Taksë e re për rrugët me trafik, ja si përcaktohet

Ekonomi

Taksë e re për rrugët me trafik, ja si përcaktohet

Më: 25 mars 2015 Në ora: 09:18

Edhe pse ende në fazë studimore, për rrugët nacionale do të shtohet një taksë e re, e cila do të shkojë për mirëmbajtjen e tyre. Studimi i prezantuar nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u shpalos si projeksion i një harte, ku tarifa do të aplikohet në ato rrugë ku trafiku është apo do të jetë më i madh. Ndërsa, tarifa do të përcaktohet sipas llojit të automjeteve që do të qarkullojnë në këto akse.



“Sot kemi të bëjmë me një marrëveshje granti, e cila ka për synim që të realizojë një studim mbi bazën e të cilit do të kemi disa produkte të vlefshme mbi strategjinë e mëpasshme që do të kemi për tarifimin e rrugëve të Shqipërisë. Pra, ajo që do të vendoset nga ky studim do të jetë pikë reference për të ardhmen për të tarifuar një pjesë të rrugëve të vendit, pasi dhe numri i rrugëve që do të tarifohen do të jenë produkt i këtij studimi. Produkt i këtij studimi do të jetë dhe marrja në konsideratë e ndjeshmërisë së kërkesës, që do të thotë të vendoset një balancë e duhur midis të ardhurave që do të vendosen nga kjo tarifë dhe përftimeve ekonomike në kuadër më të gjerë. Po kështu produkt tjetër do të jetë edhe përshkallëzimi i këtyre tarifave sipas kategorive të automjeteve.



Ne gjykojmë se një studim i tillë është i nevojshëm para se të vijojmë më tej me përcaktimin e atyre segmenteve me programin e qeverisë. E theksoj së është në përputhje edhe me programin e qeverisë së kaluar, e cila ka qenë ajo që e ka iniciuar me programin e vitit 2013. Por është dhe në përputhje edhe me direktivat evropiane për sa i takon zhvillimit të infrastrukturës. që do të tarifohen. Kjo është në përputhje me programin e qeverisë. E theksoj së është në përputhje edhe me programin e qeverisë së kaluar, e cila ka qenë ajo që e ka iniciuar me programin e vitit 2013. Por është dhe në përputhje edhe me direktivat evropiane për sa i takon zhvillimit të infrastrukturës.



Rrugët



Sa i takon sigurimit të rrugëve, Haxhinasto tha se po detajohen të gjithë hapat për realizimin me efikasitet të tyre. “Sa i takon rrugës së Arbrit gjithçka do të rregullohet hap pas hapi. Së pari do të trajtohet në parlament një procedurë e veçantë për dhënien më koncesion të kësaj rruge. Për elemente të ndryshme, në këtë kontratë, jopërfundimtare është parashikuar një formë e re garancie, që quhet garancia e trafikut. Ajo do të jepet kur niveli i qarkullimit të automjeteve të jetë në një nivel të caktuar, që shkon te pika e kthimit të investimit për kompaninë. Zhvillimi i infrastrukturës nuk ka ngjyrë partiake.



Kemi ende nevoja shumë emergjentë për të përmirësuar dokumentet e veprave rrugore. Shqipëria ka detyrime edhe ndaj rajonit dhe Evropës. Unë shoh me optimizëm se rrjetet apo segmentet kryesore që kemi kërkuar pranë Bashkimit Evropian janë të mirëpritura. Flas këtu për korridorin Adriatiko-Jonian, pra lidhjen e pjesës veriperëndimore të Ballkanit me pjesën perëndimore të tij. Shoh me kënaqësi futjen e portit të Durrësit, si pjesë e këtij rrjeti dhe shoh futjen e Rrugës e Kombit. Jemi duke lobuar për të koordinuar dhe përfshirë të gjithë faktorët e interesuar për futjen e Korridorit 8, si pjesë e këtij rrjeti”. – tha Haxhinasto.



Studimi



I pyetur nga kryetar i komisionit, Erjon Braçe, për inventarizimin e rrugëve, Haxhinasto tha se kjo do të përcaktohet pas studimit me përjashtim të Rrugës së Kombit. “Rruga e Kombit është ne proces tenderimi, por është një rast specifik, pasi projekti i kësaj rruge nuk parashikon vetëm tarifimin por edhe investime kapitale për përfundimin e saj sepse ka nevoja shumë të mëdha për të investuar. Meqë është një rast specifik, ne nuk kemi pritur që të përfundojë studimi”- tha Haxhinasto, ndërsa shtoi se një nga produktet e këtij studimi është që të vendosë balancë midis përfitimeve ekonomike të tarifimit dhe ndjeshmërinë e ngarkesës që mund të krijonte kjo në aktivitetin ekonomik.



“Aktualisht kemi një hendek prej 80-90 milionë dollarë për të bërë investime kapitale për t’i sjellë rrugët e përfunduara, jo ato që janë në proces ndërtimi, në situatë normale mirëmbajtjeje. Ndërsa nevojat për mirëmbajtje periodike dhe rutinë janë në nivele shumë të mëdha dhe ne na duhen për mirëmbajtejn e tyre rreth 40 milionë euro në vit. Të ardhurat do të jenë pjesë e këtij fondi për financimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve”. Ndërsa pyetjes së deputetit Andrea Marto për mundësinë e tarifimit me kushtet aktuale të rrugëve për të dhënë akse konkrete, ministri Haxhinasto tha se ka ide dhe parashikime por ato do të konfirmohen në fund të studimit. “Aty ku ka një qëndrueshmëri dhe aty ku nuk do të ketë rëndesë për shfrytëzimin normal të segmentit, aty normalisht do të vendoset tarifa. Sot ne mund të hedhim hipoteza dhe duhet të presim që rezultati i studimit të nxjerrë segmentet përfundimtarë ne tarifim”- tha Haxhinasto.



Flisni për studim, por keni avancuar në praktikë



Deputetët e opozitës kanë ngritur shqetësime për vendosjes së taksës së re të rrugëve, mënyrën se si do të aplikohet dhe periudhës kur aplikohet kjo tarifë, pasi sipas pretendimeve të tyre ajo vjen në një kohë kur ekonomia është në ngërç.



Spaho: Ne pak a shumë e njohim inventarin e rrugëve në Shqipëri, veçanërisht Rrugën e Kombit, e cila është hedhur me koncesion për mirëmbajtjen e investimet dhe duke supozuar aksin Tiranë-Elbasan, cilat kategori të tjera të rrugëve, priten të hynë në tarifim.



Haxhinasto: Në mënyrë apriori do të jenë ato rrugë që kanë nivel trafiku të mjaftueshëm apo të lartë.



Shehu: Ju sot na sillni një grant që do të bëhet një studim, ndërsa unë kam dy shqetësime sepse ju vini kërkoni mandatin për të bërë studime, kur në fakt keni shpallur një koncesion për Rrugën e Kombit dhe përveç kësaj ministri i Financave ka filluar fushatën për rrugën e Arbrit, që ajo do të jetë me koncesion. Ju sillni një studim, kur në praktikë jeni më të avancuar.



Haxhinasto: Sa i takon shqetësimit tuaj se pse në disa segmente kemi nevojë për koncensionarë, për shembull për Rrugën e Kombit nuk kemi një përcaktim tipik siç parashikohet në këtë studim pasi ai ka nevojë për investime të mëdha kapitale. Po kështu edhe për rrugën e Arbrit.



Shehu: “Objektivat do të vendosen në nivel strategjik dhe do të përfshijnë përcaktimin e qëllimit të vënies së taksës”. Më thoni pse duhen harxhuar pará për përcaktimin e qëllimit të vënies së taksës. Kjo më bën përshtypje.



Haxhinasto: Kjo taksë do të parashikojë se si do të përdoret. Në aspektin linguistik, në qoftë se ka paqartësi, besoj se kjo e sqaron.



Bode: Tarifimi i rrugëve më duket vetëm etje e qeverisë për të shtuar taksa. Në qoftë se i referohemi buxhetit të vitit të kaluar dhe aktual , jemi në një situatë ku deficiti i buxhetit është dukshëm më i lartë nga vëllimi i investimeve. Për herë të parë pas më shumë se 20 viteve, në vitin 2014 fluksi i kredive të kryera dhe pagesa për kreditë e kryera është negative.



Studimi



Kjo marrëveshje granti e nënshkruar mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administratore e fondeve grant, të siguruara BERZH-i me burimet e veta me fondin e veçantë të aksionerëve ka për qëllim krijimin e një strategjie për tarifimin rrugor në Shqipëri. Projekti u prezantua nga relatori i komisionit, Ervin Koçi, i cili tha se ajo është nënshkruar në 29 nëntor të vitit 2014 dhe shqyrtohet nga komisioni, mbështetur në nenet 32 dhe 38 të rregullores së Kuvendit. “Rrjeti rrugor në vendin tonë përbëhet nga 18 mijë kilometra rrugë, nga të cilat 3740 km janë rrugë kombëtare.



Ai administrohet nga Autoriteti Rrugor shqiptar dhe mirëmbajtja e tyre, aktualisht realizohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit, të cilat janë të kufizuara. Për të krijuar burimin e nevojshëm të financimit të rrjetit të mirëmbajtjes së kodit rrugor, lind nevoja për futjen e sistemit të tarifave rrugore. Ndërtimi i këtij sistemi tarifash kërkon hartimin e strategjive përkatëse, ku duhen kryer analiza të përgjithshme, të identifikohen rrugët ku do të aplikohet tarifa dhe llojet e mjeteve që do të qarkullojnë në këto rrugë si dhe kohëzgjatjen dhe strukturën e tarifave. Me anë të kësaj marrëveshjeje, BERZH-i jep një fond grant, në shumën 149 mijë euro, e cila do të përdoret për hartimin e strategjisë për tarifimin rrugor”, - tha Koçi./shekulli

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat