Veriu, 300 milionë euro borxh energji elektrike

Ekonomi

Veriu, 300 milionë euro borxh energji elektrike

Më: 29 shtator 2014 Në ora: 08:48

Bashkim Bashota, banor i Prishtinës, çdo muaj paguan afër 50 euro fatura të energjisë elektrike. Për një vit ai llogaritë se vetëm për energji elektrike shpenzon rreth 600 euro.
Nëse nuk paguan rrezikon të shkyçet nga rrjeti elektrik, të ndëshkohet dhe të paguajë për rikyçje.
Kështu janë rregullat e bartura edhe te KEDS-i, kompania e re e formuar pas privatizimit të njësisë së Distribucionit të energjisë elektrike nga konsorciumi turk Limak&Çalik. Por, punëtorët e kësaj kompanie, as tani e as kur inkasimi bëhej nga Korporata Energjetike e Kosovës nuk kanë shkelur në komunat veriore të Kosovës që ndahen nga lumi Ibër.
Banorët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit, asnjëherë nuk i janë nënshtruar të njëjtave rregulla që janë zbatuar edhe për Bashkim Bashotën nga Prishtina.
Borxhi që ata i kanë KEK-ut llogaritet ta kalojë shumën prej 300 milionë eurove.
Në këtë pjesë të Kosovës, askush nuk e di sa paguhet energjia, sepse që nga paslufta faturimin e energjisë e bën një kompani ilegale serbe me emrin “Elektroprivreda Srbije”.
Por, këtyre problemeve pretendon t’iu japë fund marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjetikës. Marrëveshja parasheh që operatorët ilegalë ta ndalojnë veprimtarinë e tyre në veri të Mitrovicës.
KEDS-i është operatori i vetëm i licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji që ka të drejtën e faturimit të rrymës së shpenzuar në Kosovë.
Tash zyrtarët e këtij institucioni po shpresojnë se me marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet ky problem.
“KEDS-it ende nuk i është ofruar qasje në veri të Mitrovicës, andaj edhe nuk ka faturuar energji në tri komunat veriore të Kosovës”, ka thënë Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat