Prodhuesit apo tregtarët më të favorizuar?

Ekonomi

Prodhuesit apo tregtarët më të favorizuar?

Më: 1 mars 2015 Në ora: 13:08

Shoqatat ekonomike në Kosovë po kritikohen nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të kompanive se nuk po mbrojnë aq sa duhet interesat e bizneseve prodhuese.

Deri më tani, thonë ata, këto shoqata ekonomike në Kosovë nuk kanë arritur që t’i shtyjnë autoritetet e Kosovës të miratojnë pako fiskale, të cilat do të ishin në favor të prodhuesve dhe jo tregtarëve.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se është mjaft shqetësues fakti kur shoqatat ekonomike më shumë ngrenë zërin për mbrojtjen e interesave të bizneseve tregtare, sesa për ato prodhuese.

“Fatkeqësisht, sektori më i zhvilluar në Kosovë është sektori i tregtisë dhe jo siç do të duhej të ishte sektori i prodhimtarisë. Dhe, kjo po reflektohet edhe te përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe anëtarët që ata i kanë, e që kryesisht janë kompani tregtare të fuqishme, të cilat në fakt i mbrojnë interesat e tyre më tepër sesa kompanitë prodhuese”, thotë Gashi.

Një fatkeqësi tjetër, sipas Gashit, është se përfaqësuesit e biznesit kanë qenë më të afërt me politikën sesa që kanë qenë të afërta me kompanitë prodhuese, gjë që, siç thekson Gashi, ka dëmtuar interesat e këtyre të fundit.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike në Kosovë. Kjo kompani ka të punësuar mbi 60 punëtorë.

Pronari i saj, Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është i kënaqur me punën e shoqatave ekonomike.

“Numri i madh i këtyre odave dhe shoqatave, mjaftueshëm nuk e justifikon punën e tyre, por edhe ne si prodhues nuk jemi unikë në çështjen e këtyre problemeve. Shpeshherë dinë t’i adresojnë këto probleme, por jo deri në zgjidhjen e tyre. Dhe, mund të them se nuk jemi të kënaqur me këto shoqata që përfaqësojnë bizneset, në veçanti ato prodhuese”, shprehet Palushi.

Palushi tregon se shoqatat më shumë kanë folur për problemet e prodhueseve sesa që kanë arritur t’i zgjidhin.

Në Kosovë veprojnë disa shoqata ekonomike që për mision kanë mbrojtjen e bizneseve. Oda Ekonomike e Kosovës, ajo Amerikane, Oda Gjermane, Oda Tregtare Turke dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, janë disa nga shoqatat ekonomike që veprojnë në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, nuk pajtohet me atë se mbrojnë më shumë bizneset tregtare sesa ato prodhuese. Ai kujton se si shoqatë ekonomike vazhdimisht i ka mbrojtur interesat e prodhuesve.

“Gjatë gjithë viteve që kur ekziston Aleanca Kosovare e Biznesit e këndej, asnjë aktivitet nuk e ka pasur që promovon ndonjë prodhim të huaj apo ndonjë kompani tregtare, përveç kompanive prodhuese vendore”, thekson Shahini.

Nga 10.600 anëtarë sa ka Aleanca Kosovare e Biznesit, tregon Shahini, mbi 70 prej tyre janë biznese përpunuese dhe prodhuese.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të kompanive prodhuese thonë se kjo mosmbrojtje e duhur nga shoqatat ekonomike paraqet një të metë për prodhimin vendor, pasi që, siç thonë ata, zëri i tyre nuk po dëgjohet nga Qeveria apo nga organet vendimmarrëse.(REL)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat