonomisë më të gjerë.

Diçka të ngjashme ka paraparë edhe Strategji për Zhvillimin e Kosovës e Qeverisë. “Privatizimi i ndërmarrjeve publike duhet të ndodhë, por vetëm atëherë kur privatizimi si proces do ta maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve të tjera që ndërlidhen me privatizimin. Sa i përket privatizimit të PTK-Vala900, Qeveria do ta rishikojë strategjinë ekzistuese për privatizimin e saj. Para se të privatizohet duhet të përmirësohet performanca e kësaj kompanie, nëpërmjet një menaxhmenti efikas dhe investimeve kapitale për ta rritur aftësinë konkurruese të kësaj kompanie dhe vlerën e saj të tregut”, thuhet në programin qeverisës 2015-2018.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat