Lehtësohen procedurat e importit, malli direkt në kompani

Ekonomi

Lehtësohen procedurat e importit, malli direkt në kompani

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 09:06

Në 3 Dhjetor 2014 do të nisë aplikimi i procedurave te thjeshtuara doganore për operatorët ekonomikë të përzgjedhur, ndërsa në muajin shkurt të 2015-ës, parashikohet të ketë përfunduar pilotimi dhe aplikimi i gjerë i tyre në të gjithë operatorët që plotësojnë kushtet e vendosura, do të bëhet në muajin mars. Fakti u bë i ditur në takimin e katërt informues për paraqitjen e “Strategjisë së Implementimit të Procedurave të Thjeshtuara, në mjediset Doganës së Tiranës. Në këtë mënyrë pritet të lehtësohen procedurat doganore për Operatorët Ekonomikë të cilët kanë një histori të pastër me sistemin doganor. Në këtë takim mori pjesë Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunlida Paskali, si dhe ekspertë të doganave në fushën e procedurave dhe përfaqësues biznesesh që operojnë kryesisht në zonën e Tiranës.

Sipas praktikës aktuale një operator ekonomik, ka 1.5 orë kohë që të deklarojë në doganën e Tiranës, produktin dhe të përgatisë procedurat e zhdoganimit të tij, që nga momenti që hyn në portin e Durrësit, apo në një pikë tjetër doganore. Kjo praktikë ndodh kur mallrat mbërrijnë në orët e paradites. Por në rast se malli mbërrin pasdite dhe doganierët nuk janë më në krye të detyrës, tregtarët është i detyruar të qëndrojë në zonën tranzit. Ky qëndrimin i kushton tregtarëve rreth 3 mijë lekë për një natë si dhe kalimi nga zona tranzit që kushton 1 mijë lekë. Këto pagesa nuk janë pjesë e totalit të pagesës që bëhet për zhdoganim si dhe tatim të taksave.

Procedura e re

Procedurat e thjeshtuara janë një sëre veprimesh dhe operacionesh doganore të cilat shmangen nga modeli klasik i funksionimit të doganës duke u afruar me tepër me operatorin ekonomik. Janë një pjesë veprimesh doganore të cilat i delegohen operatorit ekonomik përmes autorizimit përkatës gjatë procesit të importit apo eksportit të mallrave. Gjithashtu, pjesë e procedurës së re do të jetë edhe thellimi i bashkëpunimit ndërtuar mbi baza besimi të kontrolluar, por që përqendrohet tek vetëdeklarimi. Procedurat e thjeshtuara janë kohë dhe kosto të kursyera nga operatori ekonomik por njëkohësisht edhe nga dogana duke ridimensionuar burimet dhe përmirësuar ndjeshëm shërbimin doganor. Lehtësirat që pritet të shoqërojnë procedurat e zhdoganimit do të bëhen për ato kompani dhe operatorë ekonomikë të cilët kanë një histori të pastër doganore si edhe staf të trajnuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Përfitues të lehtësirave procedurale pritet të gjithë operatorët ekonomikë të cilët kanë një histori transparente me doganën dhe janë në gjendje të paraqesin provat e besimit dhe të pastërtisë së tyre në operacionet doganore. Këta operatorë ekonomikë, pritet që të krijojnë kushtet e përshtatshme logjistike për magazinim të përkohshëm doganor pranë ambienteve të tyre nën mbikëqyrjen doganore. Po kështu edhe Operatorët Ekonomikë që do të mundësojnë infrastrukturën IT-në për të realizuar deklarimin elektronik. Po ashtu përfitues pritet jenë të gjithë operatorët ekonomikë që kanë mundësinë financiare për të garantuar borxhin doganor dhe mbikëqyrjen doganore, si edhe të gjithë operatorët ekonomikë që do të angazhojnë staf të besuar dhe të kualifikuar për të qenë pjesë e procedurave të thjeshtuara.

Drejtoresha e Doganave shpjegoi edhe atë që sipas saj janë klasifikuar në procedurat e thjeshtuara dhe çfarë pritet t’i sjellin këto marrëdhënies biznes- doganë. “Ne kemi marrë një zotim, zotim që ka të bëjë me lehtësimin e tregtisë dhe thjeshtimin e procedurave për biznesin. Ne kemi përgatitur Kodin e ri Doganor, që është themeli i kësaj marrëdhënie të re mes administratës sonë dhe biznesit. Ky kod imponon një marrëdhënie të re dhe të ndryshuar. Ky kod adreson një nga qëllimet kryesore të doganës që është lehtësimi dhe ndihma ndaj biznesit për sa i përket importit dhe eksportit.”- tha Spiropali.

Ndryshimet

Cilat janë përfitimet nga procedurat e thjeshtuara

Procedurat e thjeshtuara mundësojnë mbërritjen e mallrave direkt në ambientet e Operatorit Ekonomik pa pasur nevojë të kryejë formalitetet në një dogane të brendshme dhe çlirimin e tyre po në këto ambiente. Kryerjen e gjithë procedurës së eksportit të mallrave po nga ambientet e Operatorit Ekonomik. Sikundër do të mund të konstatohet lehtësisht, koha për kryerjen e formaliteteve doganore do të ulet në mënyrë të konsiderueshme dhe gjithçka do të jetë në dorën e operatorit për të përshpejtuar procesin. Kostot e magazinimit reduktohen ne 0 pasi operatori shfrytëzon logjistikën e tij gjatë procesit. Ndërsa kostot e transportit reduktohen ndjeshëm pasi mallrat nuk kanë nevojë të presin në mjetin e transportit për të kryer formalitetet doganore.

Kontakti me doganën në pjesën më të madhe të rasteve do të jetë vetëm elektronik përmes shkëmbimit të mesazheve elektronike çfarë rrit thelbësisht transparencën, ul burokracinë duke zvogëluar njëkohësisht mundësinë e shfaqjes së elementeve korruptive. Kristalizon një marrëdhënie shumë më të përgjegjshme mes doganës dhe Operatorit Ekonomik. Do të mundësohet një formë e re deklarimi e shkurtuar dhe periodike, e cila mundëson kosto me të ulët për operatorin.

Manovra

Rritja e akcizës, cigaret u importuan që në tetor

Importet e cigareve u rritën me shpejtësi në tetor të këtij viti, teksa tregtuesit e mëdhenj prisnin hyrjen në fuqi të ligjit të ri për akcizat, që e rrit këtë taksë nga 90 në 110 lekë për paketë. Në këtë mënyrë, importuesit, duket se ia kanë gjetur zgjidhjen edhe kufizimit prej 5 për qind të rritjes që vendosi Kuvendi, duke i importuar përpara se të fillonte llogaritja e kohës së përcaktuar me ligj. Të dhënat e importeve të mallrave të akcizës nga Ministria e Financave, në tetor u importuan 518 tonë cigare, me një rritje prej 67 për qind në raport me një vit më parë, duke shënuar kërcimin më të madh të këtij viti dhe duke arritur pothuajse nivelin e dhjetorin 2013. Deklarimi i parakohshëm për vendosjen apo rritjen e vlerës së akcizës, ka krijuar traditën që importuesit krijojnë rezerva dhe më pas gradualisht e shpërndajnë gjatë vitit te subjektet e shitjes me shumicë dhe dyqanet dhe efekti fiskal kalon nga buxheti i shtetit te subjektet tregtare. Rasti i ngjashëm u shënua edhe në dhjetor 2013, kur u importuan 565 tonë cigare dhe në janar 2014 (kur akciza u rrit nga 70 në 90 lekë për litër) importet ishin vetëm 66 tonë. N

ë përpjekje për të shmangur rritjen e importeve para hyrjes në fuqi të akcizës së rritur, Kuvendi kufizoi mundësinë e rritjes së importeve jo më shumë se 5 për qind e mesatares mujore nga momenti i votimit të ligjit të akcizave deri në dekretim. Para se të fillonte matja e kohës sipas ligjit, importuesit duket se i paraprinë edhe këtij kufizimi, duke e siguruar sasinë e nevojshme në pjesën e parë të tetorit. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën 1-20 nëntor janë importuar vetëm 150 tonë cigare. Ndërkohë, rritja e çmimeve të cigareve filloi që gjatë ditëve të para të tetorit.

Firmat e mëdha, e kanë detyrim ligjor raportimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndryshimet në çmime përpara aplikimit. Fakti që është paguar gjithë barra fiskale e kalon rritjen në favor të shitësve të shumicës, pasi shitësit me shumicë e ndryshojnë ofertën në treg, duke e zhvendosur rritjen e çmimeve para hyrjes në fuqi të akcizës. Në treg qarkullojnë ende cigare me akcizë 70 lekë për kg (e shkruar në pullën fiskale A70), por operatorët sqarojnë se ata po përdorin ende pullat që i kanë pasur stok, ndërsa kjo nuk ka lidhje me akcizën e paguar, sepse akciza paguhet në doganë, kur kryhet import.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat