Nisi Panairi "Blej Shqip" në Prishtinë

Ekonomi

Nisi Panairi "Blej Shqip" në Prishtinë

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 14:19

Nën organizimin e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë nisi sot panairi "Blej Shqip". Në të po marrin rreth 100 kompani shqiptare nga Republika e Kosovës, e Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Gjatë ditës Drejtori Genc Bashota dhe Ambasadori Qemal Minxhozi vizituan përgatitjet e fillimit të Panairit në sheshet kryesore të Prishtinës.

Drejtori Genc Bashota tha për mediat e pranishme se "sot kam kënaqësinë që së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z.Minxhozi të vizitojmë procesin e vendosjes së tendave për panairin “Blej Shqip”, i cili është një panair i organizuar në mënyrë unike nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë e Sipërmarrjes së Republikës së Shqipërisë. Hapja zyrtare do të bëhet nesër me ardhjen e Ministrit Arben Ahmetaj ku dhe do të prononcohet për media së bashku me Kryetarin Shpend Ahmeti."

Drejtori Bashota po ashtu njoftoi për aktivitetet që po organizohen njëkohësisht me Panairin "Blej Shqip" siç është konferenca tematike me prodhuesit e kompanitë pjesëmarrëse dhe përfaqësuesit institucional nga të Kosova e Shqipëria. Ai shtoi se qëllimi i këtij organizimi me rastin e 28 nëntorit është që kompanitë nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe kompanitë shqiptare në Maqedoni të kenë mundësinë e shkëmbimit të përvojave të tyre. E veçanta e panairit është se të gjitha kompanitë janë vendore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Ndërsa Ambasadori Minxhozi u shpreh se për herë të parë bëhen së bashku ky numër i kompanive shqiptare që do të thotë se është një panair shumë i madh i vlerave ekonomike që bart rajoni. "Ne mendojmë - tha ai - se do t'u jepet një nxitje më e madhe iniciativave të ndryshme në gjithë hapësirën shqiptare. Ambasadori Minxhozi tha ndër të tjera se po shihem të gjitha mundësitë që të prodhojmë shqip, të blejmë shqip dhe të shkëmbejmë shqip.

Ai po ashtu shpalosi dhe idenë për organizimin e përvitshëm të këtij panairi.

Ambasadori Minxhozi në përgjigjet për gazetarët theksoi po ashtu se planifikohet që në takimin që do të mbahet nesër të shikohen hapësirat për të përcaktuar se çfarë game prodhimesh të tjera do të ketë në vitet në vazhdim. Ai tha se është koha që të lëmë retorikën e fjalëve dhe t’i kthehemi punës praktike të përditshme që prodhimet shqiptare të mbizotërojnë në trojet tona dhe kjo do të ishte një mbështetje shumë e madhe për gjithsecilin nga ne, një mbështetje shumë e madhe për Shqipërinë, Kosovën, për hapësirën shqiptare kudo në rajon.

Iniciativa Blej Shqip u konkretizua nga ide në projekt në pranverën e vitit 2010. E iniciuar në atë kohë nga Rrjeti i organizatave shqiptare (RrOSH) projekti ‘Blej Shqip’ synonte të nxiste konsumatorët shqiptarë të blejnë produkte dhe shërbime shqiptare. Për gati çdo vit "Blej Shqip" organizoi në Tiranë e Prishtinë panaire e aktivitete që kishin për qëllimin lidhjen shkëmbimin dhe promovimin e prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare.

Për herë të parë pas 4 viteve kjo iniciativë u bë pjesë e kalendarit institucional nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe arriti të mbledhë bashkë kaq shumë kompani shqiptare. /BS

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat