MBPZHR jep 1,000 euro për një hektar vreshta

Ekonomi

MBPZHR jep 1,000 euro për një hektar vreshta

Më: 30 janar 2015 Në ora: 17:30

Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë për vreshtarët do të vazhdojë edhe sivjet. Përmes pagesave direkte në vlerë prej 1,000 eurosh për çdo hektar të mbjellë, si dhe përmes granteve, kjo ministri synon shtimin e sipërfaqeve me vreshta të reja dhe rritjen e prodhimit në këtë sektor.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi për këtë dhe shumë çështje tjera që ndërlidhen me këtë sektor ka diskutuar me përfaqësuesit e Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, me ç’rast ai i ka njoftuar ata më hollësisht për programin e kësaj ministrie për sektorin e vreshtarisë për këtë vit.

Krasniqi tha se Kosova ka kushte agroklimatike shumë të mira për zhvillimin e sektorit të vreshtave. Ai shtoi se sektori i vreshtarisë dhe prodhimit të verës është një prej sukseseve më të mëdha në fushën e bujqësisë, ku prodhimet e këtij sektori tashmë kanë gjetur vend edhe në tregjet evropiane.

Ministri ka theksuar se pagesat direkte në vlerë prej 1,000 eurosh për një hektar të mbjellë janë më të lartat në rajon, si dhe shtoi se MBPZRH-ja do të ketë fokus edhe mbështetjen e vreshtarëve në modernizimin të infrastrukturës përcjellëse në vreshta dhe zgjerimin e sipërfaqeve me vreshta.

Afrim Sharku, kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të këtij sektori.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat