Më pak të hyra buxhetore për vitin 2014

Ekonomi

Më pak të hyra buxhetore për vitin 2014

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 16:19

Dy institucionet kryesore, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, nga të cilat mbushet buxheti i Kosovës, nuk do të arrijnë t’i përmbushin parashikimet e Qeverisë së Kosovës.

Nga 1 miliard e 590 milionë euro, si të hyra të përgjithshme, sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2014, këto dy institucione kanë “obligim” që të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.

Zyrtarë të këtyre dy mekanizmave i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se të hyrat e grumbulluara për këtë vit do të jenë nën planin e parashikuar nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci thotë se ky institucion deri më tani ka arritur të grumbullojë 760 milion euro, derisa projeksionet e qeverisë janë 930 milion euro.

“Dogana ka vazhduar edhe gjatë muajit nëntor me trendin pozitiv të rritjes së të hyrave. Deri më datën 19 të këtij muaji kemi mbledhur 760 milion euro që krahasuar me vitin e kaluar kemi mbi 30 milion euro më shumë, nëse kthehet në përqindje kemi 4 për qind më shumë të hyra”, tregon Stavileci.

Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës gjatë periudhës janar - tetor 2014, ka arritur të mbledh 362 milion euro, (253.1 tatime dhe 108.9 milionë kontribute).

Valentina Sefa – Bytyçi, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të të hyrave për rreth 2 për qind, por që krahasuar me projeksionet e qeverisë janë 12 për qind nën plan.

“Gjatë tre viteve të fundit ka në vazhdimësi një rritje si të numrit të deklaruesve, ashtu edhe të numrit të deklaratave dhe pagesave, të cilat kandikuar në ruajtjen e trendit të të hyrave. Njëkohësisht, si rezultat i gjithëpërfshirës kemi rritje të kënaqshmërisë së tatimpaguesve ndaj shërbimeve të ATK-së", shton ajo.

Vonesa në krijimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, thuhet të ketë ndikuar edhe në përmbushjen e projeksioneve të qeverisë për mbledhjen e të hyrave.

Adriatik Stavileci zëdhënës i Doganove të Kosovës thekson rrethanat ekonomike në të cilat ka qenë vendi gjatë këtyre muajve ka reflektuar në mbledhjen e të hyrave.

“Parashikimet për këtë vit është vështirë t’i arrijmë,por ne e konsiderojmë sukses nëse dogana arrin të kalojë 900 milion euro. Vakumi institucional për afro pesë muaj ku si pasojë ka lënë disa projekte të rëndësishme pa u realizuar ka ndikuar në mbledhjen e të hyrave nga doganat”, vlerëson Stavileci.

Ngërçi politik dhe ndikimin në mbledhjen e të hyrave e thekson edhe zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Sefa Bytyqi.

“Projeksionet e qeverisë janë paraparë një vit më herët dhe në ata kohë nuk janë paraparë këto zhvillimet e fundit”, thekson Sefa Bytyqi.

Ndryshe, mbledhja e të hyrave nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës është kundërshtuar vazhdimisht nga ekspertë të çështjeve ekonomike, pasi që kjo mënyrë, siç thonë ata, paraqet joqëndrueshmëri financiare dhe fiskale.(REL)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat