752 fermerë aplikantë kanë përfituar nga projekti për mbjelljet vjeshtore

Ekonomi

752 fermerë aplikantë kanë përfituar nga projekti për mbjelljet vjeshtore

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 18:54

Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, sot ka shpërndarë farë gruri për 752 fermerë me mbi 200 mijë kg farë, që do të mbillen 861 hektar me grurë, duke mos e refuzuar asnjë fermer të vetëm, sepse kështu parasheh programi qeverisës për familjet Gjilanase.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit ka thënë se do të punohet në atë mënyrë që asnjë pëllëmbë toke të mos mbetet pa punuar.

“Ashtu siç kemi thënë në pakon familjare të programit të bujqësisë subvencioni për bujqit ka me qenë për të gjithë ata që duan dhe kanë mundësi të punojnë. Ne po bëhemi gati për të fituar bukën vitin e ardhshëm dhe ky është subvencion për prodhimin e grurit dhe mbjelljen e kulturës vjeshtore, duke shpresuar në bereqet me rendimente shumë të sigurta, kur kemi parasysh kualitetin e farës e cila po shpërndahet dhe kushteve klimatike që këtyre ditëve po mbretërojnë”, ka thënë kryetari Haziri, i cili ka përmendur edhe programe të tjera deri në fund të këtij viti ku do të përfitojnë bujqit Gjilanas, në sektor të ndryshëm.

Kryetari Haziri ka dhënë edhe një lajm të mirë për bujqit Gjilanas, ai i ka informuar ata se është duke u punuar me përkushtim të thellë që edhe buxheti për vitin e ardhshëm në sektorin e bujqësisë të dyfishohet në krahasim me këtë vit. Haziri ka spikatur edhe atë që bujqit janë numri më i madh i njerëzve të cilët punojnë dhe krijojnë të hyra në familje dhe ky është qëllim edhe i Komunës së Gjilanit.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Ramiz Ramadani ka thënë se shpërndarja e farës së grurit ka nisur dy ditë më parë dhe do të përfitojnë 752 fermer me rreth 203 ton farë gruri.

Kemi nisur që të bëjmë shpërndarjen e farës së grurit për mbjelljet vjeshtore dhe për herë të parë po përfitojnë të gjithë ata që kanë aplikuar dhe numri i tyre është 752 fermer me mbi 200 mijë kilogram, ku parashihet të mbillen 861 hektarë me grurë me një farë shumë cilësore. Kërkoj nga bujqit që të marrin masat tjera teknike në afatin optimal në mënyrë që rendimentet të jenë në pragun e maksimumit të paraparë. Fara e cila shpërndahet është e licencuar dhe i plotëson të gjitha parametrat e asaj që ne i kemi kërkuar. Janë të ndara në dy lloje të varieteteve, të gjata dhe të shkurtra, në varietetet e shkurtra hyjnë varieteti gjerman “sintaki”, pastaj varietetet e gjata si: “fitorja”, “renesanca” dhe “evropa”. Ne kemi marrë përgjegjësi sa i përket varieteteve, sepse që të gjitha kanë certifikimet e kërkuara për kualitetin dhe rendimentet e parapara”, ka thënë drejtori Ramadani, i cili ka falënderuar mbështetjen e madhe të kryetarit të Komunës sepse është shembulli më i mirë i mbështetjes për këtë sektor në gjithë Kosovën.

Ndryshe, drejtori Ramadani ka thënë se edhe kushtet klimatike janë shumë të favorshme që gruri të mbillet në këtë kohë ngase janë të gjithë parametrat në favorin e fermerit që një gjë e tillë të ndodh.

Edhe disa projekte të tjera për këtë periudhë të mbetur në bujqësinë Gjilanase

Drejtori Ramadani, po ashtu ka informuar fermerët se bujqësia gjilanase do të përfitoj edhe projekte të tjera në këtë periudhë të mbetur të vitit 2014.

“Gjatë ditëve në vijim do të nisim me shpërndarëset e plehut artificial dhe spërkatëseve, ndërsa gjatë pjesës së fundit të këtij muaji do të nisim me implementimin e projektit për serat komerciale. Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor planifikohet të punojmë me dy projekte të tjera siç është projekti i “atomizerëve” (të cilët shërbejnë për spërkatjen e pemëve) ku mendohet të shpërndahen diku rreth 15 “atomizer”, ndërsa në fund do ta përmbyllim vitin me projektin e Llaktofrizave i cili realizohet në partneritet me qumështoren KABI, që është një projekt i cili nuk na imponon kohën e realizimit të tyre dhe këto janë katër projekte të tjera që do të realizohen në këtë periudhë të mbetur të këtij viti”, ka përfunduar drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat