Kandaja premton ndihmë për fermerët

Ekonomi

Kandaja premton ndihmë për fermerët

Më: 30 janar 2015 Në ora: 18:12

Deficiti i madh tregtar që ka Kosova në produktet e qumështit, krijon hapësirë të madhe të rritjes së këtyre kapaciteteve .

Deficiti i madh tregtar që ka Kosova në produktet e qumështit, krijon hapësirë të madhe të rritjes së kapaciteteve në prodhimtarinë e qumështit por edhe në zhvillimin e sektorit të qumështit në Kosovë, ka thënë ambasadorja e Kanadasë në Prishtinë, Louise LaRocque, në tryezën me temën zinxhiri i vlerës në sektorin e qumështit në Kosovë, e organizuar sot në Vushtrri, nga Iniciativa për zhvillimin e bujqësisë së Kosovës IADK, ku morën pjesë fermerë prodhues të qumështit, përfaqësues të Ministrisë së bujqësisë, përfaqësues të qumështoreve dhe institucioneve tjera, raporton portali veriu.info.

Duke ju drejtuar prodhuesve të qumështit në Rajonin e Mitrovicës, shefja e diplomacisë kanadeze në Prishtinë, LaRocque, ka thënë se Kanadaja e ka shumë të zhvilluar sektorin e qumështit dhe është e interesuar që atë përvojë ta bartë tek fermerët kosovarë. Ajo tha se është e kënaqur me pjesëmarrjen e grave dhe profesionalizmin dhe përkushtimin e IADK-së në implementimin e këtij projekti të financuar nga Ambasada kanadeze.

Edhe drejtori i IADK-së Zenel Bunjaku, specifikoi se Kosova ka deficit të madh tregtar në sektorin e qumështit. “Në vitin 2013 Kosova ka importuar produkte në sektorin e qumështit në vlerë prej 38 milion e 260 mijë euro, derisa ka eksportuar vetëm 134 mijë Euro, e ka një bilanc negativ prej 38 milion e 126 mijë Euro”, ka thënë Bunjaku.

Por përveç hapësirës që eksiton në zhvillimin e këtij sektori, Bunjaku ka përmendur edhe sfidat me të cilat po përballen fermerët si, nevoja për rritjen e cilësisë së qumështit, reduktimi i sasisë së grumbullimit të qumështit nga qumështoret që po shkakton probleme të mëdha te fermerët, konkurrenca jo formale si dhe pjesëmarrja në treg e prodhuesve jo formal që shesin produktet derë më derë.

Përmes projektit të qeverisë kanadeze, Bunjaku tha se synohet rritja e rolit të grave të zonave të largëta malore në sektorin e qumështit, ku përveç trajnimeve në menaxhimin e fermës, trajnime në përpunimin e produkteve të qumështit, 30 gra kanë marrë makina mjelëse si dhe pako higjienike për ngritje të cilësisë së qumështit.

Po ashtu edhe fermerët kanë theksuar se njëra prej sfidave kryesore është çmimi jo konkurrues i grumbullimit të qumështit, reduktimi i sasisë së grumbullimit të qumështit nga qumështoret që po shkakton probleme të mëdha te fermerët, si dhe mos shpërndarja e komplet subvencioneve për vitin e kaluar nga ministria e bujqësisë.

Ndërkaq përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë kanë theksuar se përveç pagesës së subvencioneve të vitit të kaluar pas datës 15 shkurt të këtij viti, për këtë vit ministria ka rritur fondin e subvencioneve por edhe të granteve. “Për këtë vit ministria ka rritur fondin e subvencioneve por edhe të granteve të cilat janë në vlerë prej 52 milion eurove”, ka thënë Bajram Imeri përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë.

E Nazmi Rapuca, nga projekti i transparencës dhe kualiteti i qumështit, tha se konsumatorët duhet të konsumojnë produktet vendore të qumështit jo për shkak të patriotizmit por për shkak të cilësisë dhe sigurisë së produkteve vendore të qumështit në Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat