Shërbimet në banka shumë të larta, vlerësojnë qytetarët

Ekonomi

Shërbimet në banka shumë të larta, vlerësojnë qytetarët

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 21:56

Çmimet që duhet t'i paguajnë klientët për shërbimet e bankave janë të larta në Kosovë, në krahasim me të ardhurat të cilat i kanë.

Këto pagesa që duhet t'i bëjnë, po cilësohen të paarsyeshme nga qytetarët.

"Për kushtet tona ekonomike për të ardhurat tona të fëmijëve në të vërtetë janë të larta, po këtu duhet me u ndërmarrë diçka", thotë një qytetar.

"Po unë mendoj se janë shumë të shtrenjta çmimet e shërbimeve bankare, sidomos për mu që e kom profesionin si student, duke marë parasysh që gjithmonë më bjen me e pagu semestrin...", thotë një student.

Zyrtarë të shoqatës së bankave thonë se çmimet i përcaktojnë vetë bankat sipas konkurrencës mes tyre. Por, sipas tyre, ekziston alternativa tjetër, ajo e shërbimeve elektronike ku bankat kanë investuar shumë kohët e fundit, e që sipas tyre janë më të lira.

Petrit Balija, kryetar i Shoqatës së Bankave, thotë se çmimet që ju i përmendni, bankat i shohin si të arsyeshme. "Për arsye se në shërbimet fizike thuhet që ka një kosto shumë më të lartë të ofrimit të shërbimit se sa shërbimet elektronike. Ekziston alternativa do të thotë nuk ke nevojë me e pagu 1 euro e gjys ose sa është tarifa nëse është e lartë, mund të përdoret shërbimi elektronik që është shumë më e lirë".

Por njohës të çështjeve bankare thonë se duhet të bëhet dallimi ndërmjet shërbimeve komerciale dhe atyre të domosdoshme, të institucioneve publike për të cilat duhet paguar nëpërmjet bankës.

Nexhat Kryeziu, njohës i çështjeve bankare, thotë se "unë e kisha bërë një pyetje në këtë rast, a ka mundësi një qytetar me e pagu, faktikisht me apliku për letërnjoftim edhe me e pagu me ebanking, me e kry një shërbim të tillë. Unë nuk besoj që është e rregulluar hala. Një opsion mund të jetë që institucionet publike, që kërkojnë që shërbimet e tyre të paguhen përmes bankave komerciale, të bëjnë marrëveshje".

Kjo marrëveshje, sipas Kryeziut, do të mundësonte dhe të gjendej forma që të zbriten çmimet e shërbimeve të bankave për institucionet publike të cilat nuk kanë krijuar kushte që të bëhen pagesa te ato.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat