Kompani energjetike të Evropës sot vizitojnë Kosovën

Ekonomi

Kompani energjetike të Evropës sot vizitojnë Kosovën

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 08:57

Sot dhe nesër në Prishtinë do jenë përfaqësuesit e kompanive më të fuqishme energjetike të Evropës, të cilët do të jenë pjesëmarrës të konferencës Energy Market South East Europe 2014 (Tregu i energjisë në Evropën Juglindore 2014).

Në këtë konferencë do të jenë të pranishëm 200 përfaqësues të kompanive dhe ekspertë të energjetikës nga shtetet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, të cilët do të trajtojnë situatën aktualen të tregut të energjisë të Evropës Juglindore.

Me këtë rast, pos trajtimit të problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohet ky treg, si edhe kërkimit të zgjidhjeve të përbashkëta,ata kanë mundësi të njihen edhe me potencialet që ka Kosova dhe ofertën e saj për të investuar.

Siç ka thënë drejtori i kompanisë evroenegie L.L.C, Hamdi Malushaj krejt kjo po ndodhë në një moment mjaft të rëndësishëm – kur duhet të nisë implementimi i projekteve të mëdha energjetike, si edhe në prag të liberalizimit të tregut, ashtu si parashihet me Traktatin për Energjetikë, nënshkrues i të cilit është edhe Kosova.

“Rëndësia e konferencës qëndron në faktin se, sektori i energjisë së Evropës Juglindore është çelës për rritje ekonomik edhe hapë rrugën për Integrim në Bashkimin Evropian. Burimet e mëdha natyrore të rajonit kanë rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik përmes investimeve në sektorin energjisë”, ka thënë fillim të konferencës Hamdi Malushaj, drejtor ekzekutiv i kompanisë evroenergie L.L.C.

Sipas tij, konferenca nuk ka për qëllim që në fund të prodhoj një letër –marrëveshje, të cilën do ta nënshkruajnë të pranishmit. Objektivi kryesor i saj mbetet që në një vend- në një sallë të jenë së bashku të gjithë aktorët që ndërlidhën me energjinë në rajon dhe tregun e energjisë.

Mjafton që ata të paraqesin ide, përvoja apo edhe të hapin problemet me të cilat ballafaqohet ky sektor. Aty do të elaborohen dhe do të koordinohen veprimet e mëtejme ndërmjet shteteve, në mënyrë që energjia të jetë faktor integrues i rajonit.

“Rëndësinë e konferencës duhet parë edhe në një aspekt tjetër. Me vet faktin se ajo për herë të tretë mbahet në Prishtinë, si edhe duke dituyr potencialet e mëdha energjetike që Ka vendi, atëherë pa dyshim se krejt këto kontribuojnë që Kosova të shndërrohet në një qendër energjetike për rajonin”, tha z. Malushaj.

Edhe Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se konferenca po mbahet në një moment mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendit.

“Meqenëse energjetika po bëhet një ndër faktorët determinues të zhvillimit ekonomik, atëherë edhe kjo konferencë e faktorizon Kosovës në tregun rajonal, por edhe si një shans për investitorët e mëdhenj në sektorin e energjisë. Madje, mundësitë që krijohen me shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme dhe rritjen e efikasitetit në këtë sektor, atëherë pa dyshim se zhvillimi do të jetë në përputhje me kërkesat e Kjotos dhe të Bashkimit Evropian”, tha Safet Gërxhaliu, kryetar I OEK-ut.

Po ashtu, ai parashtroj nevojë edhe për një bashkëpunim më të ngushtë të të gjitha vendeve të rajonit, shans të cilin e ofron konferenca që do të mbahet në Prishtinë.
“Me vet faktin se këtu do të jenë përfaqësuesit e kompanive më të fuqishme nga sektori i energjetikës, pastaj edhe ata të mekanizmave me ndikim në zhvillimin e tregut rajonal, atëherë, pa dyshim se konferenca do të hap shtigjet e reja të bashkëpunimit, si edhe të tejkalimit të të gjitha problemeve që paraqiten në bashkëpunimin ndërmjet shteteve të rajonit. Meqenëse, gjithmonë duhet pasur parasysh, se integrimi politik nuk mund të ndodhë pa integrimin ekonomik”, theksoi z. Gërxhaliu.

Sipas tij, e rëndësisë së veçantë është ajo se konferenca Energy Market South East Europe 2014 mbahet menjëherë pas Samitit të Berlinit, prej të cilin dolën detyra të rëndësishme për shtetet e Ballkanit, e ku një vend të rëndësishëm zë zhvillimi dhe bashkëpunimi në sektorin e energjetikës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat