Kush ishte fituesi i 500 mijë eurove i Lotarisë së Kosovës?

Ekonomi

Kush ishte fituesi i 500 mijë eurove i Lotarisë së Kosovës?

Më: 23 janar 2015 Në ora: 16:05

Nata e Vitit të Ri ia ndryshoi rrjedhën e jetës një kosovari, por fatlumit që fitoi mbi gjysmë milion euro me shtatë të qëlluara nuk i dihet emri.

Në xhiron 104 të lotarisë që është mbajtur natën e Vitit të Ri, në Lotarinë e Kosovës ka pasur një fitues me shtatë të qëlluara dhe shuma e fituar ka qenë në total 555,289.98 euro.

Mirëpo, ajo çfarë ende nuk dihet është emri i fituesit të lotarisë dhe asnjë detaj për të megjithëse janë bërë gati një muaj që kur është shpallur rezultati.

Lotaria e Kosovës ende nuk ka dalë me të dhëna rreth identitetit të personit në fjalë përveç që ka publikuar informacionin se më 31 dhjetor 2014 ka pasur një fitues me shtatë të qëlluara i cili ka fituar shumën e cekur më lartë.

Bashkim Sllamniku, drejtor në Lotarinë e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se arsyeja pse deri më tani nuk është publikuar emri është për shkak që personi fitues ka kërkuar që të mbetet anonim.

Arsyeja pse ai kërkuar një gjë të tillë, sipas Sllamnikut, është për shkaqe sigurie.

“Emri nuk është publikuar sepse ka ai ka të drejtë të mbetet anonim”, ka thënë Sllamniku.

Sipas tij, e drejta për të mbetur anonim garantohet sipas rregullave rajonale dhe evropiane të Lotarisë të cilat ai thotë se i zbatojnë të gjitha Lotaritë.

Ai thotë se interesi i Lotarisë së Kosovës ka qenë për ta publikuar emrin mirëpo duke u bazuar në rregullat e lotarive, atyre u duhet të respektojnë dëshirën e personit për të mbetur anonim.

Ai thotë se Ligji nuk e rregullon një gjë të tillë por janë vetëm rregulla të Lotarive që aplikohen në rajon dhe Evropë.

Sipas Sllamnikut, nuk është hera e parë që një person që fiton shuma të mëdha nuk dëshiron t’i publikohet emri.

Një gjë e tillë thotë të ketë ndodhur edhe në raste tjera në Lotarinë e Kosovës për të njëjtën arsye, për shkaqe sigurie.

Ndërkaq, Valentina Bytyqi, zyrtare për informim në Administratën Tatimore të Kosovës ka thënë se deri më tani, nga Lotaria e Kosovës ata nuk kanë pranuar ndonjë raport të veçantë për personin i cili ka fituar më 31 dhjetor 2014, përveç raportit zyrtar ku shihet se me 7 të qëlluara ka një fitues.

Edhe ajo tha se personi që ka fituar, ka kërkuar që të mos i publikohet identiteti.

“Ne si ATK nuk kemi të drejtë të bëjmë të ditur emrin, pasi që kjo konsiderohet konfidenicale në bazë të legjislacionit tatimor, veç asaj që personi në fjalë ka kërkuar nga lotari që të mos i bëhet i ditur identiteti”, tha Bytyqi.

Ajo tha se ATK është në kontakt të vazhdueshëm me Lotarinë e Kosovës, dhe janë duke pritur raportin përfundimtar, pasi që sipas saj, 60 ditë është afati kohor për ta transferuar tërë shumën e fituar nga Lotaria e Kosovës.

Ajo tha se fituesi është i obliguar që nga shuma e përgjithshme të paguaj 10 për qind tatimit në fitim. /kallxo.com/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat