Dimri me reduktime të energjisë elektrike

Ekonomi

Dimri me reduktime të energjisë elektrike

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 15:54

Gjatë muajve të dimrit, Kosova do të ballafaqohet me mungesë të furnizimit të rregullt me energji elektrike.

Përfaqësues të Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se problemet me furnizim të rregullt me energji elektrike janë si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur në Termocentralin “Kosova A”, në muajin qershor të këtij viti.

Zëdhënësi i KEDS-it Guri Shkodra, thotë se pas këtij shpërthimi në Korporatën Energjetike të Kosovës janë zvogëluar kapacitetet prodhuese.

Ai bën të ditur së aktualisht janë duke u prodhuar 400 megavat energji elektrike, importi është 200 deri në 300 megavat energji elektrike. Derisa, konsumi është 700 deri në 800 megavat, por që gjatë ditëve apo muajve të ftoftë konsumi i energjisë elektrike rritet.

“Gjatë sezonit të dimrit kërkesa e qytetarëve për energji elektrike ngrihet, në atë rast ngrihet edhe importi, por shumë herë ndodh që nuk ka sasi të mjaftueshme të energjisë për import ose që eksportohet nga operatorët tregtarë me të cilët KEDS ka kontrata".

"KEDS ka vazhduar të importojë gjithë sasinë e energjisë elektrike të disponueshme në mënyrë që të iu bëjë ballë kërkesave të qytetarëve për energji elektrike, por në raste kur nuk ka sasi të mjaftueshme atëherë jemi të detyruara të bëjmë ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike, derisa situata të zgjidhet”, shprehet Shkodra.

Sidoqoftë, prodhimi i energjisë elektrike nuk do të mund të rritet deri në fund të këtij viti.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për Shërbimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tri njësi në termocentralin Kosova A, dhe dy njësi në termocentralin Kosova B, do të jene në dispozicion për punë me kapacitet të plote para fillimit te dimrit.

“Pas aksidentit në termocentralin Kosova A, një njësi (A3) tashmë është aktivizuar dhe është duke prodhuar pa ndonjë problem, ndërsa ne dy njësitë tjera aktive të termocentralit Kosova A ( A4 dhe A5) është duke u bërë riparimi kapital i tyre. Në këtë rast, në këto dy njësi punët janë duke u zhvilluar sipas planit dhe pritet që ato të përfundojnë në muajin dhjetor 2014”, bën të ditur Nulleshi.

Kosova me probleme të energjisë elektrike është ballafaquar qysh nga paslufta.

Eksperti i çështjeve të energjetikës, Ethem Çeku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se e vetmja alternativë për të dalë nga kjo situatë e krizës energjetike që është aktualisht vendi është rivitalizimi i blloqeve të termocentralit “Kosova B”.

“Tashmë po paralajmërohet se gjatë dimrit furnizim me energji elektrike do të jetë i ashpër, normalisht që do të jetë i ashpër sepse nuk kemi asnjë kapacitetet të ri gjenerues që do të ishte ndihmesë në furnizimin me energji elektrike nuk kemi as energji alternative blloqet e Kosovës A nuk u mirëmbajtën, blloqet e Kosovës B nuk u financuan dhe nuk u mirëmbajtën. Kosova ka hyrë në një situatë të vështirë në asketin e furnizimit me energji elektrike”, thekson Çeku.

Ndryshe, pasiguria në furnizimin të energjisë vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.

Ekspertët e energjetikës thonë se pa ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit të shumëpërfolur Termocentrali “Kosova e re”, dhe energjisë alternative, vështirë se do të mund të shkarkohet vendi nga mungesa e energjisë elektrike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat