Gjilan: Buxhet për hir të pushtetarëve, e në dëm të qytetarëve

Ekonomi

Gjilan: Buxhet për hir të pushtetarëve, e në dëm të qytetarëve

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 18:08

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan mbajti sot konferencë për media për t’i paraqitur problemet që përmban brenda vetit buxheti i Komunës i planifikuar për vitin e ardhshëm. Asambleisti i VETËVENDOSJE!-s në Kuvendin Komunal, Nevzad Isufi, tha se buxheti është një nga çështjet më thelbësore të Komunës, prej nga varet edhe suksesi eventual, vazhdimi i degradimit apo ngecja. “Po i afrohemi punës njëvjeçare të Kuvendit Komunal, e ndërmjet pozitës dhe opozitës nuk ka pajtim për borxhet e Komunës. Sipas pozitës janë afër 9 milionë, ndërsa sipas një pjese të opozitës që ishte në pushtet në mandatin e kaluar, janë më pak se 4 milionë euro borxhe. Pra, sa borxhe ka Komuna? Kujt i ka borxh? A janë ata persona fizikë apo juridikë? Cili është afati i kthimit të këtyre borxheve? – Janë këto pyetje për të cilat ende nuk kemi marrë përgjigje. Kjo për shkak se duket që kemi një “pakt” ndërmjet Komunës dhe borxhlinjve – asnjëri se tregojnë njëri-tjetrin”, tha Isufi.

Ai shtoi se raportimet financiare që po i bën qeverisja komunale, janë raportim uniformë, si ai i pushtetit të kaluar. “Këtë e vërtetojnë edhe auditimet, e sidomos auditimet e jashtme, të cilat vazhdimisht kanë dhënë vërejtje të njëjta, ngase nuk ka asnjë përmirësim të gabimeve të kaluara. Këtu nuk po flasim për premtimet, për prioritet të cilat aq shumë është folur nga pozita, sepse ato janë të gatshëm t’i demantojnë nga përvoja e tyre secili qytetar i Gjilanit, por po flasim për shifra, numra konkretë”, tha ndër të tjera Isufi.

Aktivisti Leonard Miftaraj tha se buxheti i hartuar nga Komuna e Gjilanit ka shumë probleme, duke filluar prej mosplotësimit të nevojave elementare të qytetarët e deri tek tentimi për ta fuqizuar Kryetarin e Komunës karshi çdo institucioni tjetër në Komunë. “Zyra e Kryetarit parasheh që në vitin 2015, me 29 punëtorë, të shpenzojë mallra dhe shërbime 195.000,00 euro. Kjo do të thotë se një punëtor në zyrën e Kryetarit shpenzon 6.724,00 euro. Vetëm për nëntë muajt e këtij viti shpenzuan 217.000,00 euro, për dallim nga gjithë sistemi shëndetësor i cili për kokë punëtori, në të njëjtën kategori shpenzon 1.137,00€. Kurse, për një qytetar të Komunës, për një vit janë planifikuar 3 euro shpenzime për shëndetësi”, tha Miftaraj, duke ngritur problemin që vetëm 0,36% e buxhetit është ndarë për shëndetësi. Ai theksoi se për vitin 2015, për shpenzime kapitale janë ndarë 200 mije euro më pak, dhe në të njëjtën kohë, kanë shkelur vendimin e Kuvendit Komunal për 70 mijë euro shtesë për bursa për studentë, pasi që këtë shifër nuk mund ta gjeni dot në asnjë ndarje buxhetore për 3 vitet e ardhshme.

Lidhur me funksionimin e Komitetit për Ekonomi të Komunës, aktivisti Agron Shurdhani nga Nënkomiteti për Ekonomi në Vetëvendosje tha se ky komitet është larg të qenit funksional. “Në Komitet zakonisht na vijnë njoftime se çfarë ka bërë Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari, apo Drejtoria për Zhvillim Ekonomik. Ne jemi shndërruar në vegla të drejtorive përkatëse, në vend se të kontribuojmë me ide në këto drejtori. Janë mbajtur 4 mbledhje që nga fillimi i mandatit (që nga janari), e që do duhej të mbaheshin shumë më shumë”, theksoi Shurdhani, duke shtuar se Komiteti po shfrytëzohet për marketing politik me fotografitë duke prerë shirita të kuq nga ekzekutivi i komunës. “Komiteti duhet të jetë proaktiv, të jetë nxitës idesh e propozimesh profesionale, por një gjë e tillë në Komunën e Gjilanit është e pamundur deri tani”, tha Shurdhani, i cili i bëri thirrje Kryetarit të Komunës, Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe asaj për Bujqësi e Pylltari që të jenë më të afërt me Komitetin, të dërgojnë materiale përmbajtjesore dhe të marrin parasysh analizat dhe propozimet nga anëtarët profesional të këtij Komiteti, si dhe të koncentrohen në projekte konkrete për zhvillimin ekonomik të Komunës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat