Oda gjermane viziton bizneset llapjanë

Ekonomi

Oda gjermane viziton bizneset llapjanë

Më: 6 mars 2015 Në ora: 17:25

Bizneset Llapjanë kanë marrë premtime për mbështetje nga ana e Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë (OEGJK). Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare z. Samir Krasniqi, në një takim me biznesmenët llapjan, u ka premtuar atyre mbështetje të vazhdueshme për ecurinë sa më të mirë të punës së tyre.

Ai, gjithashtu ka thënë se rritja e OEGJK-së me anëtarë të ri është vlerë e shtuar e ndërmarrësish kosovare, pavarësisht ku ata veprojnë, në Kosovë apo në Gjermani. Kjo është bërë e ditur në një komunikatë të OEGJK-së.

Megjithatë ai ka thënë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se mund të bëhet shumë më tepër.

‘‘Ne mund të bëjmë edhe më shumë për sjelljen e bizneseve gjermane në Kosovë‘‘, tha Krasniqi.

Ai tha se ka akoma ka shumë vend për vetëkritikë dhe nevojitet fokusim i qartë, qoftë në problemet që e rëndojnë biznesin qoftë në mundësitë e zgjerimit të tij, për të arritur rezultatet e dëshiruara.

Zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Matthias Kiesler, i pranishëm në takimin me afaristët e Komunës së Podujevës, tha se është shumë e rëndësishme të dilet në terren, kështu siç bënë Oda Ekonomike Gjermano - Kosovare, për të bashkëbiseduar me afaristët dhe për të njohur problemet e tyre praktike.

‘‘Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare, duhet të jetë një zë i fortë për ndërmarrjet sepse zhvillimi ekonomik është i një rëndësie shumë të madhe për Kosovën‘‘, tha Matthias Kiesler.

Ai ka vlerësuar lartë punën e bizneseve në Kosovë, duke e cilësuar si katalizatorin kryesor për zbutjen e lartë të papunësisë.

Zëvendës ambasadori i Gjermanisë, ka porositur ndërmarrësit e Podujevës që të jenë të guximshëm në veprimet e tyre dhe të mos lënë vetëm në letër idetë që kanë për biznesin. Ai ka thënë se Gjermania mbetet mike shumë e mirë e Kosovës dhe këto marrëdhënie të mira, i forcon edhe më shumë Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës z. Nexhmi Rudari, ka shpalosur planet e kësaj komune për të ndihmuar bizneset në afarizëm më të mirë. Ai ka thënë se me kapacitetet maksimale që ka komuna, do të vazhdojnë të mbështesin gjithë sektorin ekonomik të kësaj treve. Rudari, ka përmendur se gjatë vizitës së ditë mëparshme që kishin si komunë në Gjermani, ka parë interesim të shtuar të ndërmarrësve gjerman për të investuar në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së, Azem Rexhaj, ka folur shkurtazi për historikun e Odës, duke ritheksuar se dyert e saj do të jenë të hapura për të dëgjuar dhe ndihmuar të gjitha bizneset në Kosovë, me qëllim rritjen e volumit të punës së tyre. Ai po ashtu ka shtuar se OEGJK, është në kontakt të vazhdueshëm me partnerë biznesor gjerman për t’i sjellë investimet e tyre në vend.

Në këtë takim, janë biseduar edhe shumë çështje dhe preokupime të ngritura nga biznesmenët llapjan, si dhe është shprehur gatishmëria e tyre për të qenë anëtarë të Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare./kp/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat