Kursime apo shpenzime?

Ekonomi

Kursime apo shpenzime?

Më: 14 shtator 2014 Në ora: 12:51

Situata është serioze në Eurozonë me 18 anëtarët e saj të lidhur ngushtë përmes monedhës së përbashkët. Përsëri serioze. Këtë herë nuk janë në rrezik direkt stabiliteti i monedhës apo aftësia paguese e një shteti. Fjala është për dy fantazma frikëndjellëse të ekonomisë: recesioni dhe deflacioni. Tkurrja e ekonomisë me rënien paraleleshit të çmimeve. Këtë ua bëri edhe një herë të qartë në takimin në Milano presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (ECB) ministrave të financave të eurozonës, në një takim informal. Në tremujorin e dytë ekonomia në eurozonë praktikisht ka qendruar vendnumëro. Norma e inflacionit është vetëm 0,3 për qind dhe papunësia vazhdon të jetë shumë e lartë, kritikoi Mario Draghi. Për këtë arsye ai ka tërhequr një frenë të fundit në Bankës Qendrore dhe e ka ulur thuajse në zero normën orientuese të interesit. „Tani kemi mbërritur në skajin e fundëm“, tha Draghi me tonin e tij të zakonshëm të qetë dhe me këtë donte të thonte se së shpejti kartat e politikës klasike monetare të Bankës Qendrore do mbarojnë.

"Të ecim dorë për dore"

Për t‘i dhënë hov ekonomisë Draghi kërkon të marrë masa për kredi të lira duke i furnizuar bankat javët dhe muajt e ardhshëm me para të sigurta dhe me kosto të ulët përmes programesh të ndryshme.
Shpresa e tij është që bankat t‘u japin përsëri kredi sipërmarrjeve veçanërisht në vendet në krizë në jug të Evropës, tha një i besuar i Mario Draghit në kuadër të takimit. Garanci për këtë nuk ka. Meqenëse Banka Qendrore Evropiane ka arritur tashmë thuajse në fund të mundësive të saj, e kanë radhën ministrat e financave të veprojnë, u tha nga ECB. Mario Draghi e shprehu këtë në mënyrë diplomatike. „Vetëm nëse politika monetare, politika fiskale dhe ajo strukturore ecin dorë për dore, në zonën e euros do të rikthehen investimet“, tërhoqi vëmendjen Draghi në Milano. „Investimet janë të nevojshme për rritje ekonomike dhe vende të reja pune. Një nga pikat më të rëndësishme sot është theksimi i reformave strukturore. Në mënyrë që të rrjedhin investimet, janë të nevojshme reforma strukturore.“ Mario Draghi pret nga ministrat e financave që të vënë në dispozicion në buxhetet e tyre më shumë para për investime publike dhe të krijojnë kushte më të mira për sipërmarrjet. Meqenëse kjo nuk bën pjesë në fushën e tij të kompetencave, të cilat sipas kritikëve ai i interpreton shumë gjerë, Draghi pret që të veprojnë ministrat.

Investime me financime shtetërore apo kursime të hekurta?

Ministrat e financave e interpretojnë këtë kërkesë në mënyra të ndryshme në varësi të vendit dhe situatës së buxhetit. Ministri italian i Financave Pier Carlo Padoan do të kursejë më pak dhe të vërë më shumë para në dispozicion për investime. Këtë dëshëron edhe Franca. Por prej një politike të tillë do të vuante disiplina buxhetore. Pasoja do të ishin borxhe të reja ndërkohë që si Italia ashtu edhe Franca janë të zhytura thellë në borxhe. Jyrki Katainen, komisioneri i BE-së për buxhetin tërheq vëmendjen paraprakisht: „Duhet të vazhdojmë të ndjekim një politikë buxhetore strikte dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë cilësinë e shpenzimeve. Kujt nuk ka para nuk i mbetet veçse të kursejë. Vetëm mënyrës si kursehet mund t‘i jepen forma të ndryshme.“ Nuk duhet të rriten taksat për të mbushur vrimat por duhen reduktuar p.sh. shpenzimet për buxhetorët.
Kësaj i tremben ministri italian i Financave Padoan dhe homologu i tij francez Michel Sapin. Ata mendojnë se paratë duhet të vijnë nga arkat e BE-së ose nga fondi i ri i investimeve. Polonia propozoi mënjëherë një fond prej 700 miliardë eurosh. Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker kërkon të mbledhë 300 miliardë euro për investime publike. Se si duhet të bëhet kjo dhe kush duhet të paguajë në fund ende nuk është e qartë. Shumë vende të eurozonës janë në një mendje se Gjermania duhet të shpenzojë më shumë para për investime. Këtë pikëpamje mbështesin edhe Komisioni i BE-së dhe OECD në Paris, shoqata ekonomike e vendeve të pasura të industrializuara.

"Edhe Gjermania ka nevojë për investime"

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble u përpoq të mos lejonte ngjalljen e shpresave të mëdha në Milano. Natyrisht Gjermania është për investime por ato duhet të vijnë nga sektori privat dhe industria. Shteti mundet vetëm të ndihmojë por nuk mund të blejë vendet e punës, ishte qendrimi i Schäubles. „Gjendemi në një ambjent ekonomik që kërkon një forcim të investimeve në Evropë por edhe në Gjernani“, pranoi Wolfgang Schäuble. Nga qarqet e diplomatëve u mësua se ndaj tij kishte pasur kritika. Gjermanët janë shumë të fiksuar tek ruajtja e buxhetit të balancuar në 2015 të cilin Schäuble e prezantoi këtë javë.
Wolfgang Schäuble ka hartuar vërtet së bashku me homologun francez Sapin propozime për më shumë investime por ai i përmbahet edhe më tej linjës së tij: „Unë besoj se rruga e duhur është: më shumë investime, natyrisht respektimi i rregullave për konsolidimin e buxhetit, reforma strukturore, kornizë institucionale më e mirë. Të gjitha së bashku mundësojnë rritje afagjatë dhe më shumë vende pune".
Ministri francez i Financave Sapin reagon me mënyrën e tij ndaj asaj që konsiderohet si kokëfortësi gjermane. Ai nuk do t‘i respektojë kufijtë e përcaktuar të defiçitit as dy vitet e ardhshme. Kursime të mëtejshme strukturore në buxhetin francez nuk janë planifikuar. Franca argumenton me „rrethana të jashtëzakonshme“, si koniunktura negative e papritur.

Shkelja e rregullave të buxhetit nga Franca do të vlerësohet më vonë

Për ministrin gjerman të Financave Wolfgang Schäuble është ende shumë herët të kritikohet politia buxhetore franceze. „Unë do të pres dhe do të respektoj rregullat evropiane. Kur francezët të kenë vendosur për projektbuxhetin e tyre, Komisioni i BE-së do të gjykojë për të. Ne do të bazohemi në gjykimin e Komisionit por nuk do të spekulojmë.“ Zënka për defiçite, investime dhe kursin e duhur për luftimin e recesionit dhe deflacionit u shtynë. Në nëntor do të mbahen konsultime për Francën, Italinë dhe buxhetet e vendeve të tjera të eurozonës.

"Jemi nën vëzhgim"

Një njeri nga praktika, që merret çdo ditë me investitorë në tregjet financiare është Klaus Regling, shefi i Fondit Evropian të Shpëtimit ESM në Luksemburg. Ai paralajmëron ndaj zbutjes së tepruar të displinës buxhetore në eurozonë. Kjo është çështje besimi. „Investitorët vëzhgojnë me shumë vëmendje nëse rregullat e miratuara respektohen dhe nëse reformat strukturore po zbatohen në të gjitha vendet“, tha Regling në Milano. Investitorët që u japin hua shteteve kanë ende besim se shefi i ECB Mario Draghi do të imponojë kursin e tij dhe do të arrijë të stimulojë ekonominë me para me kosto të ulët, beson eksperti ekonomik Tito Boeri. Nëse dueli mes shteteve të eurozonës dhe Bankës Qendrore për kursin e duhur vazhdon shumë gjatë, besimi mund të zhdukej shpejt.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat