Ekonomia në vështirësi, bizneset po shlyejnë detyrimet informale jo bankat

Ekonomi

Ekonomia në vështirësi, bizneset po shlyejnë detyrimet informale jo bankat

Më: 2 mars 2015 Në ora: 17:45

Edhe pse qeveria po shlyen borxhet ndaj bizneseve kjo nuk po reflektohet në sistemin bankar. Sipas ish-Ministrit të Financave, Arben Malaj, bizneset po shlyejnë si fillim detyrimet që kanë ndaj kompanive të tjera, prandaj një gjë e tillë nuk është reflektuar në uljen e kredive me probleme.
Tiranë-Shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit nuk po jep efekt në uljen e kredive me probleme.
Kjo sipas ish-Ministrit të Financave, Arben Malaj, po ndodh sepse kompanitë po shlyejnë si fillim detyrimet ndaj kompanive të tjera.
Sipas Malaj në lidhje me këtë situatë duhet të bëhen disa analiza për të vlerësuar situatën.
“Duket se treguesit e kredisë së keqe nuk janë ulur. Ndoshta misioni i ardhshëm i FMN-së do kërkojë të bëjë një analizë më të plotë të impaktit të pagesave të prapambetura ku ato u përdorën.
Ndoshta kompanitë kanë pasur shumë detyrime me njëra-tjetrën, kanë pasur detyrime me organet tatimore apo sigurimet shoqërore dhe natyrshëm pjesa e mbetur për të shkuar në shlyerje të kredisë ka qenë relativisht e vogël dhe nuk ka ndikuar në uljen e nivelit të kredive të këqia”.
Ish-Ministri i Financave shpjegon se mos-shlyerja e detyrimeve ndaj bankave është një tregues se ekonomia është në stanjacion.
“Pagimit në kohë të detyrimeve mes kompanive dhe për reduktimin e riskut të krijimit të detyrimeve të prapambetura në nivel ekonomie. Ka vend për një harmonizim më të mirë, por thelbi për të ulur kreditë e këqia nuk është vetëm mbledhja e tyre, por sidomos gjallërimi i ekonomisë. Në një ekonomi të gjallëruar kompanitë do kenë më shumë të ardhura dhe shlyerja e detyrimeve do të jetë më e mundshme”.
Ministria e Financave ka paguar deri në javën e tretë të muajit shkurt 2015, rreth 40.5 miliardë lekë për të gjitha kategoritë e përfshira në Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura.
Proçesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat