BE nuk di si t’i investojë 1300 miliardë euro!?

Ekonomi

BE nuk di si t’i investojë 1300 miliardë euro!?

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 13:26

Evropa dëshiron të investojë për të krijuar vende pune. Se si do të funksionojë kjo është çështje e diskutueshme.
“Më duhen paratë dhe jo fjalët”, u thotë Jean-Claude Juncker – presidenti i Komisionit të BE-së – kryetarëve të shteteve dhe të qeverive që u mblodhën të enjten në Samitin e Dimrit në Bruksel.

Juncker bën reklamë për fondin e tij të investimeve, që duhet të përfshijë 315 miliardë euro. Meqë shtetet anëtare kanë shprehur shumë dëshira në lidhje me fondet dhe financimin e projekteve, por nuk kanë bërë deri tani premtime konkrete për angazhimet e tyre për fondin, Jean-Claude Juncker është pak i nervozuar.

“Ne do të mbulohemi nga miliarda euro, sikur të gjithë ta bëjmë atë për të cilën flasin”, tha presidenti me ironi në Parlamentin Evropian.

28 shtetet anëtare të BE kanë paraqitur gjithsej 2000 projekte për financimin nga fondin e Junckerit, ee të gjitha të bashku do të kushtonin1300 miliardë euro. Por, shumë nga projektet janë autostrada, ura, apo shkolla, pra investime që bien brenda kompetencave të shtetit. Investitorët privatë, që do të kontribuojnë me rreth 250 miliardë për fondet, është shumë e vështirë të gjenden.

Juncker porosit që të kihet kujdes nga projektet e betonit.

“Jo të ndërtojmë katedrale të reja! Sepse qe tani kemi problem t’i mbushin kishat me besimtarë. Jo tunele të reja duke shpuar malet, që gjithsesi kapërcehen edhe në mënyra të tjera. Projekte me kuptim! Jo thjesht projekte për të patur projekte”.

Disa shtete anëtare duan që, nëse japin para, të arrijnë që me to të financohen projektet në vendet e tyre. Komisioni i BE-së e refuzon këtë. Ai do që një panel ekspertësh nga Banka e Investimeve Evropiane në Luksemburg të shqyrtojë projektet dhe të zgjedh pa presionin politik nga ana e shteteve anëtare.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e mbështeti në parim këtë kurs në deklaratën e saj për samitin. Por, qeveritarët gjermane deklaruan në Bruksel se hartimi i fondeve nuk është urgjent. Në mesin e vitit 2015 do të jetë gati buxheti i ri i Junckerit.

Ekonomisti Daniel Gros nga “Qendra për Studime të Politikave Evropiane” në Bruksel ka dyshime të forta se fondi do të funksionojë me të vërtetë.

“Është shumë e dyshimtë se çfarë interesi do të kishte një shtet anëtar, si Gjermania dhe Franca, që të thonë: ne japim këtu garancitë për projekte, për të cilat nuk mund të gjykojmë vetë, të cilat nuk mund t’i kontrollojmë vetë dhe për të cilat kemi dyshime, nëse ia vlejnë”, thotë Gros.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, përgjegjës për euron dhe çështjet ekonomike, Valdis Dombrovskis, tha pak para fillimit të samitit se shpreson që krerët e shteteve ta miratojnë fondin e investimeve.

“Por rregullat e borxhit nga pakti i stabilitetit do të mbeten. Ne nuk duam të ndryshojmë marrëveshjet, por t’i bëjmë më fleksibile”, tha Dombrovskis në një diskutim në institutin e studimeve “Lisbon Council” në Bruksel.

Komisioni i BE-së e ka shpallur programin e investimeve projektin e tij më të rëndësishëm për vitet e ardhshme. Ai duhet të tërheqë në rradh të parë investitorët privatë. Me një euro kapital shtetëror, Jean-Claude Juncker synon të tërheqë 14 euro kapital privat. Ky mekanizëm është vendimtar, thotë ai.

“Pra mendoj se është me mend që paratë nga buxheti i BE-së t’i kalojmë në drejtim të investimeve dhe të kujdesemi për të siguruar investime në ekonominë reale”.

Ky ekuacion nuk mund të funksionojë, kritikoi eksperti për ekonominë nga Brukseli, Daniel Gros. Kompanitë private nuk hezitojnë të investojnë, sepse nuk ka mundësi të mjaftueshme financimi.

“Ka një përmbytje kapitali në Evropë. Kjo shihet në normat jashtëzakonisht të ulëta të interesit jo vetëm për shtetet, por edhe për firmat. Të gjitha kompanitë e mëdha, që zakonisht kanë projekte të mëdha, mund të marrin sa të duan para në tregun e kapitalit. Dhe, nëse nuk e bëjnë, atëherë kjo ka arsyet e veta”, thotë Daniel Gros.

Për shumë projekte thjesht nuk del llogaria, ato nuk u sjellin sipërmarrësve fitim. Projektet e tjera bëhen aq të pasigurta përmes procedurave të licencimit apo burokracisë, prandaj firmat u rrinë larg.

“Këto të gjitha janë probleme, që BE-ja nuk mund t’ zgjidhë”.

Jean-Claude Juncker do që programi i investimeve të ushtrojë edhe ndikimin e tij psikologjik dhe të përcjellë mesazhin: Evropa do t’ia arrijë! Këtë shefi i ri i Komisionit e kishte shpallur që katër javë më parë. Tani në samit është fjala për detajet. Por, vendimet e vërteta nuk duhen marrë ende.

“Ndoshta fondi vlen për reklamë”, thotë Gros. “Ky është rreziku i madh: Unë gjithmonë kam paralajmëruar se BE-ja ndërmerr programe shumë të mëdha, ku nuk mund të mbajë premtimet e tij. Para dy vjetësh ka pasur një iniciativë të ngjashme zhvillimi, ku vetë Kancelarja Merkel thotë se fondet nuk janë marrë. Unë besoj se këtu ka për të qenë po kështu”. /DW/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat