Qeveria e Shqipërisë rrit akcizën për duhanin

Ekonomi

Qeveria e Shqipërisë rrit akcizën për duhanin

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 20:59

Vendimi i radhës i qeverisë shqiptare për respektimin e ligjit antiduhan është rritja e akcizës për duhanin. Lajmi është komunikuar sot nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë, e zhvilluar me dyer të mbyllura.
Sipas ministrit Beqaj, zbatimi i ligjit anti-duhan që po aplikohet tashmë në vend u ndërmor si një nga format për të luftuar përhapjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe tumorale te qytetarët, ndërsa shtoi se ndryshimi i akcizës ashtu si ka ndodhur edhe në shumë vende të BE, pritet që ta ul edhe më shumë duhan pirjen te qytetarët shqiptarë.

Tashmë me ndryshimet e reja pritet që çmimi i paketës se cigares do të rritet me 20 lekë. Vendimi i qeverisë rritjen e akcizës për duhanin, do të ndikojë drejtpërdrejte në rritjen e çmimit. Megjithatë ministri Beqaj ka sqaruar se akciza do të rritet në mënyrë progresive çdo vit, për t’iu afruar vendeve të Bashkimit Evropian në 2017.

"Jemi të vëmendshëm që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve nga efektet e duhan pirjes. Ndryshimi i akcizës që është parashikuar të kalojë në Kuvend për miratim, është një ndryshim që do të ketë efekt vit pas viti dhe në mënyrë të përshkallëzuar do të shtrijë efektin deri në vitin 2017, edhe me synimin për t'iu afruar nivelit minimal të akcizës së duhanit në vendet e BE-së. Të paktën deri më tani ligji po zbatohet me sukses. I inkurajoj inspektorët që si deri në këto 5 javë, të vazhdojnë të punojnë me ndershmëri duke mos krijuar fare hapësira për praktika korruptive apo për konkurrencë të pandershme," tha ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Edhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj bëri publike për mediat një tjetër vendim të mbledhjes së sotme të Qeverisë, ndërsa foli për korrigjimin fiskal të biodiezelit. Ahmetaj, tha se qeveria është e angazhuar për promovimin e energjisë së gjelbër, prandaj do të korrigjojë regjimin fiskal të biodiezelit.

"Qeveria sot bën një korrigjim të rëndësishëm për regjimin fiskal të biodiezelit. Në studimet që ne kemi bërë bashkë me partnerët ndërkombëtarë, regjimi fiskal aktual jo vetëm që nuk e ka promovuar energjinë e gjelbër, por ka shërbyer si një gropë e zezë për buxhetin e shtetit. E ritheksoj korrigjimi i regjimit fiskal është hapi i parë drejt mbështetjes reale të energjisë së gjelbër," tha ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat