Rishikimi i buxhetit i domosdoshëm

Ekonomi

Rishikimi i buxhetit i domosdoshëm

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 08:59

Në rast se nuk rishikohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2014, pasojat negative në proceset ekonomike përveç këtij viti do të ndihen edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Kështu ka thënë për transmetuesin publik, kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu. Për këtë arsye, ai vlerëson rëndësinë e themelimit sa më të shpejtë të institucioneve të vendit.

Vakuumi institucional në vend, do të reflektohet edhe në segmentin ekonomik, vlerëson kreu i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.
“Dhe kur bisedohet për vitin kalendarik 2014 dhe pasojat e këtij vakuumi institucional, me siguri një ndër sfidat më të mëdha do të jetë rishikimi i buxhetit sepse është një hap i cili dashtë e padashtë duhet ballafaquar me këtë realitet.”

Vendi ynë po ballafaqohet me shumë probleme ekonomike të cilat do të thellohen në rast të mos-rishikimit të buxhetit, thotë Gërxhaliu. Prandaj ai vlerëson rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve.
“Përndryshe nëse shkohet në zgjedhje dhe ky parlament ose kjo qeveri nuk e ka mandatin e rishikimit buxhetor atëherë do të jetë jo vetëm viti 2014, por pasojat do të barten edhe në vitin 2015 që do të jetë edhe më shqetësuese për ambientin biznesor dhe proceset ekonomike në Kosovë por mbi të gjitha për stabilitetin social”.

Më herët zyrtarë nga Ministria e Financave kanë thënë se rishikimi i buxhetit, përkatësisht Ligji mbi ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014 do të hyjë në fuqi vetëm pas miratimit në Kuvend.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat