"Investimet e huaja, mbi interesat politike"

Ekonomi

"Investimet e huaja, mbi interesat politike"

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 19:30

Nxitja e investimeve në sektorë me potencial të lartë ekonomiko-tregtar, si energjia, transporti, sektori bankar, ishin lajmotivi i takimit të iniciuar nga Shoqata e Konsujve të Nderit, e cila gjendet në pararojë të tryezave konkrete për thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Të pranishëm në tyrezën e sotme ishin ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, ambasadorë dhe njerëz të biznesit.

Ndroqi: "Investimet të mbeten jashtë interesave politike"

Presidenti i Shoqatës së Konsujve të Nderit, Ylli Ndroqi, duke shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e shoqatës për të ndikuar pozitivisht në prurjen e investimeve të huaja, kërkoi nga dy ministrat, hapa konkretë:

“Ne, si Shoqatë e Konsujve të Nderit, angazhohemi të jemi ndërmjetës aktiv, për të përcaktuar çdo zhvillim pozitiv në botën e biznesit, për të ndikuar në prurjen e investimeve të huaja. Ju ftoj të na sugjeroni hapa konkretë për mënyrën se si duhet t’i bindim partnerët e huaj të hyjnë në fusha me potencial të lartë ekonomiko-tregtar, sic është energjia, transporti, sektori bankar e shumë të tjera. ” u shpreh Ndroqi.

Ndroqi apeloi që motive të ngushta politike të mos zbehin shpresën për investime serioze në Shqipëri, ndërsa theksoi vendosjen e interesave kombëtare në plan të parë.

Gjiknuri: "Disiplina financiare, terren i sigurt për investitorët"

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, këmbënguli në nevojën e disiplinës financiare, për krijimin e një terreni të sigurt për sipërmarrësit e huaj që do hedhin paratë e tyre në Shqipëri.

“Fokusin e kemi vënë tek disiplina financiare në sektor, që të rrisi likuiditetin dhe të krijojmë mundësi për të paguar pjesën e kontributit të investimeve të huaja. Realisht në këtë drejtim po punojmë dhe këto masa të fundit që mund të duken të ashpra, por tepër të nevojshme, janë për fatin sepse pa stabilitet financiar të sektorit, investimet në energji janë premtime në letër dhe investimet nuk do të ndodhin kurrë dhe realisht kjo është situate”, u shpreh Gjiknuri.

Haxhinasto: "Të investohet në rrugë dhe hekurudha"

Ndërsa numri një i Ministrisë së Transporteve, Edmond Haxhinasto risolli në vëmendje se Shqipëria ka bërë hapa përpara në fushën e Prokurimit Publik dhe apeloi për investime të huaja kryesisht në rrugë, hekurudha por edhe në linja ajrore, detare.

“Rrjeti i Konsujve të Nderit, mund të shumfishohet dhe të ketë impakte më të mëdha, në qoftë se në vendet që ju përfaqësoni, të organizoni gjëra të ngjashme me këtë takimin e sotëm, dhe të prezantoni mundësitë e biznesit dhe të ekonomisë shqiptare edhe në ato vende. Llojet e ndryshme të transportit, qoftë ai rrugor, hekurudhor, detar dhe atë ajror, ka mundësi konkrete për investime nga ana e atyre që janë të interesuar, grupeve financiare, kompanive të ndryshme të biznesit etj. Nëpërmjet kontratave koncesionare, formave të ndryshme të partneritetit publik dhe privat, janë segmente rrugore që ne dëshirojmë të investojmë”, theksoi Haxhinasto.

Jaka: “Të hartohet paketa për sektorët e investimeve të huaja”

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka i kërkoi qeverisë që të hartojë një paketë të qartë mbi sektorët ku mund të investohet nga të huajt në Shqipëri.

“Është një obligim i çdo qeverie që të ketë një platformë të qartë për t`ju ofruar investitorëve të huaj dhe vendas. Ne jemi të lumtur që sipërmarrësit e huaj kënaqen me investimet e tyre, është shumë e rëndësishme që ministrat të kuptojnë se kur kënaqet një investitor. Një investitor kënaqet kur mundëson kthimin e parave të investuara dhe ne duhet të mundësojmë që këto para të jenë të kthyeshme dhe çdo projekt të ketë fizibilitetin e duhur”, theskoi Jaka.

Al Bader: “Të krijohet sektori i diplomacisë ekonomike”

I pranishëm në tryezë edhe ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, Najeeb Al Bader, renditi propozimet konkrete për diplomacinë ekonomike në Shqipëri.

“Aktivizimi që ka për qëllim zhvillimin e negociatave dypalëshe dhe shumëpalëshe të marrëveshjeve tregtare dhe të investimeve, krijimi i një sektori të veçantë të diplomacisë ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe krijimi i një grupi ekonomik në Ministrinë e Ekonomisë, grup këshillues akademik, për të mbështetur modelin e ri ekonomik të Shqipërisë dhe një nismë e realizuar mirë, siç është krijimi i departamentit ekonomik në Ministrinë e Punëve të jashtme të Kuvajtit, me qëllim aktivizimin e bashkëpunimit ekonomik me vende të ndryshme që deri më tani, ka rezultuar mjaft i frytshëm”, cilësoi Najeeb Al Bader.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat