Mosfiskalizimi prodhon ekonomi joligjore

Ekonomi

Mosfiskalizimi prodhon ekonomi joligjore

Më: 19 gusht 2014 Në ora: 15:39

Autoritetet kompetente në Kosovë përmes veprimeve dhe mekanizmave të ndryshëm vazhdimisht kanë tentuar të luftojnë ekonominë joligjore në vend, por realiteti duket krejt ndryshe.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se kjo dukuri po ndikon në shkallën e zhvillimit ekonomik, tek investitorët e jashtëm dhe të brendshëm, si dhe po sjell mungesën e parasë se gatshme në treg.

Oda Ekonomike e Kosovës vazhdimisht e ka ngritur këtë shqetësim tek autoritetet kompetente dhe ka kërkuar që të përfundojë procesi i fiskalizimit te të gjitha kompanitë, pasi sipas udhëheqësve të këtij subjekti, kjo po ndikon në masë të madhe në rritjen e ekonomisë joligjore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë, thekson se ekonomia joformale po ndikon negativisht në fushën e të bërit biznes në Kosovë.

Sa më e suksesshme të jetë lufta kundër kësaj dukurie, thotë ai, aq më i madh do të jetë interesimi i investitorëve të huaj që kapitalin e tyre ta shfrytëzojnë në Kosovë.

“Ajo që ne e rekomandojmë si Odë Ekonomike, si masë emergjente apo urgjente është fiskalizimi, i cili për fat të keq, është duke u ballafaquar me një ngërç, që e dëmton Kosovën në fusha të ndryshme. Derisa nuk do të kemi një fiskalizim dhe të dhënat të jenë futura në aspektin elektronik, atëherë vërtet do të jetë shumë vështirë, të thuhet se kemi pasur efekte pozitive”, thotë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, vlerëson se përmasat e ekonomisë joligjore arrijnë prej 40 deri në 60 për qind, apo deri 800 milionë euro në vit është qarkullim i këtij lloji ekonomie.

Për këtë profesori Skënderi pohon se duhet të gjenden metodat efektive që të parandalohet ekonomia e hirtë.

“Konsideroj se numri i të punësuarve në ekonominë joformale është përafërsisht 50 me 50 për qind, sepse ka firma dhe biznese, të cilat supozojmë se kanë 10 punëtorë të punësuar me letra dhe pesë të tjerë pa letra. Dhe, krejt kjo është ekonomi joformale, e cila dëmton të hyrat e përgjithshme të makro-ekonomisë së Kosovës në tërësi”, thekson ai.

Edhe profesor Skënderi thotë se parregullsitë që po ndodhin në tregun e arkave fiskale dhe dështimi i autoriteteve kompetente për të përfunduar këtë proces, po krijojnë pabarazi në tregun kosovar.

“Institucionet nuk kanë qenë në gjendje që përmes Administratës Tatimore të Kosovës të fiskalizojnë të gjitha format e bizneseve në Kosovë dhe mosfiskalizimi i tyre ka bërë që në sektorë të caktuar të rritet ekonomia joligjore në Kosovë”, pohon Skënderi.

Por, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, jep disa shifra, që sipas tij, dëshmojnë shkallën e lartë të joformalitetit në vend.

Në agjencitë kompetente, thotë ai, janë të regjistruara 130 mijë biznese, 50 mijë nga to paguajnë tatim, kurse vetëm 20 mijë janë të pajisura me arka fiskale.

Ndërkaq, kompanitë që ende nuk janë të fiskalizuara, sipas Gërxhaliut, janë bizneset me kapital dhe qarkullimin të lartë.

“Në Kosovë ka dyqane të vogla, të cilat janë të pajisura me arka fiskale, ato që kanë qarkullim më të madh, janë pompat e benzinës, që merren me shitjen e derivateve të naftës, dhe një mekanizëm i tillë është i pafiskalizuar”.

“Prandaj, është koha që vërtet në këtë drejtim të punohet dhe çdo refuzim që bëhet për të parandaluar procesin e fiskalizimit është mbështetje e joformalitetit dhe mbështetje e ekonomisë së kriminalizuar”, shprehet Gërxhaliu.

Ndryshe vitin e kaluar Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, ka publikuar një hulumtim për vlerësimin e shkallë së ekonomisë joligjore, ku thuhet se ekonomia jo formale merr 34.4 për qind të bruto-produktit vendor.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat