Bankat ndërkombëtare në garë për kredinë 250 mln € të Shqipërisë

Ekonomi

Bankat ndërkombëtare në garë për kredinë 250 mln € të Shqipërisë

Më: 24 mars 2015 Në ora: 16:14

“Deutsche Bank” dhe “Credit Suisse” janë dy nga bankat që kanë shprehur interes për të financuar borxhin prej 250 milionë euro që qeveria kërkon të marrë me garancinë e Bankës Botërore.

Veç tyre, janë dhe një sërë bankash të njohura europiane, të cilat duket se do të hyjnë në garën për të kredituar qeverinë shqiptare, raporton "Top-Channel".

Ministria e Financave ka bërë një njoftim zyrtar në mediat ndërkombëtare dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 1 prill. Burime nga kjo Ministri shprehen optimistë, se procesi do të përfundojë me sukses, pasi situata në tregje është pozitive.

Shqipëria nuk është vendi i parë në rajon, që del në tregjet ndërkombëtare me garanci të Bankës Botërore. Dy vitet e fundit, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë bërë të njëjtën gjë. Vitin e kaluar, qeveria malazeze mori 100 milionë euro borxh të garantuara nga BB, me interes 4 për qind.

Banka që fitoi ishte “Credit Suisse”, e cila duket se do të garojë edhe për kredinë e qeverisë shqiptare. Ministria e Financave synon që i gjithë procesi i i dorëzimit të ofertave dhe vlerësimit të tyre të përfundojë brenda muajit të ardhshëm, ndërsa kredia të bëhet efektive që nga muaji maj.

Shuma prej 250 milionë eurosh, që qeveria do të marrë borxh nga privatët përmes këtij instrumenti, do të përdoret për financimin e defiçitit buxhetor. Veç 250 milionë eurove të garantuara nga Banka Botërore, qeverisë do t’i duhet këtë vit të rinovojë edhe 300 milionë eurot e tjera eurobond, të marra në vitin 2010.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat