Çelet panairi për programet e bashkëpunimit rajonal Shqipëri-Maqedoni

Ekonomi

Çelet panairi për programet e bashkëpunimit rajonal Shqipëri-Maqedoni

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 23:04

U organizua sot në Tiranë Panairi i përfituesve te granteve nga Programi i bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni 2007-2013.

Në ceremoninë e hapjes së panairit, morën pjesë ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, ministri i Pushtetit Lokal dhe Vetëqeverisjes së Republikës së Maqedonisë, Lirim Shabani dhe Drejtori i Njësisë së Programeve Rajonale në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Yngve Engstrom.

Gjithashtu në ceremoni morën pjesë, përfaqësues te OJF-ve, organeve të pushtetit lokal të zonës së programit (Korçe, Dibër, Elbasan), Dhomave të Tregtisë, Universiteteve, përfitues nga granatet ne kuadrin e 3 thirrjeve për projekte që janë zhvilluar nën këtë program.

Panairi është organizuar me mbështetjen e Delegacioneve te BE-së, nën kujdesin e Ministrisë së Integrimit Evropian të Shqipërisë dhe Ministrisë së Pushtetit lokal dhe vetëqeverisjes së Maqedonisë.

Ministrja Gjosha, në fjalën e saj në çelje të të këtij Panairi theksoi se bashkëpunimi midis të gjitha vendeve të rajonit është kyç, për të çuar përpara procesin e integrimit evropian.

“Dy vendet tona ndajnë aspiratën e përbashkët për t'u bërë anëtare të BE-së dhe, në këtë drejtim, programet e bashkëpunimit ndërkufitar janë një vlerë e shtuar për këtë proces anëtarësimi, sepse nxisin integrimin dhe bashkëpunimin rajonal”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja shtoi se objektivi i përbashkët për t'iu bashkuar BE-së sjell nevojën për të forcuar bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojës, koordinimin e politikave dhe mbështetjen për secilin nga vendet , me qëllim zbatimin e prioriteteve dhe projekteve të përbashkëta strategjike.

Ministri i Pushtetit lokal dhe vetëqeverisjes së Maqedonisë, Lirim Shabani theksoi se, duke pasur rezultatet e këtij bashkëpunimi intensiv dhe të suksesshëm, edhe në vlim do t’i kushtohet vëmendje maksimale marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit.

“Marrëdhëniet e mira rajonale dhe atmosfera miqësore mes vendeve tona është në të mirë të gjithë rajonit. Programe të këtij lloji janë një mënyrë e mirë për të intensifikuar këto marrëdhënie”, u shpreh ministri Shabani.

Drejtori i Njësisë së Programeve Rajonale në Drejtorinë e zgjerimit të Komisionit Evropian, Yngve Engstrom i pranishëm në takim, theksoi se Bashkimi Evropian mbështet dhe nxit bashkëpunimin mes gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne e shikojmë si një faktor pozitiv mjaft të rëndësishëm, zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, i cili i shërben të ardhmes së vendeve tuaja”, tha Engstrom.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat