Beqaj siguron se nuk do të vonohen pagat

Ekonomi

Beqaj siguron se nuk do të vonohen pagat

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 22:19

Ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj, garanton se situata politike në vend, nuk do të ketë ndonjë ndikim në paga dhe projekte në sektorin publik.
Në një intervistë për RTK­-në, ministri Beqaj thotë se edhe sa i përket projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, ministria i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike.

Nuk do të ketë probleme në realizimin e pagave e pensioneve, si dhe në asnjë projekt të filluar, thotë ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj, duke shtuar se është i pamundur që këtë vit të bëhet rishikimi i buxhetit sepse ai është dashur të fillojë në gjashtëmujorin e parë të pjesës së dytë të vitit e që nuk është realizuar në mungesë të Kuvendit.

`Rishikimi i buxhetit është i pamundur këtë vit. Nga data 1 tetor, konform ligjit të buxhetit, Ministria e Financave ka të drejtën për alokim të 5 % të buxhetit pa kufizime në alokime me vendim të qeverisë, t'i mbulon të gjitha nevojat të cilat do të paraqiteshin në rast të mungesës së një kategorie apo kategorie tjetër, pra po e ritheksoj edhe njëherë të gjitha pagat, të gjitha pensionet dhe të gjitha projektet e filluara nuk kanë asnjë lloj problemi në kuptimin e realizimit të tyre për shkak të buxhetit`

Ministri në detyrë, Beqaj, pohon se tani mund të rialokohen edhe mjetet nga vendimi për kursime që është 15 % në mallra dhe shërbime, konform nevojave dhe planit të Ministrisë.

Sa i përket projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, sipas Beqajt, ministria ka bërë të gjitha përgatitjet teknike.

`Ne deri në fund të muajit tetor jemi të obliguar si qeveri që ta kalojmë buxhetin, që ta kalojmë projekt buxhetin për vitin 2015 në qeveri, dhe pastaj është detyrë e parlamentit. Unë besoj dhe dua të them që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kalojë dhe të formohen institucionet, edhe në rast se nuk do të ketë miratim të buxhetit janë rregullat ligjore të përcaktuara, rregulla ligjore thotë që 2 muajt e parë të vitit vijues do të bëhet shpërndarja 1/12 konform projektbuxhetit të vitit 2014 pra cdo muaj do të ndahet nga 1/12 pjesë e këtij buxheti ndërsa muaji i tretë do të bëhet me aprovim të parlamentit, pra prap duhet aprovimi i parlamentit.`

Ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj, pohon se janë të gjithë në pritje për tejkalim të ngërçit politik që po pason me efekte ekonomike jo të mira.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat