Turqia investoi në Kosovë 82.8 milionë euro

Ekonomi

Turqia investoi në Kosovë 82.8 milionë euro

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 14:34

Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me Investimet e Huaja Direkte në Kosovë sipas shtetit të origjinës. Analiza fokusohet në të dhëna të periudhës 2007-2013. Investimet e huaja direkte janë një burim shumë i rëndësishëm i flukseve të kapitalit dhe zhvillimit të ekonomisë. Gjatë vitit 2013 shteti nga ku e kanë origjinën pjesa më e madhe e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë është Turqia me 82.8 milion euro ose 28% të totalit.

Shtete të tjera me peshë sa i takon Investimeve të Huaja Direkte janë Zvicra (14%), Gjermania dhe Shqipëria (7%) etj.
Interesante paraqiten Greqia e Holanda vlera e Investimeve të Huaja Direkte e të cilave për vitin 2013 paraqitet negative, çfarë tregon që në vitin 2013 janë investitor që më parë kanë pasur investime në Kosovë që kanë transferuar investime drejt këtyre vendeve.

Ndër vite situata e Investimeve të Huaja Direkte sipas shtetit nga e kanë origjinën ndryshon. Në vitin 2007 dhe 2011 pjesa më e madhe e IHD-ve e kanë origjinën nga Britania e Madhe me një vlerë prej 116.16 dhe 80.1 milionë euro. Në vitin 2008 IHD-të më së shumti vijnë nga Austria me një vlerë prej 51.3 milionë euro.

Gjermania është shteti nga e kanë origjinën shumica e Investimeve të Huaja Direkte për vitet 2009 dhe 2010. Gjatë këtyre viteve ky shtet ka investuar në Kosovë përkatësisht 75.15 dhe 91.54 milionë euro.

Për dy vitet e fundit nën analizë 2012-2013, Open Data Albnia hulumton se është Turqia e cila ka investuar më shumë në shtetin kosovar. Në vitin 2012 Investimet e Huaja Direkte nga ky vend shënonin vlerën e 65.55 milionë eurove dhe një vit më vonë 82.73 milionë euro.

Më 31 Mars 2014 gjendja e IHD-ve në Kosovë paraqitet: me vendet e Bashkimit Europian janë kryer 962.83 milionë euro Investime Hyrëse të Drejtpërdrejta dhe 53.81 milionë euro Investime të Drejtpërdrejta Dalëse; me shtetet e tjera Europiane janë kryer 534.32 milionë euro IHD Hyrëse dhe 75.4 Investime Dalëse- dhe me shtetet e tjera Joeuropiane janë kryer 111.31 milionë euro IHD Hyrëse dhe 11.41 IHD Dalëse.

Në total më 31 Mars 2014 gjendja e Investimeve të Huaja Direket shënon 2.8 miliardë euro Investime Hyrëse dhe 141 milionë euro Investime dalëse.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat