Çmimet e arkave fiskale-naftëtarët ankohen në EULEX

Ekonomi

Çmimet e arkave fiskale-naftëtarët ankohen në EULEX

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 22:21

Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve, “ShQNGL”, ka kërkuar nga EULEX-i, përkatësisht nga Prokuroria Speciale, që të filloj procedurë hetimore ndaj operatorëve ekonomik të cilët janë autorizuar nga Ministria e Financave për fiskalizimin e pikave të karburanteve.

Kjo kërkesë sipas shoqatës, doli nga Grupi Punues i Shoqatës së ndërmarrjeve që merren me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve.

Po ashtu ShQNGL, ka kërkuar takime dhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovës, Samuel Zhbogar dhe me shefin e EULEX-it, në Kosovë Bernd Borchardt, ku temë diskutimi do të jetë problemet e shumta në sektorin e naftës në vend.

Megjithatë, kryetari i Shoqatës së Ndërmarrjeve për qarkullim të naftës, derivateve, gazrave dhe lubrifikanteve, Fadil Berjani, ka deklaruar se janë të hapur që ta pranojnë ri fiskalizimin e dytë, madje kanë biseduar edhe me Ministrinë e Financave që të bëhet shpallje e operatorëve të rinj.

Kjo Shoqatë, sipas Berjanit, ka kërkuar që të operojnë më shumë operatorë për fiskalizim, pasi që dy operatorët që ekzistojnë kanë çmime shumë të larta.

Ky reagim i tyre ka ardhur pasi që Administrata Tatimore e Kosovës u ka thënë këtyre ndërmarrësve që nëse deri më 1 tetor nuk e bëjnë ri fiskalizimin, atëherë për këto ndërmarrje do të pasojnë gjobat.

Ndërkaq, Shoqata e operatorëve të licencuar për pajisje fiskale, demanton deklarimet e sotme të Shoqatës së naftëtarëve lidhur me monopol dhe çmime të larta të sistemeve fiskale. Në një njoftim për media Shoqata e operatorëve të licencuar për pajisje fiskale, u kujton naftëtarëve se në treg janë katër operatorë të licencuar për pajisje fiskale dhe ky nuk mund të quhet monopol.

“Çmimet tona nuk janë ashtu siç i paraqesin naftëtarët pasi ato fillojnë prej 5600 për dy dispense”, thuhet në njoftim.

Përndryshe, Kosova. Info posedon kërkesat për çështjet e lartpërmendura dhe po ashtu edhe nënshkrimin e të gjithë ndërmarrësve që janë anëtarë të ShQNGL.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat