Komuna e Gjilanit shpërndan 30 shpërndarëse të plehut dhe 5 spërkatëse gruri

Ekonomi

Komuna e Gjilanit shpërndan 30 shpërndarëse të plehut dhe 5 spërkatëse gruri

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 17:20

Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria e Bujqësisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe në mbështetje të Riinvestit, kanë bërë sot shpërndarjen e 5 spërkatëseve të grurit dhe 30 shpërndarëseve të plehut artificial.
Me këtë rast drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani, ka thënë se sot është përsëri një ditë e gëzuar për bujqit e Komunës së Gjilanit, sepse së bashku me drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe në mbështetje të Institutit Riinvest po bëhet shpërndarja e mekanizmit bujqësor.

“Jemi në një akt tjetër të mbështetjes së fermerëve gjilanas. Sot i erdhi radha që të bëjmë shpërndarjen e 30 shpërndarëseve të plehut artificial, të cilat nga bujqit tanë shfrytëzohen edhe për mbjelljen e farës së grurit, poashtu bashkë me to po shpërndahen edhe 5 spërkatëse të grurit e që vlera totale e këtij aktiviteti të sotëm është 10 mijë euro, ku është participim i Komunës së Gjilanit dhe i Riinvestit”, ka thënë drejtori Ramadani duke shtuar se mekanizimi për bujqësinë në Komunën e Gjilanit është jashtëzakonisht i nevojshëm, prandaj këtu është vënë fokusi gjatë vitit 2015, krahas aktiviteteve të tjera.

Drejtori, po ashtu ka paralajmëruar se në javën e ardhshme do të bëhet edhe shpërndarja e konstruksionit të serave, dhe viti do të përmbyllet me Llakto-frizat.

“Pas përfundimit të këtij projekti, në javën e ardhshme do të nisim shpërndarjen e serave për fermerët tanë, ku të gjitha këto bashkërisht ndikojnë në përmirësimin e nivelit të bujqësisë në Komunën e Gjilanit. Këtë vit do ta përmbyllim edhe me një projekt tjetër atë të Llakto – frizave. Ne ndjehemi mirë me aktivitetet e deritanishme në sektorë të ndryshëm të bujqësisë. Këtë vit planifikimin buxhetor e kemi realizuar 100 % dhe e kemi tejkaluar atë. Ndërsa viti tjetër do të jetë një vit me shtim të investimeve në këtë resor, sepse edhe qëllim yni është investimi dhe zhvillimi i bujqësisë në Komunën e Gjilanit”, ka thënë Ramadani duke potencuar se gjatë këtij viti, çdo sektor i bujqësisë është prekur me investime të ndryshme në forma të ndryshme.

Ai ka njoftuar se si drejtori janë në shërbim të bujqve edhe në forma të tjera, duke nisur nga asistenca profesionale e deri tek subvencionimi dhe mbështetja materiale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat