Kompania amerikane oferton për ndërtimin e termocentralit

Ekonomi

Kompania amerikane oferton për ndërtimin e termocentralit

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 17:15

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, e cila është udhëheqëse e Komitetit Drejtues të Projektit (KDP) TC “Kosova e Re”, sot është bërë pranimi i ofertave të investitorëve të parakualifikuar.

Sipas një njoftimi për media, ofertën e ka dorëzuar investitori i parakualifikuar Contour Global nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komiteti Drejtues i Projektit (KDP), nën udhëheqjen e ministrit Blerand Stavileci, ka mbajtur pastaj takim në të cilin pjesëmarrësit u njoftuan për procedurën e dorëzimit të ofertave nga investitorët.

“Forma e vetme për të siguruar furnizim të mjaftueshëm me energji për qytetarët tanë është përmes ndërtimit të këtij termocentrali. Ndërtimi i tij, do të sigurojë furnizim me energji elektrike nga prodhimi ynë, do t’i eliminojë reduktimet dhe zvogëlojë importin e energjisë elektrike, do të krijojë mundësi për mbylljen e Termocentralit “Kosova A” dhe do të ndikojë edhe në përmirësimin e mjedisit, sepse do të ndërtohet me teknologjinë më moderne”, tha ministri Stavileci.

Contour Global, që ka seli në Nju Jork është zhvillues dhe operator i ndërmarrjeve të energjisë elektrike dhe të ngrohjes. Contour Global ka në pronësi, menaxhon dhe operon një portofol prej 41 termocentraleve, me një kapacitet të instaluar prej 3,718 MË në operim dhe duke u ndërtuar. Portofoli i Contour Global shtrihet në 17 shtete dhe 4 kontinente.

Oferta teknike do të vlerësohet në formë të pavarur nga Këshilltarët e Transaksionit, Këshilltarët Strategjik dhe Komisioni Vlerësues ndër-institucional. Lidhur me hapat e tjerë në projekt, MZHE do ta informojë me kohë opinionin publik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat