Kontrabanda më e madhe, me medikamentet e stoli ari

Ekonomi

Kontrabanda më e madhe, me medikamentet e stoli ari

Më: 27 shtator 2014 Në ora: 08:59

Niveli i kontrabandës me mallra, ndonëse ka shënuar rënie, ende vazhdon të jetë i pranishëm në pikën kufitare të ashtuquajtur Vija e Gjelbër. Përfaqësues të bizneseve tregojnë se pasojat janë të mëdha dhe se ato po reflektohen negativisht në ekonominë e vendit.

Qeveria e Kosovës për vite të tëra e kishte vendosur si prioritetet të politikave të saj parandalimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk ka statistika të sakta se sa është kontrabanda, pasi që malli kalon nga Vija e Gjelbër dhe është vështirë të evidentohet.

“Por, nëse shihet në aspektin e të hyrave sa ka mbledhur deri më tani, krahasuar me vitin e kaluar, ka rritje deri në 4 për qind”, thotë Stavileci.

Një studim për shkallën e ekonomisë joformale, që përfshinte kompanitë vendore, i bërë më herët nga përfaqësues të bizneseve, kishte nxjerrë në përfundim se ekonomia joligjore në Kosovë merr 34.4 për qind të bruto produktit vendor.

Sipas Stavilecit, kryesisht në kontrabandën e mallrave, dominojnë mallrat që janë me akcizë, medikamentet, derivatet e naftës, stolitë e arit, telefonat celularë, pijet alkoolike dhe joalkoolike.

Stavilevci deklaron se Doganat e Kosovës janë të përkushtuara për ta luftuar kontrabandën. Ai thekson se vetëm gjatë këtij viti kanë suspenduar 14 zyrtarë doganorë, të cilët janë dyshuar se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e importit të mallrave përmes pikëkalimeve kufitare.

Megjithatë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë, tregojnë se kontrabanda dhe ekonomia joformale janë mjaft të shprehura dhe si të tilla, po krijojnë konkurrencë të padrejtë në treg.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon për dëmin që po i bëhet ekonomisë së vendit nga kjo dukuri.

“Pasojat e pranisë së kontrabandës janë të shumëfishta, ato reflektohen në më pak të hyra, të cilat mblidhen për arkën e shtetit, pasoja e dytë është që krijohet një konkurrencë e pabarabartë ku bizneset që janë formale dhe deklarojnë në mënyrë të rregullt, përballen me një situatë të padrejtë. Dhe, pasoja e tretë është rrezikimi i shëndetit të qytetarëve, pasi që mallrat, të cilat nuk kalojnë nëpërmjet hyrjes zyrtare, ato nuk iu nënshtrohen procedurave të kontrollit të cilësisë”, bën të ditur Zeka

Lufta e institucioneve të Kosovës kundër kontrabandës, shton Zeka, nuk ka qenë mjaft efikase. Megjithatë, sipas tij, është inkurajues fakti që disa zyrtarë doganorë janë suspenduar së fundi për shkak të keqpërdorimit të pozitës së tyre.

“Ka pasur përpjekje kohëve të fundit, por nuk kanë qenë të duhura për ta eliminuar joformalitetin apo kontrabandën në tërësi. Arsyeja prapa kësaj kanë qenë edhe zyrtarët doganorë, të cilët nuk kanë qenë të trajnuar sa duhet, por edhe një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të korruptuar dhe nuk e kanë parandaluar kontrabandën, por kanë mundësuar që ajo të zhvillohet”, thekson Zeka.

Ndryshe, kalimi nga ekonomia joformale në atë formale, ishte caktuar nga Qeveria e Kosovës në prioritetet e planit ekonomik 2011 - 2014.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat