Shpërblehet biznesi fason, duke i rikthyer tatimfitimin prej 5 %

Ekonomi

Shpërblehet biznesi fason, duke i rikthyer tatimfitimin prej 5 %

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 09:24

Mbledhja e qeverisë, miratoi dje vendimin e për t’i kthyer tatimfitimin biznesit fason. Kjo u bë publike nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, si dhe u publikua gjithashtu edhe në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Zëvendëskryeministri u shpreh: “Vendimi i parë, vjen në vijim të masave dhe reformave të ndërmarra gjatë vitit tonë të parë në qeverisje, për të stimuluar zhvillimin ekonomik, e posaçërisht rritjen e punësimit. Bëhet fjalë për një thellim të mëtejshëm të angazhimit tonë në mbështetje të industrisë fasone, përmes fuqizimit financiar të iniciativës së qeverisë në paketën për Mbështetjen e Industrisë Fasone duke i rikthyer kësaj industrie në formën e një fondi tatim fitimin prej 5 për qind. Fondi i krijuar përmes këtij vendimi prej 250 milionë lekësh, do t’i kalojë buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Bëhet e ditur se fondi i krijuar nga tatim fitimi i industrisë fasone do të planifikohet në programin e shpenzimeve buxhetore të MMSR ndërkohë që shuma që do të derdhet në këtë fond do të përcaktohet në mënyrë vjetore nga Ministria e Financave.

“Risia tjetër e kësaj skeme është se ajo do të shërbejë si boshti i një iniciative më të gjerë, pasi synimi është që atij t’i shtohen të gjitha linjat e financimit nga donatorë të brendshëm e të jashtëm që operojnë në fushën e nxitjes së punësimit dhe zhvillimit të aftësive profesionale. Programet e mbështetura prej tij përfshijnë programe për nxitjen e punësimit dhe programe të formimit profesional” -u shpreh Peleshi. Industria fasone është ndër më të rëndësishmet në vendin tonë, nga ku eksportet tekstile të këpucëve përbëjnë 33 për qind të totalit të eksporteve. Ndërkohë që po këtë vit ka qenë sektori që ka udhëhequr rritjen më të theksuar ekonomike. Vlerësohet se, si direkt dhe indirekt, punëson deri në 100 mijë individë. Ulja e taksave për biznesin fason ka qenë edhe objekt debati në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku mes të tjerash u tha se është një sektor i biznesit që është lehtësuar shumë nga barra fiskale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat