Brezovica, ski-qendra më moderne në Ballkan, ëndrra e cila po bëhet realitet

Ekonomi

Brezovica, ski-qendra më moderne në Ballkan, ëndrra e cila po bëhet realitet

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 22:46

Konsorciumi francez i udhëhequr nga MDP Consulting, së bashku me operatorin e njohur botëror, Compagnie des Alpes, me projektin konkurrues, ka fituar tenderin për ndërtimin e Qendrës Turistike Brezovica, deklaroi për Anadolu Agency, Azem Rexhaj, Udhëheqes i Njësise Implementuese të Projektit të Brezovicës.
“Pas një pune të gjatë, disavjeçare, përfundimit të procedurave të përgatitjes së dokumenteve dhe gjetjes së investitorit të përshtatshëm për ndërtimin e një qendre të tillë, edhe përfundimisht është shpallur fituesi” tha Rexhaj. Konsorciumi fitues MDP Consulting/Compagnie des Alpes, xhevahirin e maleve të Sharrit, Brezovicën e ka marr me koncesion për 99 vite dhe për ndërtimin e ski-qendrës më moderne në Ballkan, do të investojë 410 milionë euro.

Procesi i ndërtimit do të zgjas në tri etapa, gjatë 18 viteve të ardhshme, do të ndërtohen mbi 100 kilometra shtigje, me rreth 20 ski-lifte më moderne dhe infrastrukturë e cila Brezovicën do ta fusë në hartën botërore të turizmit malor sepse kjo qendër do të punoj gjatë tërë vitit, 365 ditë.

“Në fazën e parë pritet të bëhet rinovimi i komplet ski qendrës ekzistuese në Brezovicë. Do të largohen gjithë teleferikët dhe objektet e vjetra, si dhe do të ketë komplet një ndërtim të ri, në këtë qendër ekzistuese. Parashihet po ashtu që, të fillojë ndërtimi i një fshati turistik, ku do të ketë hotele, restorante si dhe disa objekte tjera përcjellëse. Do të ndërtohet po ashtu edhe Aquaparku në një pjesë të paraparë me projekt. Kjo përfshijnë fazën e parë. Gjithsesi , zgjerimin e rrugëve, ndërtimin e parkingut, po ashtu do të ketë një impiant për trajtimin e ujërave të zeza dhe përpunimin e ujit. Parashikohet që të ketë makineri e cila do të prodhoj borën artificiale , në rast se ka nevojë që të zgjatet sezoni turistik. Këto janë aktivitetet e parapara në fazën e parë, e cila do të zgjas tri vite dhe gjatë kësaj faze do të investohen 165 milion euro” shpjegon Azem Rexhaj dhe shton se, faza e parë e ndërtimit të ski-qendrës moderne të Brezovicës pritet të fillojë në verë të 2015-tës.

Sipas tij, në fillim të vitit 2016, do të ndërtohen dhe vihen në funksion teleferikët e parë të ri dhe do të përgatiten shtigjet e para në kuadër të këtij projekti. Me këtë projekt, planifikohet krijimi i më shumë se 3000 vendeve të punës prej tyre, mbi 920 do të jenë drejtpërdrejtë të inkuadruar në ofrimin e shërbimeve në kompleksin turistik kurse tjerat, përfshijnë punësimin në ndërtimin e kësaj qendre.

Më tutje, Rexhaj tregon se, gjatë fazës së parë pritet të ndërtohen 35 shtigje të reja të skijimit, në fazën e dytë do të ketë zgjerim për edhe 25 shtigje dhe po ashtu zgjerim në ndërtimin e hoteleve, restoranteve, parkingut dhe teleferikëve të ri. Në fund, pas përfundimit të fazës së tretë e cila parashihet në vitin e 17 dhe 18, Brezovica pritet t’i ketë mbi 100 kilometra shtigje të skijimit dhe konsiderohet se do të jetë një prej ski-qendrave më të mëdha në Ballkan dhe Evropë.

Në Kosovë, qoftë nga qeveritarët apo ekspertët e ekonomisë, ky projekt është cilësuar si, projekti më i madh ekonomik me investime të huaja në Kosovë, në periudhën e pasluftës.

- Koncesioni dhe Partneriteti Publiko-Privat nuk është Privatizim

Kohë më parë, Qeveria e Kosovës e kishte cilësuar Brezovicën si aset të rëndësishëm dhe e kishte shpallur prioritet të veçantë. Këtë e kishte bërë për tri arsye madhore.

E para ishte, për t’i tërhequr investitorët serioz në Kosovë. E dyta, ka konsideruar se investimet në një projekt të tillë, do të kenë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të kësaj zone dhe të Kosovës, në përgjithësi. Së fundit, arsye e madhe ishte edhe ndërtimi i një qendre turistike moderne me të cilën Kosova do të krenohet, në aspektin global.

Përkundër kësaj, rrugëtimi nga ideja fillestare ‘për të bërë diçka me Brezovicën’ e deri te shpallja e fituesit të tenderit për ndërtimin e Qendrës Turistike të Brezovicës ishte i gjatë, shumë i mundimshëm dhe përplot pengesash, nganjëherë të papritura, sepse vinin nga ata që nuk pritej.

Jill Jamieson, ajo e cila e kishte strukturuar edhe transaksionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, sipas modelit të partneritetit publiko-privat të dhënies me koncesion të resurseve, propozoi që Projekti i Brezovicës të zhvillohet me koncesion. Jamieson, një ndër ekspertët më të mirë në botë në dhënien e shërbimeve të këshillimeve për sektorin publik, ishte personi kryesor në dizajnimin e konceptit, infrastrukturës financiare dhe legjislacionit për Projektin e Zhvillimit të Qendrës Turistike të Brezovicës.

“Këto janë dy projekte të ndryshme. Secili kishte qasje të ndryshme dhe financimi do të dallojë. Në rastin e Aeroportit të Prishtinës, kemi pasur një aset i cili operonte dhe gjeneronte të ardhura kurse Brezovica, aktualisht, këtë nuk e ka sepse është një aset i cili “fle” dhe nuk operon. Ky është dallim i madh, sidoqoftë, të dyja këto projekte kanë kaluar nëpër procese të njëjta, procedura qeveritare, kanë përcjell ligjet e njëjta dhe përfundimisht, të dyja këto procese kanë qenë të suksesshme” tha Jamieson në intervistë ekskluzive për Anadolu Agency.

Duke u bazuar në faktin se, Kosova nuk ka ekspertë për ndërtimin e qendrave turistike malore, ajo ka konsideruar se, më së miri ka qenë që investitorët e interesuar të vijnë me koncepte zhvillimore sepse, kjo mënyrë është shumë efikase për t'i parë idetë zhvillimore të kompanive me renome dhe për të kursyer para të mëdha. Prandaj, Jamieson fillimisht ka organizuar konferenca në disa vende të botës, ku ka prezantuar Projektin e Brezovicës dhe njëkohësisht ka zhvilluar kontakte me kompanitë më me renome. Kjo ka rezultuar me procesin e Shprehjes së Interesit, ka vazhduar me Procesin e Prokurimit dhe në fund, ka ardhur deri tek shpallja e fituesit.

- Rruga nga ideja deri te shpallja e fituesit ishte “Punë e Sizifit”

Gjatë këtij rrugëtimi, ekspertja e cila ka shërbyer në Bordin e Këshillit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara për Partneritet Publiko-Privat, Jill Jamieson, është dashur të takohet dhe të debatoj me shumë zyrtar, shpesh kundërshtues të projektit, por edhe të tillë që e kanë ndihmuar këtë proces, që të vijë deri në pikën aktuale.

“ Pa dyshim, ky ka qenë një projekt i vështirë dhe shumë sfidues, për shumë arsye. Së pari, jemi duke promovuar idenë e tërheqjes së investitorëve të huaj në Kosovë, që nuk është punë e lehtë për t’u bërë sepse nuk ka histori të suksesit të investimeve të huaja në vend prandaj, investitorët janë skeptik. Prandaj, në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj ishte shumë vështirë, është dashur t’iu shesim mundësinë, është dashur të sigurohemi se kemi dokumente të mira tenderuese që do t’i mbrojnë investitorët dhe po ashtu, ta ruajmë interesin e Kosovës” thotë Jamieson e cila vlerëson se, menaxhimi i procesit në Kosovë është gjithmonë sfidues sepse duhet të ballafaqoheni me politikën e cila është përreth dhe në veçanti, ky projekt është shumë i ndjeshëm, për faktin se zhvillohet në hapësirë ku shumicë është komuniteti serb.

Sipas saj, ky proces ishte sfidues në çdo nivel por ajo thotë se, ekipi i cili ka punuar në Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës është munduar t’i adresoj brengat e të gjitha palëve. “Dyert tona kanë qenë të hapura për të gjithë, kemi dëgjuar brengat e të gjithëve dhe jemi munduar që problemet t’i tejkalojmë së bashku” tha ajo dhe tregoi se , ekipi ende punon në tejkalimin e disa çështjeve. Jamieson u shpreh fatlume që ka bashkëpunuar me kryetarin e Komunës së Shtërpces i cili ka ndihmuar në shpjegimin e këtij projekti tek komunitetit i tij

“Ne do të flasim sërish me banorët e kësaj komune për t’iu shpjeguar planin dhe t’iu tregojmë se si do të zhvillohet, në mënyrë që ata të ndihen rehat me këtë plan. Por, nga ana tjetër, koncepti i investimit të 400 milion eurove në Komunën e Shtërpces është diçka që do të duhej t’i ngazëllej ata, sikurse edhe gjithë të tjerët. Ideja është t’i ndihmojmë ata të zhvillohen, duke ju ofruar punë , të ardhura dhe potencial për tu zhvilluar dhe qenë i suksesshëm” thotë ekspertja amerikane e cila vlerëson se, kjo është një mundësi e madhe për të gjithë, jo vetëm për serbët apo shqiptarët e Kosovës por, për të gjithë së bashku.

Njerëzit në Kosovë, duke përfshirë edhe njerëzit në Qeveri, kanë shprehur dyshimin se, si është e mundur që dikush t’i investojë kaq shumë para në një projekt të tillë. Mirëpo, Jamieson shpreson se, kosovarët kanë besim që mund të tërheqin investime të tilla.

“Nuk është e jona, si të huaj të besojmë në këtë por duhet të besojnë vet kosovarët, institucionet e Kosovës. E tëra që mund të them është se, ne e kemi dizajnuar një proces i cili na lejon që të intervenojmë kohë pas kohe, që të sigurohemi se ata janë duke bërë atë që duhet ta bëjnë” tha Jamieson

- Brezovica e re krijon perspektivë çfarë Kosova nuk ka pasur deri tash

Janë dy aspekte të Projektit Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës.Njëri ka të bëjë me investimin e 410 milion eurove në Kosovë, krijimin e 3000 vendeve të punës dhe kjo do të ketë një ndikim të madh në ekonomin e Kosovës. Kurse aspekti tjetër është se, ky është një tregim i suksesshëm edhe nga perspektiva ndërkombëtare, për atë se si investimet private mund të përdoren për të lidhur komunitetet.

“Pa dyshim se, me vite të tëra është spekuluar se kush do ta ndërtojë Brezovicën. A do ta ndërtojnë shqiptarët apo serbët? Në fund, kemi një investitor francez i cili do të duhej bashkuar serbët dhe shqiptarët , në diçka që është e mirë për të dyja palët” tha Jamieson për të cilën Projekti i Brezovicës është një rast studimi se si, një investim privat mund të sjell deri te bashkimi i komuniteteve dhe prosperiteti rajonal.

“Me këtë projekt nuk do të përfitojë vetëm Shtërpce dhe Kosova por i tërë regjioni i Ballkanit, duke u krijuar një ski-qendër të klasës botërore. Kjo do të tërheq vëmendjen e turistëve në këtë qendër turistike” vlerëson Jill Jamieson, ekspertja e cila ka shërbyer në Bordin e Këshillit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partneritet Publiko-Privat, dhe nuk e fsheh kënaqësin se Kosova ka arritur ta tërheq investitorin privat, më të mirin të mundshëm në Evropë, që mund ta bëjë këtë punë.

Mësimi të cilin ajo e ka mësuar nga Projekti i Brezovicës është “këmbëngulje, këmbëngulje dhe këmbëngulje. Pa këmbëngulje të pasionuar , projektet është vështirë të realizohen. Por unë shpresoj se mësimi që Kosova do ta marr nga ky projekt do të jetë se: Po, është mundur!” përfundon Jamieson e cila shpreson se, tash e tutje, kosovarët do të besojnë se mund të krijohen investime dhe vende të punës në Kosovë, por vetëm duhet këmbëngulje dhe dedikim, të sinqertë.

- Kompanitë që do ta ndërtojnë Brezovicën e re

MDP Consulting është kompani e njohur botërore për planifikimin dhe dizajnimin e qendrave turistike malore. MDP po ashtu ofron menaxhimin e projekteve dhe mbikëqyrjen e shërbimeve për zhvillimin e qendrave turistike malore, nga ndërtimi i konceptit e deri tek finalizimi dhe “dorëzimi i çelësave”, përkatësisht hapja e ski-qendrave.

COMPAGNIE DES ALPES (CDA) është kompani publike franceze e cila merret me zhvillimin dhe operimin e qendrave turistike malore. Ajo operon me ski-lifte; pajis, mirëmban dhe operon me ski-qendra, si dhe me atraksione turistike. Për më tepër, CDA është e involvuar në shitjen e patundshmërive dhe aktiviteteve të projekt menaxhimit, sikurse edhe të financave dhe sigurimeve.

PGI është kompani e specializuar për menaxhimin e shërbimeve në biznesin e ski-qendrave dhe qendrave turistike malore. PGI Management ka përvojë të gjatë, më shumë se 50 vjeçare, në menaxhimin e ski-qendrave.

OUTDOOR KOSOVA është kompani kosovare e dedikuar në promovimin e turizmit ekologjik (eko-turizmit).

Kompani nënkontraktuese janë edhe dy kompani tjera franceze: Egis dhe Aeroport de Lyon.

EGIS është grup franceze e inxhinierisë e specializuar në fushën e ndërtimit të infrastrukturës dhe sistemit të transportit, planifikim hapësinor, ujëra dhe ekologji.

AEROPORT DE LYON , është operator francez dhe bashkë-investues në koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Ata do të jenë përgjegjës për marketingun dhe promocionin e Projektit Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës (PZHQTB)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat