FMN, 53 mln euro kredi për qeverinë shqiptare

Ekonomi

FMN, 53 mln euro kredi për qeverinë shqiptare

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 00:17

Misioni i Fondit Monetar ndërkombëtar do t’i propozojë Bordit aprovimin e këstit të radhës së kredisë prej 53 milionë eurosh për qeverinë shqiptare.

Lajmi u bë i ditur të martën në mbrëmje nga Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Nadeem Ilahi.

Ilahi i cili ndodhet prej 10 ditësh në Tiranë, deklaroi se stafi i misionit ka arritur marrëveshjen me qeverinë shqiptare për disbursimin e këstit.

“Ne besojmë se paketa e politikave që po ndërmerr qeveria shqiptare është në rrugën e duhur. Shkalla e rritjes ekonomike do të jetë rreth 2 për qind. Kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së eksporteve, prodhimit të naftës dhe shlyerjes së detyrimeve të prapambetura”, deklaori Ilahi në konferencën e mbajtur në Ministrinë e Financave.

Ilahi vlerësoi se programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit dhe autoritetet shqiptare mbeten të angazhuara për uljen e borxhit publik. “Pavarësisht shpenzimeve në sektorin e energjisë për herë të parë pritet të arrihet fillimi i zvogëlimit të borxhit publik”, deklaroi ai.

Politika monetare, vijoi Ilahi, duhet të vazhdojë të mbështesë rritjen ekonomike. Ai bëri të ditur se ka shenja të rritjes së kreditimit në ekonomi, por kjo rritje theksoi ai, mbetet e ulët.

Duke vlerësuar reformën e ndërmarrë nga qeveria në sektorin e energjisë, Ilahi tha se stafi i FMN-së mirëpret edhe mbështetjen që qeveria planifikon për shtresat në nevojë. I pyetur nëse shlyerja e detyrimeve të prapambetura ka ndikuar në uljen e kredive të këqija, Ilahi u shpreh se nuk ka të dhëna, por siguroi se kjo ka ndikuar në uljen e presionit mbi biznesin për kreditë e këqija.

Ahmetaj: Negociatat me FMN-në, jo të lehta

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj u shpreh se negociatat me FMN-në nuk ishin të lehta. Kjo tha ai, për shkak të situatës ekonomike që gjetëm dhe për shkak se ekonomia ka kaluar një vit korrektimi. Rritja ekonomike, sipas tij, do të jetë 2-2.2 %.

Sipas Ahmetaj, kjo shkallë rritjeje është e pamjaftueshme, ndaj tha ai, duhet vijuar me reformat. Ahmetaj informoi se është arritur dakordësia me FMN-në sa i takon buxhetit të vitit 2015 në detaje, ndërsa në parim është rënë dakord edhe për buxhetin afatmesëm. Duke folur për reformën në sektorin e energjisë, Ahmetaj u shpreh se 2015 merr përsipër të fillojë korrektimin e 22 viteve keqmenaxhim në këtë sektor.

Gjoni: Ulja e borxhit publik ul rrezikun në ekonomi

Guverantorja në detyrë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni tha se ulja e borxhit publik ul rrezikun në ekonomi.

"BSH vlerëson së rritja ekonomike do të vazhdojë të përballet me kufizime. Politikat ekonomike duhen drejtuar të ruajtja e kastit stimulues, ndërsa në aspakëtin afatgjatë kërkohet përshpejtimi i reformave strukturore. Së dyti, politika e konsolidimit fiskal siguron përfitime afatgjata për vendin, kjo arrihet duke ulur borxhin dhe deficitin buxhetor. Nevojitet politike stimuluese për zhvillimin ekonomik, si dhe duke ruajtur stabilitetin e çmimeve. BSH pret përmirësim të situatës në tregje. Sistemi financiar megjithatë do të vazhdojë të mbetet sfidues edhe gjatë vitit të ardhshëm", deklaroi Gjoni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat